Ka përfunduar të hënën gjykimi në rastin ku mësimdhënësja Rreze Dema, po kërkon mbi 1,500 mijë euro nga Komuna e Rahovecit, në emër të kompensimeve për shpenzimet e shujtave për ushqim dhe pagës jubilare, të cilat pretendon se i takojnë me kontratën kolektive.
Në seancën e së hënës të mbajtur në Gjykatën Themelore në Gjakovë, dega në Rahovec, përfaqësuesi i paditëses, avokati Florid Hasku, kërkoi nga gjykata që padia të aprovohet si e bazuar, si dhe të detyrohet e paditura që paditëses t’ia kompensojë shpenzimet për shujtat ushqimore dhe pagën jubilare të paraparë me Kontratën Kolektive.
Në anën tjetër, përfaqësuesi i të paditurës, Bilbil Oruqi e kundërshtoi në tërësi padinë e paditëses dhe kërkoi nga gjykata që e njëjta të refuzohet si e pa bazuar, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Përfaqësuesi i të paditurës po pretendon se Komuna e Rahovecit nuk ka obligim ndaj paditësve, me arsyetimin se të njëjtës i mungon legjitimiteti real pasiv, pasi që siç tha, nuk është nënshkruese e Kontratës Kolektive të Arsimit.
Këtë kontratë, ai tha se e ka nënshkruar Ministria e Arsimit dhe Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës e Kosovës (SBASHK).
“Mbrojtja e të paditurës është në përputhje me përgjigjen e DKA-së. Këtu paditësja në parim e pranon të drejtën e mësimdhënësve për shfrytëzimin e ushqimit dhe të udhëtimit por që në mungesë të mjeteve të cilat nuk janë alokuar, të paditurës, në kuptim të dispozitave të nenit 46 të Kontratës Kolektive, e njëjta respektivisht dispozitat që kanë implikime financiare kanë mbetur të pa zbatuara”, tha Oruqi.
Po ashtu, Oruqi ka kërkuar nga gjykata që në emër të ekonomizimit të procedurës kësaj lënde t’i bashkohen edhe lëndët e tjera që kanë të bëjnë me SHFMU “Gëzim Hamza-Piktori” nga Rahoveci, mirëpo gjykata e ka refuzuar një kërkesë të tillë.
Ndërsa pas administrimit të provave, përfaqësuesi i të dëmtuarës, Bilbil Oruqi, ka pasur vërejtje në provat e administruara.
“Me vërejtje për shkak se vërtetimet mbi ditët e pranisë në punë nuk janë hequr ditët e pushimeve dhe ditët që konsiderohen si mungesë në punë për shkak të grevës apo arsyeve tjera” tha Oruqi, duke shtuar se vërtetimi duhet të lëshohet nga komisioni i posaçëm i krijuar për këtë qëllim nga Drejtoria Komunale e Arsimit.
Ai po ashtu paraqiti vërejtje edhe në kontratën e punës të paditëses, ku tha se nuk janë përfshirë dhe nuk janë paraparë shpenzimet e ushqimit dhe shpërblimit jubilar e të cilat kontrata, siç tha, paditësit i kanë pranuar dhe kanë nënshkruar si të tilla.
Përfaqësuesi i paditëses, avokati Hasku fjalën përfundimtare e ka dorëzuar me shkrim dhe i njëjti ka kërkuar edhe shpenzimet procedurale sipas tarifës së Odës së Avokatëve të Kosovës.
Në anën tjetër, përfaqësuesi i të paditurës, Bilbil Oruqi në fjalën e tij përfundimtare tha se baza juridike në të cilën thirret padia dhe kërkesëpadia e paditësve, e që është Kontrata Kolektive e Arsimit padyshim se mund të konkludojnë se të paditurës i mungon legjitimiteti pasiv pasi që nuk është nënshkruese e kontratës kolektive.
Sipas tij, për të zbatuar dispozitat që kanë implikime financiare të Kontratës Kolektive, në të njëjtën janë paraparë dispozitat e nenit 46 të Kontratës Kolektive për mënyrën e sigurimit të mjeteve financiare dhe alokimin e të njëjtave të nivelit lokal në vijë të veçantë buxhetore mirëpo këto dispozita nuk janë zbatuar nga MASHT-i dhe SBASHK-u.
Andaj sipas tij, aprovimi i kërkesëpadisë së paditësve cenon rëndë sigurinë juridike të Komunës së Rahovecit si palë e vetme e paditur.
Ndryshe, sipas padisë të ushtruar më 24 korrik 2019, paditësja Rreze Dema, po kërkon nga Komuna e Rahovecit, përkatësisht Drejtoria Komunale e Arsimit (DKA), kompensimin për shpenzimet shujtave për ushqim dhe pagat jubilare të cilat pretendojnë se i takojnë me Kontratën Kolektive.
Në padi thuhet se pos të drejtave të tjera të parapara me dispozitat e Ligjit të Punës, nr.03/L-2012, paditësve si punëtor arsimorë me kontratën Kolektive të Arsimit Parauniversitar të datës 18 prill 2017 është rregulluar se: “Të punësuarve, u sigurohet kompensimi për ushqim gjatë punës për ditët e pranisë në punë, vlera e kompensimit të shpenzimeve të ushqimit në punë për ditë pune është 2 (dy) euro, për të punësuarit që kanë marrëdhënien e punës primare në institucionet arsimore”
Me anë të padisë, Rreze Dema, po kërkon nga e paditura që për 648 ditë pune, në emër të shujtave të ushqimit t’i kompensohet shuma prej 1,296 euro, ndërsa në emër të pagës jubilare, paditëses t’i kompensohet si shpërblim jubilar 50% e pagës bazë, dhe atë 224.87 euro, apo shumën e përgjithshme prej 1,520.87 euro./BetimipërDrejtësi