13.8 C
Prizren
E enjte, 28 Mars, 2024

Në Parkun e Inovacionit në Prizren janë sistemuar mbi 500 persona, nuk zë më

Nga Komuna e Prizrenit, përmes një kumtese për media, njoftojnë për angazhimin që po bëhet nga ekipet përkatëse, për strehimin dhe kujdesin e personave të prekur nga tërmeti në Parkun e Inovacionit dhe Trajnimeve, për të analizuar gjendjen dhe shikuar hapat e mëtutjeshme që duhet t’i bëjmë për të menaxhuar këtë gjendje të jashtëzakonshme. Raportohet se janë sistemuar mbi 500 persona dhe tash nuk zë më shumë.

“Fluksi i të ardhurve nga Shqipëria mbrëmë ka qenë shumë i madh, me ç’rast Parku i ka përmbushur të gjitha kapacitetet që ka në dispozicion, duke i sistemuar mbi 500 persona. Me këtë rast kërkoj nga të gjithë të kenë parasysh këtë dhe mos të drejtohen tek Parku pa paralajmërim, pasi që nuk ka më kapacitet të pranohen më shumë persona”, ka thënë kryetari i komunës së Prizrenit, Mytaher Haskuka, duke shtuar se “të gjithë të ardhurit në Park janë regjistruar, ndërsa tani e tutje do të bëjmë edhe një regjistër më të detajuar për të mësuar nevojat e tyre në aspekt shëndetësor, social dhe arsimor”.

Nga Shërbimi Pedagogjik-Psikologjik që është në kuadër të Komunës, nga sot do të angazhohet një ekip i specializuar për t’u kujdesur edhe për gjendjen psikologjike të tyre, derisa ekipet e kujdesit shëndetësor primar kanë qenë të angazhuar që nga fillimi dhe kanë kryer një punë të shkëlqyer deri më tani.

“Dje dhe sot ushqimi është siguruar nëpërmjet donacioneve që kanë ardhur nga bizneset lokale, mirëpo kjo nuk mund të vazhdojë kështu edhe më tej dhe për këtë arsye po shikojmë mundësinë që urgjentisht të krijojmë një kuzhinë mobile dhe të sigurojmë ushqimin në bashkëpunim me shoqatat bamirëse”, thuhet në njoftim.

“Përveç sistemimit të personave në Parkun e Inovacionit dhe Trajnimeve, jemi të vetëdijshëm që edhe shumë familje i kanë hapur shtëpitë e tyre vullnetarisht për t’i pranuar personat e prekur nga tërmeti. Për këtë, lus të gjithë ata që i kanë pranuar miqtë tanë nga Shqipëria apo kanë vende të lira dhe mund të pranojnë persona të tjerë, le të lajmërohen në Qendrën e Thirrjeve “Alo Komuna” tek numrat 0800 19 200 dhe në Viber +383 45 119 200, në mënyrë që të bëjmë identifikimin e tyre dhe të kemi një databazë për të pasur më lehtë menaxhimin e kësaj situate. Kjo do të na mundësonte që të gjejmë zgjidhje më lehtë ndaj atyre personave që vijnë e nuk kanë ku të strehohen dhe njëkohësisht të ofrojmë shërbime shëndetësore dhe arsimore ndaj tyre”, thuhet tutje në njoftim.

Komuna thotë se “Deri më tani i gjithë menaxhimi i kësaj situate është kryer me anë të vullnetarëve dhe forcave tona që i kemi ne si Komunë e Prizrenit, ndërkaq për ta përballuar këtë situatë edhe në ditët në vijim, presim që të kemi mbështetje nga institucionet e nivelit qendror”.

“Falënderoj pa masë të gjithë ata që po angazhohen dhe po kontribuojnë në çfarëdo mënyre për t’i ndihmuar vëllezërit e motrat tona nga Shqipëria”, tha Haskuka.

Më Shumë

Ish-zëvendësministri për vrasjet në Kosovë: Duhet të angazhohet edhe AKI-ja, kjo është shndërruar në problem kombëtar

Ish-zëvendësministri i Punëve të Brendshme, Valdet Hoxha, ka folur mbi ngjarjet e fundit në vend, ku është rritur numri i vrasjeve. Ai tha se pjesën...

Viniciusi i përlotur: Gjithnjë e më pak po e ndjej futbollin

Anësori brazilian, Vinicius Jr, ka thënë se çdo herë e më pak po e ndjen lojën e futbollit për shkak të sulmeve raciste që...

Lajmet e Fundit