16.8 C
Prizren
E premte, 29 Mars, 2024

Mustafa: PDK-ja, ta pyes veten se pse i bëri vetëm 37 deputetë

Isa Mustafa LDKKreu i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, tashmë edhe kryetar i Kuvendit të Kosovës, ka thënë se beson në paanshmërinë dhe profesionalizmin e Gjykatës Kushtetuese për lëndën e parashtruar nga PDK-ja.

Lexojeni postimin e plotë në Facebook:

Miq të nderuar,

Kosovës i nevojitet që sa më shpejt të themelohet Qeveria e dalë nga këto zgjedhje. Kancelarja Merkel dje kishte deklaruar se kjo duhet të ndodhë urgjentisht.

Partia Demokratike e Kosovës e uzurpoi me veprimet e saj dhe përmes deputetes Flora Brovina konstituimin e Kuvendit të Republikës së Kosovës më 17 qershor, prandaj e drejta e 83 deputetëve të cilët vazhduan mbledhjen për t’i zgjedhur organet e Kuvendit ishte pasojë e këtij uzurpimi të paparë deri më tani në jetën parlamentare të Kosovës.

Unë mora 65 vota për Kryetar të Kuvendit nga 83 deputetë sa ishin në sallë. Falënderoj edhe deputetët e Lëvizjen Vetëvendosje për qëndrimin e tyre konstruktiv dhe shtetëformues. Ndërkaq, votën e tyre e respektoj si votë të vullnetit politik.

Kam besim të plotë se Gjykata Kushtetuese do ta trajtoj në mënyrë të paanshme dhe profesionale lëndën e parashtruar nga PDK. Por jam shumë i bindur se PDK do të duhej ti adresohej vetvetes, dhe t’ia shtroj pyetjen: pse nuk i pati me veti 83 deputetë për ta përkrahur, por mbeti vet me 37 deputetë. Këtë përgjigje nuk mund ta merr nga Gjykata Kushtetuese, sepse kjo është përgjigje politike.

Grupi Parlamentar LDK AAK Nisma e ndjen veten të fuqishëm me përkrahjen e 83 deputetëve dhe me votën që e mori në seancën Konstituive të Kuvendit. Unë kam përgjegjësi ndaj votës së deputetëve që përfaqësojnë vullnetin e sovranit dhe do të punojë për mbarëvajtjen e punës së Kuvendit të Republikës së Kosovës.

Jam I bindur se çdo ndërhyrje politike dhe çdo jo konsekuencë në këtë proces, vetëm sa do ta prolongoj konstituimin e Qeverisë dhe punën normale të Kuvendit, por se rezultat do të jetë mobilizimi edhe më i madh dhe partneriteti i të gjitha forcave që nuk pajtohen me këtë sjellje dhe qeverisje të PDK-së, përkatësisht i LDK-së, VV, AAK-së, Nismës dhe deputetëve që përfaqësojnë popullatën jo shumicë.

Më Shumë

Lajmet e Fundit