7.8 C
Prizren
E premte, 19 Prill, 2024

Ne, turistët e qebapave

Imer MushkolajShkruan: Imer Mushkolaj

Çfarë do të ishte Shqipëria pa turistët nga Kosova? Përgjigjen në këtë pyetje është mirë ta mendojnë të gjithë ata që i shohin me përçmim e me sy jo të mirë kosovarët që harxhojnë para për pushime atje. Pak më shumë respekt nuk do të bënte keq.

Më ankohej një kolege imja nga Shqipëria se vjet pushimet në Dhërmi i kishin shkuar huq. Jo pse moti ishte me shi e as pse shoqëria s’ishte e mirë. Fajtor që ajo nuk i kishte shijuar pushimet siç duhet ishte një kosovar.

“Burri i botës, kishte ardhur e hapur qebaptore aty dhe unë nuk mund ta duroja erën e qebapëve e suxhukut që piqej”, më tha e pezmatuar ajo, për të vazhduar me një varg ankesash të tjera – që nga ajo se Dhërmia nuk ishte vend për qebaptore kosovarësh dhe se një gjë e tillë do ta ulte “nivelin” e “pushimeve ekskluzive” që bëhen aty. Thjesht e mendonte dhe sa nuk e thonte që kosovarët nuk janë të denjë për Dhërmi.

Po të dilte nga goja e një njeriu të zakonshëm një konstatim i tillë, mbase edhe mund të mos i zihej për të madhe. Por, për mua ishte dëshpëruese që kjo gjë thuhej nga një gazetare që pretendonte se ndikonte në opinionin publik në Shqipëri. Nuk ma kishte marrë mendja se do të gjendej dikush, si kolegia ime, që mendon se kosovarët nuk bën të shkojnë në Dhërmi sepse, po sipas saj, nuk është se janë kushedi çfarë turistësh, që shpenzojnë kushedi sa. Logjika e saj diskriminuese sikur dëftonte se kosovarët duhet mbyllur në ndonjë tip rezervati afër deti, aty kah Durrësi diku ose edhe më lart, kah Velipoja a Shëngjini – aty ku mund të kënaqen me “nivelin” e tyre të të bërit pushime dhe qejf.

Po më fliste ajo sikur Shqipëria po lulëzonte nga turizmi, sikur bregdeti i saj po vërshohej nga njerëz nga anembanë bota dhe kosovarët qenkan ata që po prishkan punë. Qenkan ata që po e ndotkan mjedisin turistik atje. Po më fliste sikur kosovarëve po u ofruakan pushime gratis atje, e jo kundrejt shumë miliona eurove që i ndihmojnë sadopak një vendi të varfër.

Unë, thjesht, nuk besoj se qytetarët e Shqipërisë kanë këtë mendim për kosovarët. Në radhë të parë për shkak se është tërësisht iracional dhe fyes ndaj kujtdoqoftë dhe së dyti për shkak se kosovarët përbëjnë shifrën më të madhe të turistëve në Shqipëri – 700-800 mijë çdo vit. Vlerësohet se ata shpenzojnë në bregdetin shqiptar, po brenda vitit, deri në 200 milionë euro.

* * *

Unë i kam kaluar pushimet verore në jugun e Shqipërisë vite me radhë. Madje në ato vite kur jugu ende nuk ishte “zbuluar” nga kosovarë të tjerë ne, një grup shokësh, shkonim çdo vit atje. Përtej mungesave të shumta dhe nivelit të shërbimit që linte për të dëshiruar, ne vazhdonim të mos i ndaheshim jugut. Vazhdonim t’i shihnim vetëm anët e mira të të qenit pushues në Shqipëri – deri atëherë kur vendosëm të mendonim më racionalisht dhe të pyesim veten nëse ia vlente të shpenzonim para për të cilat nuk merrnim shërbimin e duhur. Deri atëherë kur vendosëm të mos vuanim peshën e njëfarë patriotizmi që na mbyllte sytë karshi realitetit që na shfaqej çdo verë.

Vite më radhë pas nesh, të tjerë, qindra-mijëra kosovare mësyejnë bregdetin shqiptar çdo verë. Shumica në gjendje jo fort të mirë ekonomike, vazhdojnë të gjejnë mundësi për t’i kaluar disa ditë në Shqipëri. Dhe, natyrisht, mundësitë e tyre financiare nuk iu lejojnë pushime luksi, por të atilla që të shijojnë rërën dhe ujin e detit, duke e kombinuar me ushqime të përgatitura vetë e ndonjëherë edhe duke shijuar qebapat e atij kosovarit në Dhërmi, që ia ka prishur pushimet koleges sime.

Këto janë mundësitë financiare të shumicës së kosovarëve dhe ata e zgjedhin Shqipërinë për të pushuar. Para se të kritikohen e të shihen me sy jo të mirë, besoj se të paktën duhet të vlerësohen për vendimin e tyre që ta vizitojnë Shipërinë në mënyrë masive. Pavarësisht se jo rrallë ballafaqohen me situata jo fort të këndshme, madje deri në përçmim nga tipa si kolegia ime që ia prishën pushimet në Dhërmi.

* * *

Shqipëria është larg të qenit destinacion i pëlqyer për turistë të huaj e me xhepa të thellë, siç janë vendet bregdetare të rajonit. Madje, për më shumë se njëzet vjet me radhë pas rënies së komunizimit nuk ia ka dalë të kthehet në një destinacion tërheqës për turistë nga mbarë bota. Jo pse mungojnëe plazhet e bukura, por sepse mungon shërbimi i duhur, mungojnë detajet që e bëjnë turizmin turizëm. Nuk është krijuar traditë turizmi.

Kosovarët nuk është se kërkojnë shumë nga Shqipëria. Ata edhe sivjet do të vërshojnë bregdetin shqiptar, nga veriu në jug. Të varfër e më pak të varfër do të gjejnë mundësinë për t’u rrezitur disa ditë në brigjet e Adriatikut e Jonit. Me siguri do t’i shijojnë edhe qebapat e bashkëvendësit të tyre në Dhërmi a gjetiu. Shpresoj të mos ia prishin pushimet koleges sime, nëse sërish ka vendosur të shkojë atje. Por, përpara se t’i shohë me sy të keq qebapat e kosovarëve, ajo është mirë të mendojë vetëm për një çast se si do të ishte vendi i saj pa kosovarët turistë, kështu si janë – të varfër e më pak të varfër, me qebapa e suxhukë? Pak më shumë respekt nuk do të bënte keq.

Më Shumë

Nesër ditë zie në Kosovë

Nesër do të mbahet ditë zie në Kosovë. Kështu ka bërë të ditur Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani. “Nesër do të jetë ditë zie shtetërore në...

Moti sot: Me vranësira të shpeshta dhe intervale të shkurta me diell

Moti sot parashihet të jetë me vranësira të shpeshta dhe intervale të shkurta me diell. Pritet që lokalisht të ketë ndonjë reshje të izoluar shiu,...

Lajmet e Fundit