Në mes të terminalit në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës (ANP), qëndron e varur një foto e komandantit legjendar, Adem Jashari, emrin e secilit e mban Aeroporti, e i cili para tre vjetësh është marrë me koncesion nga kompania turke “Limak”. Oferta e kësaj të fundit është konsideruar si më e favorshme nëpërmjet një procesi të mjegullt në kohën kur ministër i Ekonomisë dhe Financave ishte Ahmet Shala. Ndërkaq ministër i Transporteve dhe Postë Telekomunikacionit (MTPT), ishte Fatmir Limaj. I pari është avancuar, ku tash përfaqëson shtetin e Kosovës në Japoni.
Ndërkaq, i dyti po përballet me procese gjyqësore një herë për krime lufte e më pas për korrupsion. Përzgjedhja e kompanisë turke për ta menaxhuar Aeroportin për 20 vitet e ardhshme, në atë kohë është cilësuar dhe konsideruar si arritja më e madhe në këtë fushë. Por, nuk shkoi shumë kohë, kur gjërat filluan të rrjedhin ndryshe.
Turqit me sukses arritën që nga Kosova të largojnë kompani me nam botërore, ndërkaq në vend të tyre sollën kompani të dyshimta që po mashtrojnë dhe vjedhin qytetarët e shtetit më të varfër në rajon, e për më gjerë nuk po flasim hiç. Nga Aeroporti filluan të largohen edhe biznesmenët vendorë, pasi që shumica prej tyre nuk do të mundë të përballonin kërkesat dhe presionet e vazhdueshme të turqve, të cilët nuk njohin rregull dhe kod të menaxhimit. Nga Aeroporti ikën aviokompani, ikën biznese dhe në vend të tyre erdhën “miqtë” e tyre nga Turqia.
Këta të fundit gjetën përkrahjen edhe te aleatë vendorë që gjithnjë dhe gjithmonë kanë qenë të gatshëm të vjedhin Qeverinë, edhe ashtu të varfër. Aeroporti është “shitur” për shkak të korrupsionit dhe keqmenaxhimit. Mirëpo, pikërisht këto dy dukuri kanë arritur në maksimumin e mundshëm, e ku emri që ai mban së paku po ia mban imazhin edhe ashtu të zymtë. Pritje të gjata, me orë, ditë, apo edhe javë, po iu ndodhin qytetarëve të vendit, të cilët kanë blerë bileta nga aviokompani mashtruese “Belle Air”. Ata kanë dhënë paratë, dhe nuk po mund të fluturojnë. Një gjë e tillë mund të ndodhë vetëm te ne. Kjo po ndodh edhe pse shteti ka institucionet kompetente. Mirëpo këto të fundit kanë rënë në “gjumë” veror. Të gjithë janë në “gjumë”, derisa shumë bashkatdhetarë tanë po vidhen dhe po keqtrajtohen në këtë aeroport. Ata (bashkatdhetarët) shajnë gjithçka. I shajnë të gjithë, mirëpo jo edhe emrin e Aeroportit, i cili e mban emrin e komandantit legjendar “Adem Jashari”.
Qeveria e Kosovës ka mbyllur sytë karshi abuzimeve të cilat çdo ditë e më shumë po vjedhin arkën e shtetit. Madje, gjëra të tilla po ndodhin, edhe në sytë e vendorëve që janë pjesë e mbikëqyrjes së Partneritetit Publiko-Privat, siç është rasti i Lorik Fejzullahut. Si duket ky shpesh gjatë rrugës harron se kë e përfaqëson, harron se cili është misioni dhe roli i tij. Me një fjalë ky merr pagë nga buxheti e arka e shtetit, e në anën tjetër mban anën e kompanisë “Limak”. Këtë e ka dëshmuar ai gjatë viteve të fundit.
Fejzullahu ka mbyllur sytë karshi vjedhjeve të vazhdueshme, karshi presioneve dhe dhunimeve që “Limak” po bën kundër punëtorëve shqiptarë. Por, dëgjueshmëria atij po i sjell profite. Ai gjatë kohës është munduar të jetë elastik dhe për këtë i rezistoi kohës. Një herë ishte njeri i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), ku në opinion është njohur si njeri i afërm me ish-ministrin e Ekonomisë dhe Financave, Haki Shatri. Por, në realitet punën në këtë ministri ai e kishte filluar kohë më parë në kohën kur kjo ministri drejtohej nga Ali Sadria, e ku Fejzullahu ishte shef i kabinetit të tij. Po ashtu, në atë kohë edhe nëna e tij ishte punëtore në presidencë, ku kjo e fundit ishte “pronë” e Lidhjes Demokratike të Kosovës. Por, pas rënies së Qeverisë, Fejzullahu ndërroi qasjen dhe bindjen. U bë i dëgjueshëm i PDK-së. Pozita që mban, atij ia kërkon një gjë të tillë. Ai edhe më tutje mbeti militant. Më herët shante Hashim Thaçin dhe vartësit e tij. E tash shqyen zërin duke i mbrojtur dhe përkrahur këta.
Zëri i Lorikut, nuk u dëgjua as atëherë kur menaxherët turq gjuanin me shpuzore, punëtorët shqiptarë në Aeroport. Këtij po ashtu, nuk iu dëgjua zëri, as kur turqit larguan nga puna pa asnjë paralajmërim menaxherët shqiptarë. Ama ky së bashku me ta (turqit) u mundua të gjejë zëvendësim të punëtorëve që po largohen padrejtësisht nga puna. E me sukses e bën një gjë të tillë. Fejzullahut po ashtu nuk iu dëgjua fare zëri, as karshi vjedhjeve dhe plaçkitjeve që “Limak” po i bën Qeverisë së Kosovës. Këtij nuk iu dëgjua zëri fare as karshi abuzimeve që menaxherët turq kanë bërë me para publike, duke shfrytëzuar asetet e Aeroportit për nevoja të veta private. Edhe këtë e di Loriku, mirëpo po e ruan me xhelozi. Me një fjalë të gjitha ato që kanë qenë kanë mbetur të njëjta, qoftë dhe menaxhimi, por vetëm pronari është tjetër.
E duke i parë të gjitha këto, në fund ka mbetur vetëm një gjë për Lorikun (Qeverinë), dhe kompaninë që ai e mbikëqyr. Bëjuni të sinqertë e rrini me komandantin, ose në të kundërtën vazhdoni me abuzime, vjedhje, plaçkitje, e maltretime e përzëreni atë. Është e pandershme, e turpshme dhe e pamoralshme që nën foton dhe emrin e tij të ndodhin gjëra të tilla. Aman, mos luani me emrin e komandantit!