25.8 C
Prizren
E shtunë, 18 Maj, 2024

Nga Stambolli me Dashuri

Stambolli, i ngjyer me një gamë të larmishme kulturash, gjuhësh dhe besimesh, i pasur në histori dhe bukuri estetike. Erbil e vëzhgon qytetin me sy të pasionuar dhe mbërthen realitetin me shprehi poetike. E shndërron historinë dhe kujtimet në mënyrë romantike në ritmin e të pikturuarit.

Në Galerinë Kombëtare të Arteve çelet sot ekspozita e piktorit kontemporan turk, Devrim Erbil. Artisti sjell magjinë e Stambollit në kryeqytetin shqiptar

“Me dashuri nga Stambolli” titullohet ekspozita e piktorit të njohur turk, Devrim Erbil, e cila çelet sot në mbrëmje në Galerinë Kombëtare të Arteve. Në prezantimin e tij të parë për publikun shqiptar, Erbil sjell një përzgjedhje prej rreth tridhjetë veprash në pikturë, shumica në teknikën akrilik dhe vaj në kanavacë dhe në dimensione të mëdha, të cilat në fokusin e tyre kanë Stambollin. Bukuria legjendare e natyrës së këtij qyteti dhe pamjet panoramike të krijuara nga dora e njeriut kanë frymëzuar artistë të ndryshëm për shekuj me radhë. Ata i kanë dhënë një histori të gjatë artit turk.

Stambolli, i ngjyer me një gamë të larmishme kulturash, gjuhësh dhe besimesh, i pasur në histori dhe bukuri estetike. Erbil e vëzhgon qytetin me sy të pasionuar dhe mbërthen realitetin me shprehi poetike. E shndërron historinë dhe kujtimet në mënyrë romantike në ritmin e të pikturuarit.

Devrim Erbil lindi në vitin 1937 dhe studioi pikturë në Akademinë Shtetërore të Arteve të Bukura në Stamboll më 1955, fillimisht nën Halil Dikmen dhe më vonë në studion e Bedri Rahmi Eyüboglu. Nga viti 1965, stili unik i piktorit Devrim Erbil tërhoqi vëmendjen e një audience ndërkombëtare. Atij iu dha një bursë arti nga qeveria spanjolle për të studiuar pikturë në Madrid dhe Barcelonë. Më vonë vazhdoi karrierën e tij akademike në Paris dhe Londër. Më1968-n Erbil u zgjodh “Artisti i ri i vitit” në Turqi dhe më 1991-shin u nderua me titullin e rëndësishëm “Artist i Shtetit të Turqisë”.

Përveç karrierës në pikturë, Erbil ka dhënë kontribut për zhvillimin dhe promovimin e arteve në Turqi. Ka qenë president i Shoqatës Turke të Arteve dhe president i Shoqatës së Arteve Pamore Bashkëkohore. Gjithashtu ka qenë edhe drejtor i Muzeut të Pikturës dhe Skulpturës në Stamboll.

Erbil ka një karrierë të pasur dhe të gjatë edhe në qarqet akademike. Aktualisht është Profesor i Pikturës në Departamentin e Pikturës në Universitetin ‘Mimar Sinan’.

Ashtu si thotë përshkrimi në Christie’s, shtëpia e famshme e ankandeve, ku veprat e këtij autori kapin shifra të konsiderueshme, me dhjetëra mijë dollarë, puna e hershme e Devrim Erbil të kujton fort veprat dhe ilustrimet e Matrakci Nasuh, një nga figurat më të rëndësishme të Turqisë së shekullit XVI, dhe aktiv gjatë kohës së Sulltan Sulejmanit të Madhërishëm, të cilat kombinonin një mori ngjyrash natyrore me perspektivën ajrore dhe lartësinë horizontale. Në pikturat e mëvonshme Devrim Erbil trajton perspektivën dhe proporcionet në mënyrë më natyrale, ndërsa ngjyra në punët e tij bëhet monokrome dhe ekspresive.

Arti për Erbil është ajo lloj gjëje që i lejon njerëzit të kenë një sens njëherazi të bukurisë dhe lumturisë. “Prandaj shpresoj që kur njerëzit të shohin artin tim, pikturat e mia, ata të marrin një ndjesi të ngrohtë, një fllad të ngrohtë që valëvitet në shpirtrat e tyre dhe që krahët e zogjve të prekin ujin ndërsa kalojnë. Nëse mund të përcjell 10 sekonda nga ai lloj gëzimi, do ndjej se kam arritur qëllimin tim më të madh. Më shumë se të pikturuarit një peizazh, të përshkruash lumturinë. Unë dua të shoh sytë e shikuesve të pasqyruar në punët e mia”.

Vendin e tij në pikturën turke e sheh si të një artisti produktiv. Kjo është bërë realitet me një studio sistematike që e lejon njëherazi të përdorë një sërë teknikash.

“Mund të them me plot besim se jam artisti më produktiv i Turqisë në pikturë dhe forma të tjera. Kam bërë rreth 2500 deri 3000 vetëm piktura në vaj. Gjenialiteti artistik ecën paralel me produktivitetin”.

Përveç ekspozimit të punëve të tij në Turqi e më gjerë, ai ka shërbyer si komisioner për ekspozita turke në Aleksandri, Beograd, Sofje dhe Kuvajt. Aktualisht vazhdon të japë mësim dhe të publikojë artikuj në artin turk në të gjithë botën. Veprat e tij të artit mbahen si koleksione të përhershme në shumë muze ndërkombëtare dhe fondacione publikë. Përveç pikturës, ai eksploron në shumësi teknikash si punimi i qilimave, peksiklazit, qeramikës.

Ekspozita që do të qëndrojë e hapur deri më 17 maj, është organizuar nga Galeria Kombëtare e Arteve, Ambasada e Turqisë dhe Instituti Kulturor “Junus Emre” dhe kurohet nga Beste Gürsu.

Më Shumë

Fenomeni Luiz Ejlli, imazhi i ri i Golden Eagle

Luiz Ejlli, fitues i Big Brother VIP Albania 2, do të jetë fytyra e re e Golden Eagle. Pas përfundimit të kontratës që kishte me...

Fillon realizimi i projektit për restaurimin e shtegut drejt Kalasë së Prizrenit

Ka nisur shtrimi i shtegut drejt Kalasë së Prizrenit. Ky projekt paraqet një hap të rëndësishëm drejt përmirësimit të infrastrukturës në zonën e nënkalasë, duke...

Lajmet e Fundit