22.8 C
Prizren
E martë, 7 Maj, 2024

Mësimdhënësit në grevë, Abetarja e përbashkët promovohet me 1 shtator

Shqipëria nis përgatitjet për fillimin e vitit të ri shkollor. Viti i ri shkollor në këtë shtet fillon me 15 shtator.

Ndërkohë, që ministrja e Arsimit, Evis Kushi, prezantoi sot para mësimdhënësve, Abetaren e përbashkët Kosovë-Shqipëri.

“Sot është dita e parë që mësuesit tanë  në të gjithë vendin kthehen nga pushimet dhe fillojnë intensivisht punën për t’u përgatitur për fillimin e vitit të ri shkollor”, deklaroi ministrja Kushi.

Ai tha se nuk mund të fillohet puna më mbarë sesa me trajnimet e para të mësuesve për Abetaren e përbashkët unike, e cila tashmë është gati dhe këtë shtator do të jetë në duart e çdo vogëlushi.

“Jam shumë e lumtur që në datën 1 shtator do të jem bashkë me Ministren Arbërie Nagavci në ditën e parë të shkollës në Kosovë, ku prej andej do të nisim promovimin e risisë më të bukur për të gjithë nxënësit dhe mësuesit”, deklaroi ministrja shqiptare.

“Suksese dhe punë të mbarë për të gjithë mësuesit e Shqipërisë dhe Kosovës!”.

E derisa ministrja Kushi paralajmëroi vizitë në Kosovë dhe promovim të Abetares së përbashkët me 1 shtator, në Kosovë edhe më tej vazhdon greva e mësimdhënësve si edhe e administratës publike.

Greva e filluar nga Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Kosovës po vazhdon edhe më tej.

Këtë e kanë konfirmuar për Radio Kosovën drejtues të  BSPK-së.

Ndërkohë, paralajmërimin e  Ministrisë së Financave se të gjithë të punësuarit që janë bërë pjesë e grevës do t’u ndalet pagesa, kryetari i Këshillit Grevist, Rrahman Jasharaj, po e sheh si kërcenim dhe se në rast të zbatimit do t’u drejtohen organeve të drejtësisë dhe Unionit të Sindikatave Evropiane.

Kërkesat e Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Kosovës janë që deri në miratimin e Ligjit për Paga, të gjithë punëtoret e sektorit publik të marrin një shtese prej 100 euro në muaj,  nisjen e zbatimit të Ligjit për Sigurimet Shëndetësore, plotësim-ndryshimin e Ligjit për Skemat Pensionale të Financuara nga Shteti dhe nënshkrimin e marrëveshjes kolektive gjithëpërfshirëse./RTKLIVE

 

Më Shumë

Lajmet e Fundit