27.1 C
Prizren
E diel, 8 Qershor, 2025

Mos e procedoni «Demarkacionin» pa konsensus nacional!

Rexhep Hoti

Askush më shumë sesa Republika e Kosovës nuk ka nevojë të demonstrojë hapa të fuqishëm për të marrë vendime për kryerjen e detyrimeve shtetërore.
«Demarkacioni» me Malin e Zi është njëra prej këtyre detyrimeve dhe përgjegjësive që i ka shteti i Kosovës. Deri këtu asgjë nuk është e kontestuar.

Por, ajo që klasa politike e vendit nuk është duke e bërë dot, është konsensusi i saj në lidhje me këtë çështje.
Përse shqiptarët që merren me politikë dhe që kanë vullnet politik të ligjshëm e legjitim nuk merren vesh?!

Konsensusi nacional në këtë rast është masa më e fuqishme që i jep vendit dhe Republikës fuqinë e stabilitetit në vendimmarrje. Por jo vetëm kaq. Konsensusi nacional është edhe standard i pjekurisë politike i një grupi a kolektiviteti të caktuar. Është edhe edukatë! Është edhe qytetërim!

Konsensusi nacional është formë më e fuqishme sesa legjitimiteti demokratik i një grupi të caktuar politik. Me një fjalë, është mbi vendimmarrjen e ligjshme e legjitime demokratike.
Çka do të thotë se jo gjithmonë vendimmarrja demokratike e ligjshme e legjitime ka të drejtë për të vendosur në emër të dy të tretave, fjala vjen.

Në kushtetutën e Republikës së Kosovës është instaluar koncepti i filozofisë së mekanizmit të vetos për vendimmarrjen në çështjet kapitale të vendit edhe për komunitete joshumicë, që nuk mund t’i kenë as 10 mijë votues. Në qoftë se e zbërthejmë në praktikë këtë filozofi kushtetuese i bie se komunitetet joshumicë, që nuk mund ta fitojnë më shumë se një deputet në shkallë vendi, e kanë të drejtën e vetos në nivel Republike për çështjet e tyre madhore.

Në këtë rast mund të shtrohet pyetja: si mund të shpërfillet e gjithë opozita parlamentare e Republikës ndërkaq?

Përse Qeveria Kosovës tash e një vit nuk e kërkoi ditë e natë konsensusin e opozitës për demarkacionin dhe nuk punoi intensivisht me të, pavarësisht asaj se çfarë thoshte e bënte opozita parlamentare?!

Qeveria e Kosovës e kishte detyrim dhe përgjegjësi Kushtetuese që ta merrte opozitën parlamentare me vete në vendimmarrjen e çështjeve të mëdha, siç është në këtë rast «Demarkacioni» edhe «Asociacioni».

Jo vetëm kaq. Parimi themelor i demokracisë: përgjegjësia e shumicës për pakicën! Pra nuk kemi të bëjmë vetëm me përgjegjësi shtetërore për rastin në fjalë, por kemi të bëjmë edhe me natyrën themeltare mbi të cilën ngihet qenësia e një demokracie?!

E çfarë ka ndodhur që një vit?!

Akuza e fundit që iu bë opozitës ishte se ajo ishte e sëmurë psikike?!

Këtu pushon gjithçka e edhe komunikimi njerëzor, institucional, demokratik, politik e nacional!

Dhe e gjithë kjo është e qëndrueshme, pavarësisht nga lajthitja dhe devijimi i madh i opozitës për ta shprehur kundërshtimin e saj. Opozita edhe mund të qëndrojë jashtë linjave të kuqe, por jo pozita. Sepse ajo e ka përgjegjësi edhe opozitën dhe është e detyruar me kushtetutën e vendit dhe legjitimitetin e demokracisë të kujdeset edhe ndaj një opozite parlamentare, madje, edhe atëherë kur ajo përdor mjete jodemokratike për t’i arritur qëllimet e veta?!

Opozita e një vendi demokratike nuk është kurrë trup i huaj brenda sistemit demokratik. As atëherë kur ajo ia huq në format e saj për t’u përballur me problemet dhe çështjet të cilat i ngre.

Në anën tjetër pozita nuk e ka këtë luks. Dhe kjo është edhe një prej aspekteve të bukura, të themi kushtimisht, të demokracisë.

Por në lidhje me këtë së pari duhet thënë se pozita ishte e paaftë për t’i kryer detyrat dhe përgjegjësitë e veta të garantuara me kushtetutë brenda hapësirave institucionale, demokratike, politike, shtetërore e qytetare?!

Më Shumë

Hamami dhe Sahat Kulla në Prizren: Një përzierje unike e arkitekturës dhe historisë

Muzeu Arkeologjik është vendosur në hapësirat e hamamit, të ndërtuar në fundin e shekullit XV, respektivisht në vitin 1498. Ndërtuesi i këtij hamami supozohet të...

Rritja e shpenzimeve përmbarimore dëmton financat e komunave në rajonin e Prizrenit

Komunat e Kosovës sipas një hulumtimi të Institutit GAP gjatë vitit 2024 janë përballur me rritje të lartë të shpenzimeve nga obligimet gjyqësore dhe...

Lajmet e Fundit