13.8 C
Prizren
E diel, 12 Maj, 2024

Në Shqipëri vetëvriten më tepër meshkujt

LitariOrganizata Botërore e Shëndetësisë, e cila ka publikuar një raport të detajuar botëror rreth vetëvrasjeve, raporton se në vendin tonë vetëvriten më tepër meshkujt sesa femrat.

Raporti i OBSH-së i referohet vitit 2012, ku rezulton se në vendin tonë u vetëvranë 205 persona, nga të cilët 112 ishin meshkuj dhe 93 femra. Numri më i lartë i viktimave është në grupmoshat mbi 70 vjeç, të cilët zënë dhe 19.3 për qind të numrit total të vetëvrasjeve.

Sipas raportit të OBSH-së, numri i përgjithshëm i vetëvrasjeve ka pësuar një rënie me 15.3 për qind, në krahasim me vitin 2000, por ajo që vihet re është fenomeni i rritjes së rasteve te grupmoshat 15-20 vjeç dhe mbi 50 vjeç. Pas personave mbi 70 vjeç, numri më i lartë i vetëvrasjeve rezulton të jetë te moshat 50-69 vjeç, ndërsa pas tyre vijnë 30 dhe 49-vjeçarët. Numri më i ulët i vetëvrasjeve shihet te moshat 5-14 vjeç, me 0.8 për qind të totalit. Por, në nivel global situata është mjaft kritike, pasi sipas raportit të prezantuar në Gjenevë, çdo 40 sekonda i jep fund jetës një person.

“Më shumë se 800 mijë persona i japin fund jetës çdo vit dhe përpjekjet për vetëvrasje janë rritur 20 herë më shumë”, thuhet në raport.

OBSH-ja ka mbledhur të dhënat e 10 viteve mbi vetëvrasjet, duke përfshirë të gjitha vendet e botës, ndërsa i kushton një kapitull të veçantë rritjes së ndërgjegjësimit mbi sfidat që përfaqëson ky fenomen për shëndetin publik. Kjo organizatë kërkon nga qeveritë e vendeve anëtare që ta bëjnë prioritet luftën ndaj këtij fenomeni, i cili po merr përmasa gjithnjë e më shqetësuese edhe për shkak të gjendjes ekonomike dhe mostrajtimit të sëmundjeve të shëndetit mendor.

Më Shumë

Ballkani mban kreun

Pa shumë telashe dhe shpejt, Ballkani ka shënuar dy gola sot në portën e Dukagjinit, për të shkuar rehat në fitore komode me tre...

Mbahen homazhe në 27-vjetorin e rënies së Luan Haradinajt

Në 27-vjetorin e rënies së heroit të kombit, Luan Haradinaj, janë mbajtur homazhe në kompleksin memorial në Gllogjan. Aty morën pjesë kryetari i AAK-së, Ramush...

Lajmet e Fundit