3.6 C
Prizren
E shtunë, 21 Dhjetor, 2024

Meta, gjysëm e vërteta

Andi BushatiShkruan: Andi Bushati
Që pas rezultatit surprizë të 23 qershorit, një e vërtetë e përgjysmuar ka nisur të imponohet lidhur me suksesin e LSI-së në këto zgjedhje. Është e vërtetë se partia e Ilir Metës e katërfishoi numrin e deputetëve të saj. Është gjithashtu e vërtetë se me mbi 180 mijë votat, ajo theu rekordin e çdo force politike “të tretë” në këto dy dekada pluralizëm. Nuk duhet mohuar madje as fakti, që këta numra marrin një peshë disafish më të madhe po të mendosh një ligj elektoral të miratuar pas marrëveshjes amorale PD-PS, që parashihte vetëm shfarosjen e kësaj partie. Të gjitha këto janë të vërteta dhe ato e kanë bërë shumë kënd, këto ditë, të flasë për uraganin Meta, bërësin e mbretit, të cilin e ndjek nga pas fitorja, gurin e peshores së pushtetit në Shqipëri, etj. Madje ka pasur edhe opinionistë me mëditje, që gati të ekzaltuar nuk lënë javë pa përmendur suksesin e një njeriu “që i di mirë punët e veta”.

Dhe, në fakt, këtu duket që se qëndron problemi. Sepse punët dhe fati personal i liderit të LSI-së i intereson vetëm atij vetë dhe klientëve të tij jo të pakët. Por, të tjerëve, pjesës më të madhe të publikut dhe sidomos gardianëve të interesit të tij, duhet t’i interesojë një gjë tjetër. Duhet t’i shqetësojë pyetja themelore se ç’do të thotë për të nesërmen, që në qeverinë e së majtës është katapultuar më e fortë dhe më me shumë peshë, një pjesë e pushtetit katërvjeçar të Berishës.

Pavarësisht nga përbetimet, ne nuk kemi sot asnjë garanci se me LSI-në në koalicionin e ri, do t’i vihet fre abuzimeve me pushtetin. Ne nuk mund të vëmë dot bast se deputetët e saj do të ngrenë zërin ndaj nëpërkëmbjeve të pritshme të opozitës dhe opozitarëve. Ne nuk mund të jemi të qetë se dikush mund t’i thotë ndal privatizimeve klienteliste dhe koncesioneve për faqe të zezë.

Katër vitet e dhimbshme që sapo mbyllëm, janë vite të spektakleve alla Dritan Prifti, të papara ndonjëherë me zë dhe figurë në zyrat e shtetit. Ato janë vitet e shkatërrimit nepotik të diplomacisë. Ato janë vitet e dhënies së hidrocentraleve për miq dhe farefis. Ato janë vitet e shndërrimit të spitaleve në ndërmarrje bojatisjeje dhe gjelbërimi.

Ato janë gjithashtu periudha kur në vend gati u shuajt protesta, sepse ata që kishin marrë plumbin ballit, akuzoheshin për flokët e palarë. Periudha kur vota që ishin dhënë ditën për diell, zhbëheshin natën nga KQZ-ja. Periudha kur gjykatat u shndërruan në shtojca të qeverisë, aq sa e gjithë bota filloi të ngrejë zërin për kultin e pandëshkueshmërisë.

LSI-ja ka qenë për katër vite pjesë e kësaj farse. E megjithatë ajo u votua. U votua shumë dhe bindshëm. U votua nga ata që i besuan me naivitet filozofisë së Ramës, se në sistemin që ai do të ngrinte, edhe mëkatarët do të bëheshin më të mirë. U votua nga ata që i besuan shkeljes së syrit të Berishës, që gjatë gjithë fushatës dukej sikur thoshte: ata përsëri me ne do të vijnë. U votua nga ata që i besuan premtimeve për vende pune në administratë dhe nga ata që një herë në katër vite u vjen rasti i artë për të bërë pazar me politikanët. Arsyet e kësaj vote mund të jenë edhe më shumë se kaq. Për të kuptuar këtë surprizë, do të duhej fillimisht një sondazh i detajuar e një studim më shterues se cilat qenë arsyet e vërteta të rendjes së mbi 180 mijë njerëzve drejt kësaj vote pragmatike.

Por, gabimi më i madh, mëkati kur bëhet me qëllim, është glorifikimi i këtij rezultati. Elozhet ndaj bërësit të mbretit. Idolatria ndaj forcës dhe zhdërvjelltësisë së tij. Duartrokitja, pa shqetësim, vetëm për shkak të shifrave. Sepse ta komentosh atë vetëm duke u nisur nga përmasat dhe të shmangësh pasojat që do të ketë në qeverinë e nesërme, është të thuash vetëm një pjesë të së vërtetës. Atë pjesë që më së paku i intereson publikut.

Më Shumë

Këshilli Komunal për Siguri në Bashkësi shqyrton sfidat në aspektin e sigurisë në Prizren

Këshilli Komunal për Siguri në Bashkësi (KKSB), i kryesuar nga Kryetari i Komunës së Prizrenit, Shaqir Totaj, të mërkurën, ka mbajtur mbledhjen e radhës. Në...

Mamusha kërkon nga ASK-ja përmirësimin e disa të dhënave në regjistrimin e popullsisë

Kryetari i Komunës së Mamushës, Abdulhadi Krasniq në cilësinë e kryesuesit të Komisionit komunal për regjistrimin e popullsisë ka kontestuar disa të dhëna të...

Lajmet e Fundit