Partia Nisma në Prizren, ka paralajmëruar se të hënën do të dorëzojë në Prokurori, kallëzim penal kundër kryetarit të Komunës, Mytaher Haskuka, drejtorit Visar Shehut dhe shefit të Zyrës së Prokurimit, Isa Osmakaj.
Sipas këtij subjekti politik, të apostrofuarit kanë bërë vepër penale në kontratën për blerjen e pajisjeve mbrojtëse nga Komuna e Prizrenit
“Në cilësinë e personave përgjegjës të autoritetit kontraktues – Komuna e Prizrenit, më 6 prill 2020, kanë nënshkruar një kontratë për ” Furnizim me material shpenzues sanitar për nevojat e shërbimeve shëndetësore për mbrojtje nga Coronavirusi në Komunën e Prizrenit.Kjo kontratë është nënshkruar me kompaninë “Eka Tradeing“ Sh.P.K. nga Prizreni përmes negociatave të drejtpërdrejta dhe pa publikim të njoftimit për kontratë”, thuhet në kallëzimin penal të Nismës në Prizren.
“Të lartcekurit, në cilësinë e personave zyrtarë të Komunës së Prizrenit duke i tejkaluar autorizimet ligjore dhe duke mos respektuar ligjin për prokurim publik, kanë nënshkruar një kontratë me çmimet për njësi që nuk janë në përputhje me çmimet e tregut, që përbënë shkak i dyshimit të arsyeshëm për keqpërdorim të parasë publike”.
“Me këtë veprim, dyshohet se të lartcekurit në cilësinë e personave zyrtarë të Komunës së Prizrenit kanë kryer veprën penale keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar dhe keqpërdorimi dhe mashtrimi në prokurim publik, të sanksionuar në nenin 414 dhe 415, të Kodit Penal të Republikës se Kosovës”.
“Kontrata është nënshkruar me kompaninë “Eka Tradeing“ Sh.P.K. nga Prizreni përmes procedurës së negocimit të drejtpërdrejtë dhe pa publikim të njoftimit për kontratë”.
“Për më shumë Operatori Ekonomik i kontraktuar nga Komuna e Prizrenit në aktivitetin e saj ekonomik të regjistruar pranë Agjencionit për Regjistrimin e Biznesit Kosovë, aktivitet primarë ka tregtinë me shumicë jo e specializuar, kanalizimi, zhvillimi i projekteve të ndërtimit, ndërtimi i projekteve banesore dhe jo banesorë, ndërtimi i projekteve të ujit, punime montimi nga druri dhe materiale të tjera, aktivitetet e fotografimit, aktivitetet e përkthimit dhe interpretimit si dhe aktivitet mbështetëse për shfaqje artistike”.
“Ky operator ekonomik në aktivitet e saj ekonomike nuk ka të listuar aktivitet ekonomike të produkteve medicionale apo diçka të ngjashme, gjë që vë dyshimin e arsyeshëm të keqpërdorimit të pozitës zyrtarë nga të lartcekurit gjatë negocimit të drejtpërdrejtë më këtë operator ekonomik”.
“Kompania fituese e kontratës, ka vlerë kapitale 1,000 euro, e cila ende nuk i ka mbushur një vit nga themelimi i saj dhe e cila ka vetëm një punëtor të regjistruar”.
“Aktivitetet tjera të deklaruara në ARBK nga kompania “Eka Tradeing“ Sh.P.K. janë edhe tregtia me shumicë jo e specializuar, kanalizimi, zhvillimi i projekteve të ndërtimit, ndërtimi i projekteve banesore dhe jobanesore, ndërtimi i projekteve të ujit, punime montimi nga druri dhe materiale të tjera, aktivitetet e fotografimit, aktivitetet e përkthimit dhe interpretimit si dhe aktivitet mbështetëse për shfaqje artistike”.
“Komuna e Prizrenit ka paguar 8,9 euro për një maskë të tipit FFP2, me ç’rast për 600 copë Komuna e udhëhequr nga Mytaher Haskuka i Vetëvendosjes, ka paguar hiç më pak se 5,340 Euro”.
“E njëjta maskë në treg ka një çmim prej 3 deri 4 euro dhe të njëjtën Komuna e Dragashit e ka blerë për vetëm 3.8 euro. Komuna që udhëhiqet nga Shaban Shabani i ka blerë 4,500 maska të tilla për 17 mijë e 100 euro përmes tenderi për furnizim me materiale mbrojtëse nga COVID-19”.
“Përveç maskave FFP2, Komuna e Prizrenit ka paguar çmime enorme edhe për dezinfektues”.
“Për një litër dezificient për dezinfektimin higjienik dhe kirurgjik të duarve, Komuna e Prizrenit ka paguar çmimin prej 14 eurosh, duke paguar 2,800 euro 200 litra dezinfektues higjienik dhe kirurgjik të duarve”.
“Në treg i njëjti dezinfektues ka një çmim prej afër 5 eurosh. Komuna e Dragashit një produkt të tillë e ka siguruar me 5.5 euro”.
Dezinfektuesi për pajisje medikale nga Komuna e Prizrenit është paguar 15 euro për litër, kurse në treg ky produkt ka një çmim prej afër 3 euro për litër”.
“Pra, Komuna e Prizrenit ka blerë material për mbrojtje nga koronavirusi, në vlerë prej hiç më pak se 102,040 euro, nga një kompani që organizon konferenca dhe panaire”.