13.8 C
Prizren
E premte, 29 Mars, 2024

Zgjedhjet në Shqipëri dëshmi besimi dhe test vlerësimi

Xhavit halitiXhavit Haliti

U zhvilluan dhe u konfirmuan rezultatet e zgjedhjeve të përgjithshme në Republikën e Shqipërisë. Ndjeshmëria jonë për ecurinë e procesit, përfundimin dhe pranimin e tij nga aktorët relevant politik, natyrshëm, ka qenë e konsiderueshme. Kjo ndjeshmëri është tërësisht legjitime, ngase degët e kombit janë të interesuar për shëndetin dhe ecurinë e shëndetshme demokratike të trungut të tyre- Republikës së Shqipërisë.

Dëshironim zhvillim të lirë dhe me parametra demokratik të zgjedhjeve; dëshironim certifikimin e tyre nga OSBE-ODIR-i, dëshironim shmangien e konfliktualitetit gjatë dhe pas zgjedhjeve, si dhe pas daljes së rezultateve; dëshironim që fituesi dhe humbësi i zgjedhjeve të shfaqeshin publikisht vlerësues e bashkëpunues për fuqizimin e demokracisë dhe përparimin e gjithanshëm, ekonomik, social, arsimor, kulturor e mbarëkombëtar të Shqipërisë dhe shqiptarëve. Mendoj se pritshmëria jonë për zgjedhjet në Shqipëri u bë brenda kuadrit dhe në realizim të kësaj dëshire sepse:
– Ato u zhvilluan në parametra demokratike : të lira e të qeta;
– Rezultati i tyre u pranua shumë ditë më parë nga certifikimi i tyre nga KQZ-ja, prej dy subjekteve kryesore politike në garë, PS-së dhe PD-së;
– Dy krerët e partive më të mëdha që gjatë zhvillimit të fushatës, shpesh u përballën personalisht, deri në rrafsh fyerjesh e sharjesh,vlerësuan dhe uruan publikisht njeri-tjetrin për të ardhmen;
– Rrotacioni i pushtetit, në zbatim të verdiktit të votës popullore po kryhet në zbatim të ligjit dhe të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë. Procesi i ndërrimit të pushtetit i realizuar pa shqetësime, në rrugë e mjete demokratike ka qenë i mirëpritur nga të gjithë shqiptarët, por dhe nga politika dhe diplomacia e vendeve demokratike evroalantike.

Zgjedhjet në Republikën e Shqipërisë, me arritjet dhe me ndonjë mangësi (të presim raportin dhe vlerësimin e ndërkombëtarëve, OSBE-ODIR-it), mendoj se duhen të vlerësohen dhe të shërbejnë si fillesë për reflektim, motivim dhe angazhim edhe të humbësve dhe të fitimtarëve të zgjedhjeve për përparmin e gjithanshëm dhe integrimin sa më të shpejtë të Shqipërisë në BE. Ecuria dhe rezultati i zgjedhjeve të 23 qershorit mendoj dhe besoj se i hapën rrugën një epoke të re në historinë moderne të politikës shqiptare, siç deklaroi menjëherë pas 23 qershorit, ambasadori i SHBA-së në Tiranë. Rezultati thuaj befasues i zgjedhjeve në favor të koalicionit të majtë, mendoj se ishte jo tërheqja, por shkulja publike e veshit për koalicionin e djathtë nga votuesit- qytetarët e Shqipërisë. Ky rezultat, njëkohësisht është jo vetëm dëshmi besimi, por dhe një test vlerësimi për seriozitetin, realizimin e premtimeve elektorale, por sidomos të objektivave programore, për shmangien sa më shpejtë të defekteve qeverisëse të derisotme.

Dhe mbi të gjitha për t’i dhënë fund tranzicionit të tejzgjatur të Shqipërisë për kalimin nga diktatura në demokraci. Fitorja plebishitare e koalicionit të majtë mendoj se është lexuar e vlerësuar me objektivitet prej tij. Duke i dhënë 84 ulëse në Kuvendin me 140 deputetë, votuesit e Shqipërisë i dhanë mundësi maksimale të majtës për të realizuar programin elektoral dhe sidomos programin qeverisës. Vota popullore ia hoqi mundësinë bllokuese opozitës së djathtë për miratimin e reformave dhe ligjeve tepër të rëndësishme , që do t’i vlejë ndarjes dhe veçmas, funksionimit efektiv të tre pushteteve. Lenia e mandatit të deputetit për t’u bërë ministër, është një tentativë për të vendosur kufijtë ndarës mes ekzekutivit dhe legjistativit, që uroj të gjejnë dhe zgjidhje të tjera balancuese mes tyre. Priten, dhe priten pikërisht tani, nën mundësinë që ua ka dhënë vota popullore që gjyqësori të shndërrohet në pushtet të pavarur, të besueshëm dhe veprues në parametrat që imponohen nga një shtet demokratik.

Vota e 23 qershorit ka krijuar të gjitha hapësirat e nevojshme ligjore fitimtarëve të qeverisin, në zbatim të programeve të shpallura. Por kjo votë duhet menaxhuar me shumë respekt, kujdes dhe, mbi të gjitha, me shumë përgjegjësi. Uroj që humbësit e zgjedhjeve ta përjetojnë humbjen nën ndikimin e sentencës popullore. Pësimi bëhet mësim. Kurse fitimtarët i uroj: “mbetshin të kënaqur prej jush gjithë zgjedhësit!”. Këto zgjedhje mendoj se ishin një test tejet i saktë i sundimit të zhgënjimit ndaj premtimeve. Politika realiste është e suksesshme.
(Autori është nënkryetar i Kuvendit të Republikës së Kosovës)

Më Shumë

Hovenier për masakrën e Krushës: NATO reagoi për të ndaluar gjakderdhjen

Ambasadori amerikan në Kosovë, Jeffrey Hovenier ka thënë se inaugurimi i Muzeut të Masakrës së Krushës së Madhe të Rahovecit, i dokumenton këtë ngjarje...

Haradinaj në Prizren: Koalicioni i prirë nga Aleanca është shndërruar në forcë serioze politike

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka thënë se koalicioni parazgjedhor i prirë nga AAK, është shndërruar në forcë serioze politike. Haradinaj...

Lajmet e Fundit