19.8 C
Prizren
E hënë, 20 Maj, 2024

Molotov presidenti!

Hashim Thaçi është presidenti i katërt i Republikës së Kosovës, por i pari që zgjidhet gjatë sulmeve me koktej molotovi, përdorim të gazit lotsjellës në seancë dhe arrestimit të deputetëve opozitarë. Vetëm në raundin e tretë të votimeve, Thaçi ka arritur të zgjidhet i pari i shtetit me 71 vota, përderisa 10 fletëvotime ishin të pavlefshme

Në mes gazit në sallën e Kuvendit dhe molotovit në rrugët e kryeqytetit, kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Hashim Thaçi, është zgjedhur president i vendit. Por zgjidhja e tij në krye të shtetit është bërë tek në raundin e tretë, pasi në dy raundet e para ai nuk ka arritur të merrte 80 vota sa i nevojiteshin. Tek pas dy raundeve të zhvilluara koalicionit qeverisës iu desh rreth një orë pauzë që të sigurohet se në raundin e tretë nuk do të dështojë zgjidhja e Thaçit në krye të shtetit. Thaçi arriti t’i sigurojë me ndihmën e partnerit të koalicionit dhe Listës Serbe, mori 71 vota, 10 fletëvotime ishin të pavlefshme. Kurse kundërkandidati i tij, Rafet Rama, i cili në raundin e parë mori 4 vota, në të dytin 2, në raundin e fundit nuk e mori asnjë votë.

Deputetët e opozitës u larguan me dhunë

Votimi i presidentit ndodhi vetëm pas largimit me forcë të deputetëve opozitarë nga salla e Kuvendit, për shkak të hedhjes së gazit lotsjellës sërish në sallë.

Seanca filloi e qetë me fjalimet e përfaqësuesve të opozitës, ndërsa me të marrë fjalën deputeti i LDK-së, Sabri Hamiti, opozitarët reaguan duke hedhur gaz lotsjellës. E të parët që e bënë një gjë të tillë ishin, deputeti i Lëvizjes “Vetëvendosje”, Faton Topalli, dhe ai i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Bali Muharremaj.

Kështu seanca u ndërpre dhe u paralajmërua pauzë 10-minutëshe, e cila më pas zgjati rreth një orë për shkak se kryesia e Kuvendit mbajti mbledhje urgjente në të cilën vendosi që të përjashtojë nga seanca deputetët e opozitës: Ismajl Kurteshin, Time Kadriajn, Teuta Haxhiun, Faton Topallin, Pal Lekajn dhe Bali Muharremaj.

Pak minuta pasi deputetët u kthyen në Kuvend, deputeti i “Vetëvendosjes”, Ismajl Kurteshi, hodhi gaz lotsjellës sërish. Dhe sërish seanca u ndërpre për të shkuar në pauzën e dytë. Kryesia e Kuvendit në mbledhjen e dytë urgjente vendosi që të përjashtojë edhe pesë deputetë të tjerë opozitarë: Albin Kurtin, Albulena Haxhiun, Visar Ymerin, Mytaher Haskukën dhe Salih Salihun. /Zëri/

Më Shumë

Moti sot me temperatura deri në 20 gradë celsius

Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës ka bërë të ditur se sot parashihet të jetë mot me diell dhe vranësira të shpërndara. Sipas njoftimit të këtij instituti,...

Caktohet muaji për rimeçin mes Usyk dhe Furyt – tjetër përballje spektakolare na pret këtë vit

Tyson Fury dërgoi mesazhe të përziera për një revansh të mundshëm me Oleksandr Usyk, duke pranuar se nuk e di se çfarë do të...

Koha dritëplotë

Lajmet e Fundit