Mendohet se ekziston një fill a gen narcisizmi që i bën politikanët të ndjehen të pamposhtshëm, të Ylli Pango I RI bzpaprekshëm, të padiktueshëm, dhe të dëshiruar për të ndërmarrë risqe. Rikujtojmë disa tipare të personalitetit narcistik aq të njohura në psikologjinë e çrregullimeve të personalitetit. Të tilla janë ndjenja e madhështisë, e vetërëndesës, prirja pas suksesit, famës, shkëlqimit, bukurisë; dëshira për të pasur admirimin e të tjerëve, bindja se meriton privilegje nga të tjerët dhe pritshmëritë e larta për këtë; fakti i të qenit shfrytëzues në marrëdhëniet me të tjerët; mungesa e dukshme e empatisë (mungesë ndjeshmërie a paaftësi përjetimi qoftë edhe minimal të vuajtjes a hallit të tjetrit) dhe në rastet ekstremale edhe arroganca, prepotenca a zilia për suksesin e të tjerëve.
Politikanët, ndonëse të ndryshëm përsa i takon nivelit të inteligjencës, e sidomos tek ne ku hasen mes tyre edhe nivelet më të ulëta kulturore e intelektuale, sërish bashkohen në këtë tipar. Madje kur niveli është inferior, ata kanë më shumë dëshirën, se aftësinë, të promovojnë veten pa pushim, të kërkojnë respektin e admirimin e të tjerëve, të jenë epiqendra e vëmendjes të të tjerëve. Ambicia e narcisizmi nga ana tjetër, pothuaj për të gjithë liderët politikë, janë gjithashtu më shumë veçori tipike a që hasen rëndom, sesa shfaqje rastësore.
Pabesia, mosmbajtja e fjalës së dhënë, mungesa e besnikërisë konsiderohen gjithashtu, nënprodukte të narcisizmit. Nëse i thërritet sadopak kujtesës, e shihen a vërehen shembujt e pafund të tradhëtive bashkëshortore, partiake (ndërrim partish, lënie partie e sharje e atij grupimi politik ku kanë milituar prej vitesh), të shoku shokut, etj., të politikanëve këtu e në botë, bindesh se sa tipar i përhapur a i zakonshëm është tradhtia mes tyre. Madje pikërisht edhe etiketimi i politikës si ‘kurvë’, natyrisht i dedikohet politikanëve që e mishërojnë atë, dhe jo vetë asaj si nocion abstrakt. Cili është argumenti që përdoret për t’i justifikuar këto elemente të narcisizmit tek politikani?
Natyrisht sipas vetë politikanëve apo analistëve në mbrojtje të tyre, janë pragmatizmi, interesi partiak, nevoja për të mbajtur në këmbë militantët e partisë kur nuk ke me se t’i darovisësh ata etj., që justifikojnë çdo lloj lëvizjeje politike, tradhtie etj. Në të vërtetë, në thelb qëndron narcisizmi, egotizmi, vlerësimi mbi këdo i vetes dhe interesave egoiste, shfrytëzimi i çdo mjeti e i të tjerëve, madje dhe i partive të tjera, për arritjen e qëllimeve personale e grupore. Le të shohim rastin e tradhtisë bashkëshortore, mjaft i përhapur mes politikanësh. Kujtoni në kontrast të fortë ato çka sheh publiku, sidomos në fushatat elektorale, në takimet e gjera masive, në paraqitjen përpara publikut të politikanit së bashku me familjen ideale, bashkëshorten ideale, rrezatimi i tij e i pjesëtarëve të familjes në mes të lumturisë familjare, buzëqeshjet e tundjet e kokave, miratuese, vështrimet admiruese të inskenuara, përqafimet publike e puthjet. Përse e gjitha kjo hidhet poshtë kaq lehtë e kalohet në tradhti bashkëshortore (nëse nuk ka filluar të hidhet poshtë vite më parë, përpara kandidimit), ndërkohë që publikut i serviret modeli i lumturisë bashkëshortore, besnikërisë së përkorë, shenjtërisë së familjes ideale. Pikërisht sepse politikani narcisist, përpara kënaqësive të vetes, egotizmit të vet, shfrytëzimit të të tjerëve e sidomos mungesës së empatisë për tjetrin (në rastin konkret për bashkëshorten), realizon atë drejt së cilës e shtyn narcisizmi i tij.
Mungesa e besnikërisë (pabesia). Me përkufizim, narcisizmi është një vetëdashuri eksesive, dashuri ekskluzive për veten dhe origjina e fjalës vjen nga mitologjia greke e miti i famshëm i Narcisit, djaloshit të bukur që pa veten të pasqyruar në pellg e u vetëvra nga dashuria për veten e pamundësia e realizimit të saj. Sot termi ka marrë edhe kuptime të tjera më të gjera si egotizëm, egoizëm, arrogancë. Thuhet se deri 1% e njerëzve janë narcisistë, por ka mes njerëzve edhe të tillë që shfaqin tipare të narcisizmit pa u diagnostikuar si të tillë. Por gjithsesi në testimet, liderët e politikanët shfaqin rezultate më të larta lidhur me këtë tipar të çrregulluar të personaliteti. Ndërkohë nuk duhet lënë pa vënë në dukje se jo të gjithë tiparet që lidhen me narcisizmin janë negative. Vetëbesimi i narcisistit shpie jo rrallë edhe në ndërmarrjen e rreziqeve të mëdha pra edhe realizimin e veprave e betejave të mëdha, pikërisht për të qenë sërish qendër e vëmendjes, egotik e egocentrist siç është narcisisti. Narcisisti ka natyrisht edhe tiparin e kërkesës së lartë për perfekten e të bukurën, për të arritur majat me ato që bën ai e grupi që ai drejton. Narcisisti dallohet edhe për sqimë, shije por edhe për aftësi për t’i shtyrë njerëzit në aksione të mëdha drejt lavdive a arritjeve të mëdha e përgjithësisht pa këtë tipar, pa dashurinë e madhe për veten, pa vetëvlerësimin e lartë, nuk mund të ekzistojë edhe besimi i madh i arritjeve të mëdha, i sukseseve të ardhshme e së bashku me këto dhe i nxitjeve të njerëzve për t’i arritur ato. Sidomos tek njëshat, pra tek liderët, ky tipar është gati-gati në një masë ose në një tjetër, pjesë e personalitetit, dhe kur nuk kalon deri në patologji, shpesh sjell edhe motivime e shtysa të fuqishme për liderin e ata që e rrethojnë atë. Napoleoni i madh ishte një delir i gjallë madhështie e me këtë sugjestiononte me qindra-mijëra njerëz të luftonin për të e të vriteshin, në betejat e mëdha të lavdisë napoleoniane e asaj franceze së bashku me të.
Por, duhet patur parasysh se ndonëse liderët janë përgjithësisht a tentojnë të jenë narcistikë, nuk është e thënë të jesh narcisist, për të qenë lider. Liderët jonarcistikë, por me disa ngjyrime të lehta të këtij tipari, si vetëbesimi, egoja e fuqishme, njohja realiste e fuqive e aftësive të vetes, janë përgjithësisht më të suksesshmit.
Narcisistët siç thamë më sipër, tentojnë të luajnë më shumë lojëra në raportet e tyre personale, partiake, familjare dhe janë më shumë të prirur për mungesë besnikërie. Kjo i bën ata të jenë shumë të mirë e tërheqës për shumicën e njerëzve, sidomos në fillimet e njohjeve e raporteve, kur duan të tërheqin vëmendjen e të tjerëve, dashurinë e tyre. Ata i shohin e i shprehin mundësitë e lidhjeve e perspektivën e tyre shumë gjerë, me shumë dritë dhe e reflektojnë e e injektojnë këtë më forcë tek të tjerët. Por pastaj sapo e arrijnë atë që duan, pushtetin, lavdinë, suksesin, femrën, tërheqjen e të tjerëve, miqësinë, lidhjen me të afërm apo të largët, sapo e kanë raportin të siguruar, nuk shqetësohen më për të, e konsiderojnë tashmë të akaparuar tjetrin a tjetrën dhe fillojnë e shohin a synojnë për raporte të tjera më të mira, a së paku të ndryshme. Një ndër liderët tanë aktualë, është tipik për këtë. Sa e sa raporte ka fituar e flakur në jetën e tij politike, afektive e ekzekutive ky njeri, dhe sërish njerëzit votuan për të ndonëse shumë nga këto i dinin. Përse? Shihni temën më sipër mbi dëshirën e njerëzve për t’u gënjyer dhe do të merrni një pjesë të mirë të përgjigjes.
Njerëzit që janë karizmatikë e të këndshëm dhe zgjidhen nga të tjerët të drejtojnë, të përfaqësojnë, liderë apo deputetë, apo ata që kanë sukses në politikë, ka më shumë të ngjarë të jenë dhe jobesnikë, edhe sepse ata mendojnë se janë më të zotë se të tjerët, më të aftë, më të domosdoshëm, më të bukur, dhe me këtë justifikohen për çdo gjë që u jepet, që bëjnë, apo që shfrytëzojnë. Narcisizmi mund t’i bëjë politikanët liderë por edhe mashtrues. Nganjëherë edhe sepse pretendimet e njerëzve mbi atë çka mund t’u japin ata, janë të ekzagjeruara, të paarritshme. Një lider perëndimor, vinte në dukje se nganjëherë e tmerronte idolatria frenetike e njerëzve për të, duke ndjerë kështu përgjegjësinë e atyre pritmënive të tyre që nuk mund t’i realizonte.
…Shumica e njerëzve kanë frena në sjelljet e veta. Narcisistët, jo. Ata ndjekin më shumë veten, pothuaj vetëm veten, dhe pothuaj asnjëherë as të tjerët e as edhe ndonjë këshillë sado modeste të tyre. Kësisoj ata përfundojnë duke i fyer qoftë edhe pa dashur apo pa vetëdije, njerëzit që kanë përreth, miqtë, familjarët, bashkëpunëtorët. Kjo sjell largimin gradual dhe prishjen me ta, dhe së bashku me këtë edhe rënien e narcisistit, perëndimin e yllit të tij, e ashtu si në mitin e lashtë së fundmi, mbytjen në ujët e pellgut, në shkëlqimin e rremë të të cilit kanë parë e admiruar vazhdimisht veten, por jo fillimin e rrënimit e as avitjen drejt fundit të saj.