Turqia synon restaurimin e objektit të Ryzhdijes në Prizren

Ndërtimi kundërthënës i objektit të Bibliotekës së Qytetit në oborrin e Ryzhdijes së Prizrenit të shekullit XIX ka detyruar autoritetet komunale që të hyjnë në dialog me përfaqësuesit nga Republika e Turqisë, me qëllim që të gjejnë një rrugëdalje për realizimin e këtij projekti, por edhe për restaurimin e objektit të vjetër të trashëgimisë kulturore.

Në këtë drejtim autoritetet komunale nuk kanë zhvilluar diskutime me Ambasadën e Turqisë, por vetëm me zyrtarët e Agjencisë Turke për Bashkëpunim dhe Koordinim (TIKA).

“Kemi marrëveshje me agjencinë turke TIKA që bashkërisht të realizojmë restaurimin e objektit të Ryzhdijes, i cili do të integrohet në kuadër të kompleksit të Bibliotekës që është duke u ndërtuar”, ka thënë shefi i Zyrës për informim në Komunën e Prizrenit, Ymer Berisha.

Burime të besueshme të gazetës kanë konfirmuar se “TIKA është e interesuar që të restaurojë objektin e vjetër të Ryzhdijes, në mënyrë që kësaj ndërtese t’i kthehet pamja e saj e vjetër”. Kësisoj nënkuptohet se marrëveshja mes dy palëve ende nuk është firmosur. Madje një burim tjetër brenda Komunës së Prizrenit ka theksuar se kërkesa e qeverisë lokale për restaurimin në adresë të TIKA-s është dërguar një javë më parë.

Shkolla e mesme “Ryzhdije”, pranë kompleksit të Tabakhanës, u hap në vitin 1874 dhe paraqet themelimin e arsimit të ri të mesëm në Prizren. Kur më 13 janar 1992 zjarri e kaplon objektin, ai lihet në mëshirë të kohës dhe gradualisht shkatërrohet, kështu që sot nga objekti kanë mbetur vetëm rrënojat/Koha Ditore/

Më Shumë

Kampionati i ri nis më 15 gusht

Federata e Futbollit e Kosovës njofton se garat në Superligë dhe në Ligën e Parë për edicionin garues 2026/27 do të fillojnë më 15...

Vërshimet në Rahovec, institucionet diskutojnë masat e reagimit

Përfaqësues të Komunës së Rahovecit morën pjesë në punëtorinë njëditore me temë “Vërshimet në Rahovec”, të organizuar nga Agjencia e Menaxhimit Emergjent me mbështetjen...

Lajmet e Fundit