Mo(ns)trat
Shkolla ime e jetës – emigrimi në Kanada
Ishin dy motra nga Burreli. I njoha në Kanada, siç kujtoja unë rastësisht, kur ika nga Shqipëria e kërcënuar për jetën gjoja nga “UDB”, siç më thoshin programatorët e syrgjynosjes sime. Protagoniste e atij momenti ishte gruaja shkodrane e një ish-komunisti e ish-sigurims shqiptaro-kanadez për diasporën (që e njihja dhe e vlerësoja që në vitin 1982).
Emrat e tyre gjenden te libri “Pushtimi i brendshëm”. Ky çift ishte pagëzuar me leje të posaçme të suksesorit të Zeusit në vitin 1988, gjë shumë e rrallë për kohën e komunizmit. Kjo grua interesohet gjoja si enveriste, për të më “shpëtuar” mua duke theksuar shprehimisht që UDB-ja synonte vetëm mua si mbrojtëse e vërtetë e Zeusit dhe aspak gruan dhe fëmijët e tij. Madje, me fabulën që tre persona shqiptarë ishin ngarkuar të më vrasin brenda apo jashtë Shqipërisë: njëra me pseudonimin “Fshatarja” nga Vraka, – shoqja ime më e afërt D.J., tjetri “Malësori” P.C. nga Amerika me origjinë malazeze që na ftoi në Nju York për dasmën e vajzës, e cila çuditërisht u anulua menjëherë sapo morën vesh që mua nuk mund të më jepej viza. Pastaj, “Sarandjoti” S.Z., që jetonte në Greqi.
Ishim të ftuar në shtëpinë e tij si miku e mjeku ynë atje kur plasën ngjarjet e vitit ‘97, për çka befas na la pa fjalë, përveçse të fyer, se ishte nisur urgjentisht gjatë natës për në Tiranë për të ndjekur ngjarjet nga afër e kësisoj na la në baltë. Për të tre, pa iu ditur pseudonimet “zyrtare” kisha shprehur dyshime nga veprimet e tyre si dhe për atentatin që pësuam në Bullgari. Ndaj, për t’u bërë më kredibël, shqiptaro-kanadezja duhej t’i digjte vetë këta persona si karta kriminale të Sigurimit, tashmë të kompromentuara nga unë. Por kryesisht për të më trembur, që pikërisht këta ishin njerëzit e ngarkuar për të më vrarë brenda apo jashtë vendit, e natyrisht nëse nuk e bënë ata se unë i kuptova, do të organizoheshin patjetër të tjerë.
Më shumë se kjo tablo më rrinte mbi kokë pikëpyetja për vdekjen e mamasë sime në verën e vitit 1999, prej sëmundjes së kancerit, sëmundje që kishte goditur të tre fëmijët e saj edhe mua, por desh Perëndia të mbetem në jetë, me sa duket jo kot. Tmerri për vdekjen e saj, rasti i katërt, pikërisht kur ajo më ishte rrëfyer për të gjitha presionet e intrigat prej Nexhmijes e Judës, me qëllim që dhe familjen time ta kisha pasur gjithmonë kundër, më bën fobike ndaj kësaj sëmundjeje krejt të beftë, sa s’desha as ta dëgjoja e jo më ta shprehja për të shtrenjtën time më. Me ikjen e nënës time nga jeta, asgjë nuk më mbante para rrezikut që më paraqiste shkodrania.
E pyes nga i dinte ajo këto të vërteta bindëse dhe të jetuara katërcipërisht nga unë. Ajo më përgjigjet se ishte i shoqi, miku im i vjetër që donte të më shpëtonte jetën. Funksionet e tij si ish-komunist kanadez dhe si i Sigurimit për diasporën ishin ende kredibël për mua, se jo çdo sigurims ka qenë antishqiptar, aq më tepër ky hiqej si enverist i thekur.
E habitur që isha e përzgjedhur nga një armik kaq i madh institucional, por krejtësisht virtual në raporte personale, ndonëse e kisha parë vërtet rrezikun në sy, u shpreha tek pranova të arratisem: “ – Nuk është UDB që rrezikohet nga unë, por suksesori i Zeusit me djalin e madh të vejushës e të shoqen – mbesë kjo e tij. Këta janë UDB për mua, këta bllofojnë për të më trembur”. Gruaja që mori përsipër arratisjen time për në Kanada luante në përputhje me mendimet e mia, duke u shprehur vetë kundër këtyre personave që unë t’u besoja aq sa të vendosja për ndërmarrjen e arratisjes krejt e vetme (se aq më “mundësonte” ajo), për të kërkuar strehim politik në Kanada.
Në Toronto, ajo ka si biznes një agjenci turistike udhëtimi, por “fuqia” e saj qëndron jo vetëm te lidhja me gruan e Zeusit (kishte foto me të), por edhe se realisht punon në zyrat e emigracionit kanadez, ndaj dhe në Shqipëri intervistonte “intelektualë” për t’i emigruar “zyrtarisht” në Kanada.
Biografia ime më detyronte të shkoja klandestine, pastaj të deklarohesha për azil politik. Kjo grua e tmerrshme, paralelisht bënte punë ilegale, si në rastin tim, duke iu marrë hallexhinjve nga 10.000 dollarë për kokë për t’i emigruar. Këtë aktivitet e kishte të përbashkët, siç kuptova më vonë, me një nip të Ramiz Alisë. Gruaja në fjalë më dha dokumentin e saj, pra identitetin e saj, çka më mallëngjeu tepër se për mua kur i besoja, ishte sakrifica supreme që mund të bënte, për çka i isha maksimalisht mirënjohëse.
Isha në kurth shqiptarësh, një konglomerat i çuditshëm me “enveristë”, me antienveristë, me zogistë, por “doemos” patriotë e dashamirës si shqiptari ndaj shqiptarit, për më tepër larg dheut të tyre. Shumë të aftë për të mashtruar, shprehnin me “patos patriotizmin”, për më tepër aty në Kanada gjoja s’iu hynte në punë politika, veç shqiptarizmi.
Ishte pikërisht kjo situatë, kur dashamirës të vërtetë që më rezultuan të tillë vonë, pasi sita ime seleksionoi keqbërësit nga të bekuarit, më thoshin: “-Ruaju nga shqiptarët, shoqërohu vetëm me kanadezë!”.
Këtë këshillë e urreja, tek më tingëllonte sakrilegj më keq se sarkazma e Konicës: “Sa mirë që Zoti nuk është shqiptar!”. Më dukej sakrilegj prej shqiptarizmit e ndershmërisë time në deje, e vetmja filozofi për mua pas rënies së komunizmit. Viti 2001, kur bëra 50 vjeç, më kapi në Kanada. 50 vjeç, por ende naive, tek nuk kisha njohur keqbërje të këtyre llojeve, veç nga gruaja e Zeusit, e bija dhe mbesa e suksesorit, gruaja e djalit të madh, për pasojë e kisha konsideruar fenomen krejtësisht të izoluar si problem kupole e absolutisht jo problem shqiptarësh.
Për përvjetorin e ditëlindjes, im shoq e fëmijët më dërgojnë një unazë. Këtë unazë (dhe ç’të kërkonin nga rrobat e trupit) ia dhashë menjëherë motrave nga Burreli që ishin pozicionuar si Promete për të më hequr nga kthetrat e çiftit shqiptaro-kanadez, pasi unë u shpreha se i kisha kuptuar ata. Që të besoja më thellë motrat insistonin që këta ishin madje vegla të vetë vejushës së Zeusit, ndaj rrezikoja të zhdukesha pa lënë asnjë gjurmë, si anonime në Kanada. Sipas tyre, dokumentet e mia të emigracionit nuk mund të ecnin se çifti i kish sabotuar. Madje, vetë hallkës zëvendësuese të kurthit, pra motrave, ju duhej të më vërtetonin, në zyrat përkatëse të emigracionit kanadez se dokumentet e mia për azil politik ishin krejtësisht të pavlefshme, për të provuar jo vetëm identitetin tim, por krejtësisht të pavlefshme që unë gjalloja si person real zyrtarisht në Kanada. Pra, deri në atë kohë, unë kisha jetuar ilegalisht pa e ditur, ndaj nuk më kishin lënë të dilja, vetëm në Toronto, apo të frekuentoja kurse që ofronte emigrimi, të punoja qoftë si vullnetare për çka priresha së vdekuri për së gjalli nga mërzia, se sipas çiftit, “ishin paguar zezakë për të më vrarë”.
Në atë kohë frekuentoja një kafe-internet intelektualësh ku lexoja e shkruaja nën vrojtimin e ish-sigurimsit e ish-komunistit, gjoja mikut tim kanadez. Madje, ai si shumë i preokupuar më kishte dhënë një stilolaps-armë për t’u vetëmbrojtur, meqenëse isha kokëfortë e do dilja medoemos. Po t’i shtypje një sustë, stilolapsi kthehej në thikë shumë të hollë çeliku, gati si shtizë. Po të më bëhej ndonjë kontroll befas nga autoritetet, unë inkriminohesha automatikisht. Megjithatë, nuk kishte ardhur ky çast për “rojtarin” tim.
Motrat “shpëtimtare” ishin në dukje në avantazh ndaj çiftit, se me anë të tyre “zbulova” “misterin” e parë, pasi kisha shprehur dyshime për ta. Pra, hallka e parë e pengmarrësve ishte gjithsesi e ekspozuar dhe e kompromentuar, ndaj duhej hallka tjetër e fenomenit zinxhir, që u pozicionuan si motra heroina, ndonëse sipas tyre gjyshi, “vetëm gjyshi” kishte qenë oficer i Zogut. Kështu dukeshin krejtësisht bindëse dhe të sinqerta. Me moton – veç me qenë shqiptar – vazhdova me motrat.
Motrat, ndonëse u befasuan, nuk mund të më ndalonin ndërkaq të bëja denoncim zyrtar për çiftin, kur u sulmua (apo u simulua) makina e tyre me të cilën u largova nga hallka e parë e kurthit. Autoritetet kanadeze të emigracionit fillimisht i dhanë tepër rëndësi rastit tim dhe isha nën ruajtje të tyre.
Më vonë, me kërkesën time, për komunikim në frëngjisht më dërguan një oficere emigracioni frëngjishtfolëse që menjëherë ma mori stilolapsin–armë, gjoja si provë për çiftin keqbërës, realisht për ta zhdukur atë, sepse punonte bashkë me protagonisten e syrgjynosjes sime, çka e kuptova vonë kur kjo grua (që në Shkodër, shtëpinë prindërore e kishte ngjitur me atë të Ramiz Alisë) më dërgoi përveç kërcënimeve edhe mesazhin: “ – Pse s’kam njerëz të mitë në zyrat e emigracionit?!”.
I ribëj ndërkaq dokumentet krejt të rregullta katër muaj më vonë me vetëdijen që në shtator 2001, pas pushimeve verore do transferoja procesin në Montreal të Quebecut, ku do të ndiqja gjithçka në diskrecion të plotë në frëngjisht, gjuhë e cila nuk njihej prej askujt nga ata që më kishin rrethuar. Deri atëherë do të mbetesha nën “kujdesin” e “motrave heroina”, që në sinkron e sidomos në fshehtësi bashkëpunuan me hallkën e parë të zinxhirit për gracka të reja, por të kota. Prej të gjitha tramundanave nuk rashë kurrë në llum, ndonëse dridhesha si purteka e forcohesha, dridhesha e forcohesha pa pushim. Ishte pikërisht kjo situatë, kur nën “mbrojtjen” e dyshuar të tyre më ndodhnin incidente që s’më kishin ndodhur kurrë, ndonëse pa më përbaltur dot, por insistimi i pabesive ishte traumatik. Ishte kjo kohë kur unë flija me thikë nën jastëk, gjë që madje jua kisha deklaruar, për të mos guxuar kush të më afrohej befasisht. Ndërkaq, kisha shoqen time të mrekullueshme B., që rrezikoi gjithë procesin e saj të emigrimit prej hakmarrjes së këtyre antishqiptarëve, si dëshmitare për çka më ndodhte në autoritetet kanadeze.
Nëpërmjet tim shoqi, me kohë u interesova për të kaluarën e motrave nga Burreli. Rezultoi tmerri i tmerreve, e pashmangshmja fatale. Jo vetëm gjyshi i tyre ishte goditur nga regjimi komunist, por babai, babai i tyre kishte vdekur në burg si “armiku i popullit”. Familja e tij, gruaja, vajzat (dy motrat) e djemtë e tij nga Burreli kishin bashkëpunuar me Sigurimin e Shtetit, deri aty sa iu duhej të mos e tërhiqnin trupin e të shoqit apo të atit, sepse ishin distancuar me kohë prej tij si të aktivizuar nga Sigurimi i Shtetit. Ata nuk e njihnin më babanë për së gjalli, ndaj nuk mund ta njihnin dhe për së vdekuri.
Trupi i kufomës kushedi ku përfundoi. Ky monstruozitet më goditi aq sa s’më vinte më çudi për çka më kishin bërë, si dhe as keq për veten, tek kuptova se në ç’mënyrë katastrofike janë gjymtuar shpirtërisht ata për 40 vjet, si kanë mbijetuar e si kanë mprehur aftësitë deri në fanatike “enveriste”, apo siç do jua diktonte për tërë jetën situata. E rrënuar përbrenda nga ky fakt, unë nuk e dhashë veten, por vazhdoja sjelljen time sikur s’kisha kuptuar që të këqijat më vinin nga ato. Gjë që më duhej për të zbardhur vazhdimësinë e kurtheve, e sigurtë që vinin prej kupolës qendrore. Vazhdova sjelljen time “etike” për t’i lajmëruar edhe kur vendosa të largohem nga Kanadaja, në vëzhgim e sipër se si do reagonin, si u shtangën ato që do të largohesha, çka e bënë misionin e tyre të dështuar, sepse unë e gjallë në Tiranë nuk duhej të kthehesha.
Pikërisht në këto momente, në Tiranë, ishte përhapur thashethemi që më kishin gjetur të vdekur në një kanal në Toronto. Bindjen për të lënë benefitet e azilit politik (çka e kisha të garantuar), e të kthehesha në Tiranë, ma detyroi vejusha, nëna e tim shoqi, me kërcënimin në telefon, kur kuptova prej dhunës verbale flagrante të saj, që në linjë personale ishte vetë ajo “fillimi” i “UDB-së” bashkë me suksesorin, mbesën e tij etj…, pastaj çifti që mundësoi arratisjen time, ishin motrat që nuk njihnin babanë se ishte armik i popullit, pra “UDB” ishte gjithçka e keqe që unë kisha njohur në jetën time, e keqe kjo që s’ishte thjesht për mua, por për gjithë shqiptarët.
E keqe e madhe e përgjithshme që mbërriti deri tek unë.
Për çka më duhej të përballesha publikisht në Tiranë, duhej të më dëgjonte i madh e i vogël për çka e si i ka bashkuar prej 50 vjetësh “dreqin e të birin”, “komunistë e monarkistë” nën një fuqi kultike kontrolluar nga UDB-istët andej e këtej brenda vendit, nën idealin e lartë të barazisë popullore, për çka e kishim dashur socializmin.
Çfarë misteri i bashkonte pashmangshmërisht kundërshtarët e viktimat e sistemit, me kryepersekutoren më konservatore të tyre, duke i njehsuar ata parë nga larg në kohë, meqë s’dita t’i shoh në mënyrë koherente, në një mallkim monstruoz shqiptar, përbërë po prej shqiptarësh, prej të njëjtës lëndë pa shpirt e pa moral, ca në zvarritje mbijetese e ca në luksin e kupolës, kapur me thonj e dhëmbë pas njëri-tjetrit, në pritje të pafund të një statusi të ri politik, që sipas tyre do të përbënte pushtetin e përbashkët, ku secili do të kish hapësirat vetjake të parapremtuara në këtë pushtet “ëndrre”, apo dëmshpërblyer sipas ambicieve personale?! E pra, duket si paradoks, por s’është.
Në vend të epilogut
Transportimi “i bukur” për në Kanada ishte siguri absolute e N. Hoxhës e R. Alisë, se prej andej nuk do të kthehesha më. Sipas tyre, prej pistave të garantuara.
1. Nëpërmjet likuidimit fizik.
2. Vdekje civile, prej intrigave deri në privacion lirie prej penalizimit të ligjit kanadez.
3. Joshje martesash marramendëse (madje nën presion) me pasunarë kanadezë me origjinë arvanitas apo çamë nga Pilati, (ndonëse rrethanat sollën edhe raste krejt të pastra).
Kthimi im, tashmë do të ishte denoncimi publik i tyre. Në linjën ajrore Athinë-Tiranë qëllova në avion me R. Alinë, koincidencë fatale për të. Rrethohej nga 3 të rinj e të reja që më përshëndetën pa ditur se çfarë vlonte midis nesh. Ramiz Alia u zverdh e gati sa si ra të fikët. Nuk e hapi gojën gjatë gjithë udhëtimit.
Unë u ula paralelisht me të, me dy-tre shqiptarë të panjohur e ia shtruam muhabetit për shtatë palë qejfe, aspak për karshillëk. Në Rinas ishin mbledhur familjarët e suksesorit të E.Hoxhës. Të mbledhur grusht nuk m’i ndanin sytë, pa mundur të fshihnin frikën që ju lexohej qartazi. Ndonëse isha në start të demaskimit të tij publik, pamja e tyre më hidhëroi.
*Titujt janë të redaksisë. Pjesë nga libri “Tanët”/ LILIANA HOXHA/