11.8 C
Prizren
E premte, 19 Prill, 2024

Mungesa e lumturisë

AlbatrosRexhaj-poetShkruan: Albatros Rexhaj

Të gjithë flasim për lumturinë, por shumë pak prej nesh e jetojmë atë. Të gjithë e duam lumturinë, por shumë pak prej nesh kanë guxim ta bëjnë të domosdoshmen në mënyrë që të jemi të lumtur. Aq shumë flasim për lumturinë, saqë në fund e humbim besimin se diçka e tillë mund të ekzistojë vërtet!

Pse njerëzit nuk dinë ta vlerësojnë lumturinë?
Është e thjeshtë. Lumturia nuk mund të vijë në shprehje, përderisa ne vazhdojmë të jemi të shtypur nga diktatura e të dëshpëruarve.

Të gjithë e duam lumturinë, por ta kërkosh lumturinë është një ndërmarrje e rrezikshme. Nëse rastësisht bëhesh nga ata njerëz të paktë që vërtet e jetojnë lumturinë ka rrezik se do të zhgënjehesh. Nuk do të zhgënjehesh në lumturinë, si ndjesi dhe si fenomen, por do të zhgënjehesh në njerëzit përreth teje. Lumturia do të të bëjë të ndihesh i vetmuar.
Ti pyet: “Pse?”

Do ta zbulosh se njerëzit, në vend se të gëzohen, në të vërtetë do të ndiejnë zili për lumturinë. Papritmas do ta shohësh veten të rrethuar nga një turmë e njerëzve të dëshpëruar. Dhe këta do të të luftojnë. Do ta bëjnë këtë haptas dhe tinëzisht, para dhe pas shpine, dhe do të detyrohesh të heshtësh, të bësh kujdes dhe në fund të do të ngurrosh që ta shfaqësh lumturinë. Do të bëhesh i palumtur për shkak se e ke jetuar lumturinë. Do ta gjesh lumturinë vetëm për ta parë se si ta rrëmbejnë para syve.

Nuk e di pse kjo është kështu, por e di se për disa jeta është thjesht e padurueshme. Aq shumë janë të mbërthyer në trishtim dhe të jetuarit u është bërë aq e mërzitshme saqë futja e hundëve në punët e tjetrit është i vetmi argëtim që u ngjall ndonjë emocion. Përgojimet, thashethemet, intrigat – njëjtë si ajo reklama televizive 3 në 1 – ky është sporti më i përhapur popullor. Të gjithë krahë për krahu, të bashkuar në destruktivitet.

Duke menduar për të gjitha këto e ndjeva, sado që kjo më jep trishtim, se pavarësisht sa përpiqemi që jetën tonë ta veshim me shumë ngjyra, në të vërtetë jetojmë nën diktatin e dëshirave, mërive dhe tekeve të të tjerëve. Të atyre që gjithnjë janë të pakënaqur, të atyre që tërë kohën i fusin duart dhe hundët në punët e të tjerëve, të atyre që kanë hequr dorë nga lumturia.

Kur e mendon më thellë e ndien se, i gjithë ky shtjellim, është goxha ironik. Njeriu jeton brenda hiçit, përherë në pritje që të ndodhë diçka e bukur, pastaj tmerrohet nga një mundësi që i jepet edhe pse tërë jetën e pret një të tillë. Thjesht, ndryshimi për të mirë përjetohet si traumë. Kështu mendojnë dhe jetojnë të dëshpëruarit dhe presin që edhe të gjithë të tjerët ta bëjnë të njëjtën.
Nëse nuk e ke ditur, kjo është diktatura e të dëshpëruarve.
Ti pyet: “Pse është kaq e vështirë ta jetosh lumturinë? Pse njerëzit, në vend se të gëzohen, i tremben asaj?”
E kam vrarë mendjen dhe mendoj se e kam gjetur përgjigjen: Njerëzit kanë harruar të jenë të lumtur dhe tani kjo gjë ju duket e pamundur.
Nëse nuk më beson atëherë mbylli sytë dhe kthehu prapa në kohë. Kthehu në fëmijëri dhe do ta shohësh se vërtet ka ekzistuar një kohë kur secili nga ne dinte ta jetonte lumturinë. Bëje këtë dhe do ta kuptosh se lumturia fshihet brenda entuziazmit të fëmijës që çdo mbrëmje kënaqet duke e dëgjuar përrallën e njëjtë.

(Autori është shkrimtar. Ky shkrim është një fragment nga libri i tij i ardhshëm “Zonja Z”)

Më Shumë

Policia shqipton mbi një mijë e 500 gjoba në trafik brenda 24 orëve

Policia e Kosovës ka bërë me dije se gjatë 24 orëve të fundit ka shqiptuar 1501 gjoba në trafik. Sipas policisë, gjatë kësaj periudhe kohore...

Sot moti me diell, temperaturat deri në 26 gradë Celsius

Moti sot në Kosovë parashikohet të jetë me diell dhe po ashtu edhe me vranësira. Siç bën të ditur Meteo Kosova, era do fryjë kryesisht...

Lajmet e Fundit