23.8 C
Prizren
E shtunë, 1 Qershor, 2024

Mushkolaj: Kryeministri i LDK-së s’mund t’i menaxhojë ministrat e PDK-së

Imer MushkolajNjohësi i çështjeve politike, Imer Mushkolaj, konsideron se kushdo që do të zgjidhet kryeministër nga LDK-ja, do ta ketë të pamundur që t’i menaxhojë ministrat e zëvendësministrat e PDK-së. Kjo, sipas tij, do ndikojë që në kabinetin qeveritar të ketë më shumë se një adresë të dhënies së përgjegjësisë, respektivisht do të ofrojë mundësinë e krijimit të feudeve të vogla, që qeverisin sipas interesave individuale e grupore

Pavarësisht numrave që janë krijuar në Kuvend si rezultat i marrëveshjes për koalicion bashkëqeverisës mes PDK-së e LDK-së e që kjo mund të kuptohet si qeverisje e qëndrueshme, Imer Mushkolaj konsideron se ky koalicion megjithatë është i brishtë. Sipas tij, kushdo që do të zgjidhet kryeministër nga radhët e LDK-së, do ta ketë të vështirë t’i menaxhojë ministrat që vijnë nga radhët e PDK-së. Mushkolaj në një intervistë për gazetën Tribuna ka thënë që ky koalicion vështirë se do t’i përmbushë pritjet e qytetareve. E për zvarritjen që po ndodhin në moskrijimin e institucioneve të reja ai mendon se shkaktar është mosdefinimi i qartë i detajeve të marrëveshjes mes Thaçit e Mustafës. Ai ka bindjen se Thaçi në të ardhmen do të jetë president i vendit. Ndërsa prishjen e Bllokut LVAN, Mushkolaj e sheh si gabim të liderëve partiakë që ishin pjesë e kësaj marrëveshjeje, pasi, sipas tij, ata që nga fillimi kishin gabuar kur i kanë ndarë postet.

Tribuna: Si e vlerësoni koalicionin mes PDK-së e LDK-së, a është ky koalicioni i duhur?
Mushkolaj: Koalicioni PDK-LDK do të jetë një koalicion i cili vështirë se do t’i përmbushë pritjet e qytetarëve. Pavarësisht se posti i kryeministrit mund t’i takojë LDK-së, bartëse e koalicionit është PDK, një parti e cila gjatë viteve që ka qenë në pushtet është shquar për keqqeverisje e papërgjegjshmëri. Me vendimin për t’u bërë bashkë me PDK-në në qeveri, Isa Mustafa ka pranuar të bashkëqeverisë me ata që i ka kritikuar e akuzuar vite me radhë, me ata që kanë qenë pjesë e strukturës së SHIK-ut, me ata që kanë “shtrirë rrjetin” në të gjitha institucionet e vendit. Ata që presin rezultate të dukshme nga bashkëqeverisja PDK-LDK do të zhgënjehen, sepse shkollat qeverisëse të të dyja këtyre partive qytetarët tashmë i njohin dhe i kanë provuar.

Tribuna: Duke njohur dallimet e mëdha mes këtyre partive, sa do të jetë funksional ky koalicion?
Mushkolaj: Nëse i shohim numrat në Kuvend, koalicioni mund të konsiderohet stabil. Por, ky është një stabilitet i brishtë, duke pasur jo vetëm dallimet e mëdha ndërmjet dy partive, por edhe të kaluarën e tyre në bashkëqeverisje. Kushdo që të zgjidhet kryeministër nga LDK-ja e ka të pamundur që të menaxhojë ministrat e zëvendësministrat e PDK-së. Kjo bën që në kabinetin qeveritar të ketë më shumë se një adresë të dhënies së përgjegjësisë, respektivisht ofron mundësinë e krijimit të feudeve të vogla, që qeverisin sipas interesave individuale e grupore. Duke pasur parasysh edhe përvojën e bashkëqeverisjes së këtyre dy partive në të kaluarën, atëherë është pak e besueshme se koalicioni do të mund ta çojë mandatin deri në fund. Thënë figurativisht, PDK do ta ketë rolin e maces, ndërkaq LDK atë të miut në koalicion. Vetë koalicioni do të jetë një lojë ndërmjet maces e miut.

Tribuna: Ka më shumë se 10 ditë që është arritur marrëveshja për bashkëqeverisje, ndërkohë Kuvendi nuk është konsistuar akoma. Pse nuk ka ndodhur një gjë e tillë?
Mushkolaj: PDK dhe LDK do të duhej t’i kishin të qarta detajet e marrëveshjes qysh në ditën që e nënshkruan atë. Por, duket se jo gjithçka ka shkuar si duhet. Qytetarët ende nuk e dinë nëse Isa Mustafa do të jetë kryeministër, apo Hashim Thaçi mund ta marrë edhe një mandat qeverisës. Në fakt, as Mustafa vetë duket se ende nuk e di nëse do të jetë në krye të qeverisë. Me vendimin për t’iu bashkuar Thaçit ai është futur në një rrugë pa krye, duke vënë në lojë fatin e vet politik dhe fatin e partisë që drejton.

Po ashtu, ende nuk dihet se cili do të jetë fati politik i Thaçit, nëse ai nuk merr postin e kryeministrit ose të kryetarit të Kuvendit. Është përfolur mundësia që ai të marrë postin e presidentit pas dy vjetësh, por është e paimagjinueshme që ai, thjeshtë, të presë deri atëherë pa pasur funksion publik. Besoj se Thaçi e Mustafa, përveç komponimit të qeverisë së re, janë duke i biseduar edhe opsionet e akomodimit të Thaçit. Unë pres që ai ta marrë postin e presidentit në një të ardhme të afërt, pa e pritur përfundimin e mandatit të Atifete Jahjagës. Se si do të arrihet kjo, formulën e kanë Thaçi e Mustafa.

Arsye tjetër pse po zvarritet krijimi i institucioneve të reja është edhe ndarja e “kulaçit” qeveritar ndërmjet partnerëve të koalicionit, si dhe akomodimi i sa më shumë interesave. Ata që presin zvogëlim të numrit të ministrive mendoj se do të zhgënjehen. Unë madje pres shtim të numrit të tyre, duke pasur parasysh se koalicionin e përbëjnë dy partitë më të mëdha dhe, rrjedhimisht, apetitet për pushtet të individëve e grupeve brenda tyre janë të mëdha.

Tribuna: Cilat do të duhej të ishin prioritetet kryesore të qeverisë së re?
Mushkolaj: Qeveria e re do të gjendet në një “sandviç” situatë. Në njërën anë duhet t’i kënaqë pritjet e bashkësisë ndërkombëtare – që prej themelimit të Gjykatës Speciale, deri te vazhdimi i dialogut me Serbinë. Kurse, në anën tjetër duhet t’i kënaqë pritjet e qytetarëve, të cilëve u është premtuar hapja e vendeve të punës dhe zhvillim ekonomik. Prioritet kryesor do të duhej të ishte zhvillimi ekonomik por, po ashtu, prioritete duhet të jenë edhe shëndetësia e arsimi.

Tribuna: Pse marrëveshja e Bllokut nuk arriti të jetësohet?

Mushkolaj: Partitë e Bllokut nuk ia dolën të qëndrojnë bashkë deri në fund, sepse interesat personale të liderëve dolën përmbi interesin madhor që ata ia kishin vënë vetes synim – moslejimin e krijimit të Qeverisë Thaçi 3. Partitë e Bllokut bënë gabim qysh në hapat e parë, duke ndarë postet, gjë që atyre iu hakmor më vonë. Qytetarët nisën të shpresojnë se mbase do të kishin një qeverisje ndryshe, edhe pse kjo ishte e vështirë të realizohej, ngase parti dhe anëtarë të tyre që përbënin Bllokun kishin qenë edhe më herët në pushtet dhe gjithashtu ishin shquar për keqqeverisje e papërgjegjshmëri. Mu kjo shpresë e krijuar bëri që reagimet për vendimin e Mustafës që t’i bashkohet Thaçit të ishin të ashpra, në radhë të parë nga vetë simpatizantët e LDK-së, të cilët e kishin votuar Mustafën për kryeministër, por jo në qeveri me Thaçin.

Thaçi e Mustafa nuk bënë koalicion të zorit, por të qejfit. I zorshëm mbetet realizimi i premtimeve të dhëna gjatë fushatës parazgjedhore. E zorshme mbetet edhe mbijetesa politike e Mustafës dhe PDK-së pas vendimit për t’iu hedhur Thaçit në krahë.

Më Shumë

PSG nuk i ka paguar Mbappe-s rrogën e prillit dhe bonusin e shkurtit

Largimi i Kylian Mbappe nga PSG duket se ka hapur një faqe të re të kësaj sage pasi sipas mediave franceze klubi ka detyrime...

Besa Famgas – Rahoveci, pritet një ndeshje dramatike në hendboll

Besa Famgas e Rahoveci përballen të mërkurën mbrëma në ndeshjen e dytë finale të plejofit në Superligën e Kosovës në hendboll. Ndeshja zhvillohet nga ora...

Lajmet e Fundit