Për të mos humbur gjurmët e luftës së fundit të Kosovës, ato po ruhen në forma të ndryshme, në mënyrë që brezave të ardhshëm t`u kujtohet lufta për liri dhe rezistenca që bëri Ushtria Çlirimtare e Kosovës për liri e pavarësi. Në Suharekë janë ngritur tri kulla me artefakte të luftës, ndërsa fshati Samadrexhë është pasuruar edhe me një të tillë
Betejat e luftës kanë përfunduar 24 vjet më parë, por gjurmët e saj janë kudo ku popullata e Kosovës rezistoi.
Në kujtim të kësaj rezistence, në Samadrexhë të Suharekës u ngrit një kullë në vendin e quajtur “Lugina e Shnicave”, që përmbledh kujtime të heroizmit të suharekasve që nga viti 1912.
“Shpërndamë 100 plisa për tri simbolika : është 100 vjetori i këtij manifestimi ku 100 vullnetarë janë pjesëmarrës në luftën e Kulluqinit dhe 100 vetë të rekrutuar apo të marrë me zor për Tivar në tubimin ku është vrarë edhe Voci”, tha Qazim Voci, organizator.
Kurse Naim Bylykbashi nga OVL, tha se kjo sakrificë më së shumti u dëshmua edhe në luftën e fundit të UÇK-së ku në si fshat këtij vendi i dhamë 15 dëshmorë e 26 martirë.
Kosova pati mjaft vende të shenjta gjatë gjithë historisë për lirinë e vendit, thotë gjenerali i luftës së UÇK-së, Kudusi Lame.
“Nuk ka gjë më të mirë se të kuptojmë se trashëgimia historike , është vlera e parë , baza e madhështisë së të sotmes dhe asaj që presim në të ardhmen”, tha Kudusi Lame, ish gjeneral i UÇK-së, raporton RTKlive.
Kullat do të jenë këtu dhe do të shërbejnë si pelegrinazh i vizitorëve që do të njihen me përpjekjet tona shekullore për lirinë e vendit , thotë Bali Muharremaj , kryetar i Suharekës.
“Kemi kullën e dëshmorëve në Bllacë , kemi edhe shtëpinë muze të Fadil Vatës , dëshmorë në Sallagrazhdë . Kështu që e fillojmë këtë vit më një gurthemel të ri nga viset malore nga pjesa e Budakovës dhe Krushicës edhe ajo i dedikohet dëshmorëve”, tha Bali Muharremaj kryetar i Suharekës
Prizreni , Rahoveci Suhareka e Malisheva po tentojnë që me investime në vende të rëndësishme të historisë së vendit, ta rrisin turizmin historik e të joshin vizitorë jo vetëm nga Kosova, por edhe ngam vendet e tjera të rajonit dhe më gjerë./RTK