3.6 C
Prizren
E shtunë, 21 Dhjetor, 2024

Mos vuaj nga dashuria

Ilir Muharremi

Po rrija në shtëpi në dhomën time, përtej dritares vështroj qiellin ngjyrë gri. Është mesditë e ftohtë vere e unë ndjehem i fikur, i rënduar nga e kaluara, i vrarë nga e tashmja. I vetmuar nën këtë qiell të huaj, kërkoj ajo të më lajmërohet, kërkoj lotët e saj që dikur derdheshin mbi jastëkun tonë të përbashkët. Ende i ndjej gjurmët dhe aromën e saj. Eh, e dashur shumë nga ti jeton ende te unë. Lajmërohu, lajmërohu, kujto ndonjëherë netët verore me ndriçimin e yjeve derisa qerpiku yt hënës i bënte hije.

Kujtoj atë fustan të shkurtë me pika që e vishje për mua, flokët ngjyrë kafe që shtriheshin poshtë qafës. Në internet çdo faqe shfaq dashurinë, këngët janë për dashurinë, telefoni im hesht, muret përpiqen të zhurmojnë, por as hijet nuk shfaqen më. Jam bërë i tepërt edhe ndaj vetes, akrepat e orës i vërej, i dëgjoj, ato ecin ngadalë e kjo më mbyt. Dua gjithë kohën e botës ta kaloj shpejt, nuk mundem, nuk mundem. Lajmërohu e dashur. Bjeri telefonit tim, të pres si në takimin tonë të parë. Asgjë nuk e kthen atë në jetën time, vetëm ato këngë tona terrorizojnë vuajtjet e mia.

Te vendi jonë në afërsi të qiellit që preknim horizontin shpesh shkoj, deri atje vetëm unë e di rrugën, sa herë që shkoj, më merr malli për ty. Harresa te vendi jonë nuk ekziston. Sot në këtë dhomë ndjehem vetëvrasës dhe ende nuk marr guxim të vetëlind, ndjehem keq shumë tmerrshëm pa ty e dashur. Kushdo që futet në dhomën time nuk më shëron përveç teje. Jam bërë si akull i ngrohtë që ngjitet te gishtërinjtë, e di që ti po hakmerresh ndaj meje. Më shfrytëzon si një ombrellë që e harron në autobus. Por, nuk jam unë ky e dashur. Jam ai që të do. Mos më përdorë si një leckë që kur të harxhohet e hedh në kosh të plehrave. Ende nuk mund ta bind veten se në këtë glob mund ta gjej dikë si ty.
E dije që shisja shpirtin për ty, për butësinë tënde, e vogla ime. Puthjet tona kishin shkëndijë, ndizinin çdo organ në trup. Shpirti humbiste brenda rregullit të tij, kërkonte i gjori shpëtim nga tundimi. E unë nuk isha i arsyeshëm me veten. Mjafton vetëm një birrë dhe kujtimet derdhen sikur tallazet e detit poshtë këmbëve. Unë ndjej vetëm ftohtësinë e valëve të detit sepse kujtimet janë më mbytëse se krejt ti.

Idila e hënës është mu e njëjta sikur e netëve tona të zjarrta të cilat ende i kërkoj. Birra e dytë fsheh dhimbjen, nga ikja jote e aplikoj çdo ditë, por koha më dehë më shumë me dhimbjen sepse më izolon e mi shfaq kujtimet brenda një harrese tentuese. Unë nuk e dua harresën, të dua ty e dashur. Nuk dua të vdes nga vetja, por nga dashuria jonë, vritem, vritem, merre thikën. E ndjen ftohtësinë e tehut dhe vëren majen se si shkëlqen në dritë? E dashur, kjo thikë vendos fatin tonë. Thika është , por ti nuk je. Gjithçka është, edhe ajri, mushkonjat që ngjiten pas faqeve të mia sikur pas një kufome të zverdhur, e pinë gjakun dhe ngrejnë dolli për ty. Jam unë ai që ëndrron., ëndërron dhe vuan për ty.

Vetja më lajmëron se ti ke vdekur, materia ende më shfaqet dhe ndjej aromën tënde te ky jastëku që kam afër, ndërsa shpirti më këshillon se gjithmonë je e imja. Ikja jote mbetet mister, nuk dyshoj në dashurinë tonë, i përulem presioneve prindërore nga ana jote, i kuptoj. Mosha e re gjykon nga verbëria, por krijon projektin e së ardhmes. Ardhmëria jam unë e dashur, i fikur në këtë dhomë nën shoqërinë e qiellit ngjyrë gri. Buzëqeshja jote u shfaq në qiell, vërej mollëzat dhe buzët e tua të vogla të fryra. Flokët i vërej ngjyrë kafe që gjenin mirësjellje në faqet e mia.

Ti je ajo e pushtuar nga rretë gri. Kthehu, nëse është nevojshme ik nga gjithçka eja pas shpirtit tim. Pa ty jetën time e flakë përtej. Ekzistenca ime nuk ka kuptim pa fytyren, trupin, materien tënde. Sa e vlefshme është dashuria nganjëherë zëvendëson çdo krijesë të afërt në botë. Dashuria nuk është krijesë është diçka e panjohur nga përtej, iluzion real që beson në butësinë, shfaq gjërat e vogla, ty të bën supernjeri kur sundon partnerin që të do shumë. Dashuria është e ndjeshme, me një fjalë mund të rrënohet krejt. Ende nuk e di arsyen e ikjes tënde…

Më Shumë

Trepça deklason Prizrenin

Trepça ka shënuar fitore bindëse ndaj Proton Cable Prizrenit, me rezultat të lartë 110:79 (25:8, 25:30, 29:18, 31:23), në javën e 12-të të Superligës...

Kastrati raporton për projektet kryesore në takimin me qytetarët

Kryetari i Komunës së Malishevës, Ekrem Kastrati, ka mbajtur sot takimin e dytë publik për vitin 2024, ku prezantoi projektet e realizuara dhe ato...

Lajmet e Fundit