2.8 C
Prizren
E shtunë, 20 Prill, 2024

“Një udhë e dy punë”

Behxhet Sh. SHALA – BAJGORA

Dushk për gogla: Albin Kurti është politikani më i fuqishëm në Kosovë, jo vetëm shkaku i votave të fituara në zgjedhjet e fundit por se e luajti lojën politike më mirë se të gjithë të tjerët bashkë. Sot Albin Kurti nuk ka fare opozitë në Kosovë prandaj sillet me aq shpërfillje ndaj atyre që do të duhej ta luanin rolin e opozitës. Po të mos ishte Edi Rama në Shqipëri, pa asnjë dyshim Albin Kurti do të ishte politikani më i fuqishëm i shqiptarëve, urbi et orbi. Tash, Edi Rama e do pozicionin e Babait të Kombit Shqiptar të cilin e synon edhe Albin Kurti, kryeministër i Kosovës apo i pari i kosovarëve. Populli thotë se: “dy atllarë nuk lidhen në një mullar..” e që nënkupton se nuk mund të jenë dy baballarë të shqiptarëve.

Po jetojmë në kohën e kompromiseve, për shqiptarët dhe kosovarët të dhimbshme prandaj edhe për postin e Babait të të gjithë shqiptarëve duhet të bëhet një kompromis midis Albin Kurtit dhe Edi Ramës, i pari kryeministër këtej kufirit dhe i dyti kryeministër andej kufirit. Kur të merret vendimi që të përcaktohet atësia, atëherë në ndihmë thirret mjekësia përkatësisht përcaktuese për atësinë janë tre shkronja të Alfabetit të Manastirit; ADN. Në dyelin midis dy gladiatorëve politikë, Edi Ramës dhe Albin Kurtit besoj mund të bëhet një kompromis, Albin Kurti të bëhet Baba i Kombit Shqiptar kurse Edi Rama Babagjysh i Kombit Shqiptar.

Në këtë mënyrë do të qetësonim dy ego, tash shumë të trazuara e që po ndikon shumë edhe në marrëdhëniet miqësore midis kombit shqiptar dhe kombit kosovar. Albini është në moshë më i ri, ka kondicion më të qëndrueshëm dhe e ka dëshmuar me kurriz se është i gatshëm për çdo sakrificë në luftë …drejt majave të pushtetit. E ka dëshmuar si Bob Marli i demonstratës së studentëve kur udbashi Kovaç e tërhiqte zvarrë duke e goditur me tërë fuqinë që e kishte. E dëshmoi edhe kur shkoi vullnetarisht, përkundër rrezikut për jetë, në Zyrën e Përfaqësuesit Politik të UÇK-së që udhëhiqej nga Shqiptari i Mijëvjeçarit, Baca Adem Demaçi. Kur Baca Adem i tregoi babait të Albinit, Zaim Kurtit për rreziqet e të qenit sekretar i Bacës Adem, Zaim Kurti i kishte thënë Bacës : “ mirë, këtë djalë e ke kurban në luftë për liri …”. Pastaj, Albin Kurti në asnjë çast, edhe kur shumica ia kthyen shpinën Bacës Adem, nuk iu nda. Ishte me të në të gjitha zonat e luftës, ishte në anën e Bacës Adem edhe gjatë Rambujesë kur shumica pinin verë të Burgonjës në Kështjellën e Rambujesë në mesin e të cilëve ishin edhe disa llaskucë që shiteshin si shokë të Albinit e që pastaj i shijuan të mirat e të gjitha pushteteve, derisa nuk ranë nga fiku dhe tash, përsëri iu kthyen origjinës prej llaskucit duke përfunduar në Grazhdin e Albinit! Albin Kurtin e rrahën aq shumë në Burgun e Lipjanit sa që të burgosurit e tjerë që do të transferoheshin në burgjet e Serbisë, e morën thuaja për të vdekur dhe e futën në autobus për të përfunduar në Burgun e Pozharevcit në Serbi. Mbetet antologjik dhe i papërsëritshëm qëndrimi i Albin Kurtit ndaj ministrit të Drejtësisë së Serbisë dhe i cili ishte maskuar dhe shitej si gazetar gjatë vizitës në Burgun e Pozharevcit. Në atë kohë, bashkë me Bacën Adem, Qalin dhe Llapqinin shumonim kastetën me fjalët e Albinit dhe e ndanim ku mendonim se duhej të dëgjohej. Pas daljes nga burgu, Albini e vazhdoi aktivitetin politik duke kundërshtuar ndërkombëtarët dhe strukturat politike vendore , fillimish si udhëheqë i KAN-it dhe pastaj i Lëvizjes VETËVENDOSJE! Shumë herë u arrestua, u rrah dhe u gjakos mirëpo asnjëherë nuk hoqi dorë nga qëllimi duke e vërtetuar në praktikë thënien gjeniale të Qerqillit se për ta fituar lirinë: “duhet shumë punë, djersë, vuajtje dhe gjak …”. Me Albinin kemi ecur bashkë, unë dhe baca Adem deri në çastin kur Florim Krasniqi u bë sponsor dhe drejtor financiar i LVV-së me të vetmin kusht që LVV-ja të garojë në zgjedhje sipas programit politik të atij që po e paguante byrekun, Florim Krasniqit. Në atë kohë rrugët tona janë ndarë me Albinin mirëpo kurrë nuk kemi dalë publikisht kundër, sidomos para dhe gjatë zgjedhjeve. Nuk kemi dashur ta dëmtojmë sepse, në një mënyrë kemi qenë kujdestarë në rritjen dhe zhvillimin e LVV-së. Është me rëndësi që në kohët më të vështira për LVV-në, gjithmonë e kemi përkrahur kur, disa që sot janë më VETËVENDOSJE se LVV, i sulmonin dhe i denonconin publikisht dhe prapa dyerve të mbyllura te ndërkombëtarët sikur që vet Albin Kurtin e denonconin më shumë se vet Jezu Krishtin. Ka qenë shumë më e shkurtër Via Dolloresa (Rruga e Vuajtjeve – Dhimbjeve) që e ka kaluar Jezu Krishti, i kryqëzuar se ajo që e ka kaluar Albin Kurti, i kryqëzuar qindra dhe mijëra herë. Gjatë rrugëtimit drejt majave të pushtetit, Albini i ka “hijezuar” të gjithë ata që ka menduar se mund ta pengojnë dhe i ka përndritur edhe personat, që çdo gjë kanë bërë në jetë por se për shqiptarë dhe Kosovën nuk kanë bërë asgjë. Madje kanë punuar kundër saj! Edhe sot Albin Kurtin po e përkrahin ata që deri dje e quanin “këlysh politik” të komunistëve projugosllavë; Baca Adem Demaçi dhe Rexhep Qosja, i pari Autoritet Suprem dhe i Papërsëritshëm Kombëtar dhe, i dyti, Autoritet Suprem Intelektual i Shqiptarëve. Me Albin Kurtin nuk jam në asnjë raport politik a tjetër mirëpo, për shkak të korrektësisë e them të vërtetën dhe kjo është e vërteta për Albin Kurtin për aq sa kam informata dhe kam shumë informata, jo të dëgjuara por si pjesë aktive e procese të mëparshme. Mund të mos pajtoheni me Albin Kurtin e që nuk ka asgjë të keqe, mirëpo ta vëni në dyshim përcaktimin kombëtar dhe politik të Albinit para, gjatë luftës, gjatë mbajtjes peng në burgjet e Serbisë dhe në një periudhë pas përfundimit të luftës, është pandershmëri e skajshme, që askujt nuk i bënë nderë dhe që askush normal nuk e beson këtë e më së paku atyre që duan ta luftojnë politikisht duke ia përmendur një të kaluar të Albinit që për mua është një e kaluar shembullore.

Po tash: Në zgjedhjet e fundit parlamentare, Albin Kurti e bëri një listë të deputetëve, të hurit dhe të konopit, zhvillimet e fundit do të dëshmojnë se lista ka më shumë të hurit se të konopit e që nuk do t’i gjeni as në thesin e Magjistarit të Ozit apo në projeksionet e Frankeshtajnit. Albin Kurti në këtë zgjedhje veproi si Magjistari Hudini që ngjitej në një litar të padukshëm ndërsa Albini ngjitej në saje të dështimit të partive opozitare për vite të tëra dhe nëpër vargonjtë e llaskucëve të rekrutuar nga këto parti si dhe një gjenerate që është pa kujtesë kombëtare të cilës i mungon edhe respekti elementar për ata që sakrifikuan çdo gjë që kishin për këtë liri! Për më keq, po këta asnjanës kombëtarë, punuan me mish e me pashpirt që t’i fusin në burg, gjë që e arritën, që nga përfundimi i luftës e deri në ditët e sotme. Nuk ka vend në botë që me aq pandershmëri i ka trajtuar ata që më së shumti kontribuan për lirinë e Kosovës; heronjtë e kombit, ushtarët e UÇK-së, ish-të burgosurit politikë dhe të tjerët që asht dhe rrasht e dhanë dhe e lanë për këtë vend ! Shembull monimental e keni Bacën Adem Demaçi. Jam i sigurt se, po e them hipotetikisht, edhe nëse i ka kaluar të gjithë Rrathët e Ferrit të Dante Aligerit, është trajtuar më mirë dhe më me dinjitet se që është trajtuar në Kosovë, pas përfundimit të luftës, para se të sëmurej, gjatë sëmundje e sidomos në Diten e Varrimit! Nëse dikur premtimet dhe parimet përdoreshin për të ardhur në pushtet, sot, premtimet dhe mungesa e parimeve përdoren për ta mbajtur pushtetin. Albin Kurti ka filluar ta mësojë politikën që e ha tregu sot prandaj i ka lënë anash disa parime të mëparshme. Po ato parime dikur i hante tregu prandaj edhe i hodhi në atë treg. Sot i ka lënë në stoqe, pa afat përdorimi! Sot Albin Kurti nuk rrezikohet nga askush; as nga viktimat e shumta të pandemisë (edhe ngritja si dhe rënia ishte dhe është trend botërorë), as nga aferat seksuale dhe biseksuale të këtyre që e kanë të forcuar hurin politik dhe po e përdorin majtas dhe djathtas, as nga gjendja e vështirësuar ekonomike, as nga mungesa e vendeve të punës dhe as, as, as….nga asgjë për të cilat do të reagonte një qytetari e emancipuar politikisht dhe kombëtarisht, pa dallime politike dhe të tjera por në interes të kësaj qytetarie. Sot, ecja e Albin Kurtit, nga pikënisja e deri te karrika e kryeministrit është e shtruar me “kufoma” politike të partive opozitare, pa shenja se do të ringjallen në këtë shekull.

Albin Kurti sot përballet vetëm me dy sfida që i luhatin karrigen; e para është Edi Rama kurse e dyta është vet Albin Kurti me proceset përcjellëse nëpër të cilët po kalon dhe dodmosdoshmërisht do të kalojë Kosova. Me vullnetin tonë apo kundër vullnetit tonë. Nëse Edi Rama këmbëngulë të bëhet Baba i Kombit Shqiptar, Albini do të duhej të luftojë për ta ruajtur primatin e llojit. Nëse Edi Rama pranon të bëhet Babagjysh Kombëtar dhe Politik, atëherë Albinit i mbetet lufta me vetveten e që është shumë e rëndë. Mbetjet mortore të opozites në Kosovë po luajnë në kartën e antiamerikanizmit të Albin Kurtit, lojën me gazin rus dhe pallavra të tjera në kohën kur pikërisht këta amerikanë projektuan zgjedhjet e fundit duke e hudhë opozitën në fund të pusit – moçalit politik. Dhe, që naiviteti ta marrë përmasën e marrëzisë, ju, që jeni në fund të pusit – moçalit, si i humburi në shkretëtirë që në mungesë të një pike uji i shpërfaqen para syeve detra dhe oqeane drejt së cilës – fatamorganës shkoni deri sa t’i lini kockat në rërën përcëlluese të shkretëtires shpresoni se ditën që vjen do t’ju zgjojë nga gjumi vet presidenti Bajden, me sapune të parfumosura dhe parfume Armani për t’ju kthyer në pushtet! Albin Kurti po përshtatet duke u binjakëzuar me patriotët e mëdhenj shqiptarë, Lajçakun dhe Borrellin. As me amerikanë nuk është keq siç shpresojnë “martirët” e opozitës. Edhe me Edi Ramën përafrohet, pa asnjë problem. Në fund të fundit është çmenduri të mendosh e lëre më të besosh se për Edi Ramën, edhe në shkallën më të përparuar të skizofrenisë, më i afërt është superrenci dhe krimineli i luftës, Aleksandër Vuçiqi se Albin Kurti që e ka një të kaluar kombëtare dhe sakrifikuese pikërisht për çështje kombëtare! Albin Kurti e ka në duar Albin Kurtin dhe Qeverinë Kurti 2. Nëse thika e kompromiseve të dhimbshme nuk do të shkaktojë dhimbje të padurueshme, Albin Kurti e rrëzon Qeverinë Kurti 2, pa asnjë problem. Nëse Albin Kurti që është krejtësisht përmbajtja e LV-së, politike dhe funksionale e që mbështillet me Vjosa Osmanin, Donika Katran Gërrvallën dhe margaritarë të tjerë fiton zgjedhjet lokale në përqindje që e dëshiron, pak më pak se që fitonte dikur Enver Hoxha, atëherë Albin Kurti i provokon zgjedhjet për ta kërkuar edhe një mandat të tretë. Nëse nuk ndahet mirë në zgjedhje lokale, e që unë nuk e besoj, atëherë Albin Kurti do të përpiqet që me mish dhe me shpirt të Agim Bahtirit, ta mbajë pushtetin qendror!

Reciprociteti, sovraniteti dhe biseksualiteti moral dhe politik: Albin Kurti, kohë më parë kishte paralajmëruar vendosjen e reciprocitetit për targa me Serbinë Mbetjet mortore politike të partive opozitare talleshin me këtë paralajmërim dhe kur Albini i dërgoi Forcat Speciale të Policisë së Kosovës (përmes Xhelës), po këto parti “opozitare” e akuzuan Kurtin se po e bënë për qëllim të fushatës sikur që edhe ata në kohë të fushatës silleshin ndershmërisht “si nëna e Odiseut”. Të gjithë, pa përjashtim e kanë përdorur dhe keqpërdorur fushatën për një grusht votash dhe qëllime politike. Një udhë dhe dy punë, siç thoshte filozofi i shquar i Renesansës, Hajdar Shtimla, ndjesë shpirti i pastë! As Albini nuk po bënë përjashtim por bukur i është dhënë penalltia, në gol të zbrazët! e ju po pritni ta huqë këtë mundësi!!! Këtu po shoh probleme të theksuara… te opozita. Jo vetëm në vlerësimin politik! Albini po thotë se reciprociteti është noterizim i sovranitetit. Edhe unë pajtohem me kusht që do ta kishte spastruar rrugën, deri te pozicioni ku është polici i Serbisë.

Por, kur nuk ka shi, bënë edhe breshër! Më herët policët dhe paramilitarët serbë kur shkonin në inkursione – krime kundër shqiptarëve, merrnin bekimin dhe puthnin dorën e paramilitarëve të Kishës Ortodokse serbe. E tash, nuk e di nëse policët e Njësisë Speciale (që gëzojnë respekt thuaja plebishitar, a ka qenë e nevojshme ta marrin bekimin e një super injoranti dhe super analfabeti si puna e Agimit?! Nuk e di nëse ia kanë puthur dorën! Unë e përgëzoj Bedri Hamzën për guximin të garojë me Agim Bahtirin, sepse po të isha në vend të Bedriut dhe po t’i humbja zgjedhjet nga kjo shëmbëlltyrë e analfabetizmit, pa asnjë dyshim do ta merrja trastën me një copë bukë, një argetë Meka, një çips Pestova, një lëng Doni dhe një ajran të Erdoganit (shujta “madhështore” e policëve të Njësive Speciale ROSU), dhe do ta merrja, ku sytë – këmbët për të kërkuar azil politik në …..Guinea Bissao! Unë e kam përkrahur këtë veprim të kryeministrit Albin Kurti e që kam të drejtë më bindë fakti se edhe Behgjet Pacolli e ka përkrahur veprimin e Kurtit. Nëse e kemi parasysh faktin se Gjeti ka bërë punë jashtëzakonisht të mëdha për Kaz….., më falni, Kosovën, jam i sigurt se presidentja Osmani duhet ta dekorojë me Medalen “Ibrahim Rugova”. Së pari Gjeti e meriton kurse, në fund të fundit presidentaj e ka detyrim moral, politik, njerëzor dhe kombëtar sepse i kanë të njëjtat rrënjë! Pastaj, po bëhem pakëz subjektiv sepse po loboj pak si shumë, edhe për Gjetin, edhe për Gimen, nëse alkimistët e dikurshëm kanë patur aftësi që prej m..etalit të bëjnë ari duke kërkuar Gurin Filozofikal, Behgjet Pacolli ka arrituar që prej një injoranti ta prodhojë margaritarin e analfabetizmit, dhe, nëse alkimistët nuk kanë arritur ta zbulojnë Gurin Filozofikal, Behgjet Pacolli ka arritur ta zbulojë Agim Bahtirin! Lavdi marrëzisë!!!

Më në fund, aktivitet madhështor diplomatik i Kosovës: Presidentja e Kosovës, znj. Vjosa Osmani, vet e 16-ta (nuk është keq sepse ka mundur të jetë vet e 100-ta), e shoqëruar nga Donika Katran Gërrvalla, shkoi në një vizitë tetë-ditëshe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Para se të shkonin në Amerikë, bashkë me zonjën Gërvalla, që pashpresë po mundohet ta luaj rolin e ministres për Punë të Jashtme, vizituan të gjitha ambasadat e Kosovës në Evropë, Azi dhe Oqeani, Afrikë, Australi dhe Zelandë të Re e që u takuan me të gjithë ambasadorët fuqiplotë të Republikës së Kosovës. Janë lodhur shumë për faktin se Kosova ka ambasadë dhe ambasadorë në të gjitha shtetet e botës. Por sakrifica për Komb dhe Shtet nuk ka çmim dhe nuk njeh lodhje. E si bakllava e këtij lobimi ka qenë lista e politikanëve që vrajnë dhe kthjellin në Amerikë dhe në tërë botën, si Daniel Server, Uesli Klark dhe Eliot Engel. Aa ka vlejtur i tëri ky mundim. Dua ta t’jua them, lexues të nderuar se brenga ime kryesore nuk ka qenë dhe nuk është nëse do të vdesë por nëse do të vdesë pa e pritur dhe përjetuar kohën kur presidenti i Kosovës do të takohet me përfaqësues të Senegalit dhe të Guinea Bissaos! Më nuk e kam këtë brengë, mund të transferohem i qetë në Prajsë pasi t’i kem kaluar të gjithë rrathët e Ferrit! Që kënaqësia të jetë edhe më e madhe, nëse Zoti i Madhërishëm nuk ia jep Xhebrailit adresën e saktë ku banoj për një kohë, do ta kem rastin të dal në pritje të orgamizuar për presidentin e Senegalit të cilin presidentja jonë legjendare e ka ftuar ta vizitojë Kosovën. Në fund të fundit, si fëmijë pata dalë në pritje, në organizim të shkollës, për idolin e disa prindërve që fëmijët sot i kanë në pushtet, shokun Tito! Çfarë paradoksi, dy herë më kanë dënuar me burg 3 +12 vite pse kam qenë kundër Titos kur unë, si fëmijë brohoritsha: “rroftë shoku Tito” dhe asnjëherë nuk kam brohoritur “rroftë shoku Enver” në ndërkohë që në burgjet ku isha pati filluar njëfarë diferencimi politik shkaku se isha kundër shokut Enver Hoxha dhe Partisë së Punës. Demokrat i madh kam qenë, nëna dhe baba i demokracisë!

Behxheti ngatërrestar dhe Rakiqi pajtimtar: Disi si fort më kruhet, edhe kundër ndërkombëtarëve, edhe kundër vendorëve, supozitirijë të ndërkombëtarëve. Pas lufte më akuzonin se si fort po ia mbajë zhagun Albinit, pastaj se jam kundër Kajdanovës dhe Beh – Dell Enkës. Madje, Tinka Kajdanovës i pata shkruar më shumë letra se Franc Kafka Milenës. Për raportet e mia me Dellin flisnin si për raportet e Lordit Bajron me Ali Pash Tepelenën. Ali Pashë Tepelena ka patur një rol të mirë, ishte shaluesi ndërsa Delli na shalonte të gjithëve, pa dallim gjinie, moshe, feje, race apo statusit në shoqëri. Të vetmin kusht që e kërkonte ishte përshtatshmëria politike. Duket se kjo më ka shpëtuar, edhe mua, edhe Albinin!

Nëse i shikoni pamjet televizive ku është Aleksandar Vuçiq me LS e shihni se Rakiqi gjithmonë është prapa Vuçiqit. Dikush mendom se po ia ruan shpinën. Unë jo. Mendoj se kur është shkrepur kamera, Rakiqi në mënyrë automatike ka dalë nga të brendshmet e Vuçiqit, adresë e përhershme politike e Rakiqit dhe LS-së. Vendi ku ka temperaturë optimale! Pasi Gima i dërgoi Njësitë Speciale në pikëkalimet kufitare, Rakiqi ishte i pari apo prijatari i protestave kundër reciprocitetit! Unë ashtu i kam parë ngjarjet kurse Albini në atë kohë ka qenë duke i përcjell lajmet Qendrore të Televizionit Kombëtar të Mozambikut. Prandaj i japë të drejtë kur thotë se nuk do të ndërmerr masa kundër Rakiqit, madje thotë se ai ka kontribuar për qetësimin e situatës !!!

Në kohën kur Anton Çeta ka kaluar në mit, kur Behram Hoti është lodhur nga mosha dhe vuajtjet dhe kur mua nuk po më shkon fjala, seriozisht po mendoj ta propozoj Goran Rakiqin si kryetar të Këshillit (kurrsesi të KMDLNj-së) për Pajtim të Gjaqeve. Nëse me aq sukses po e menaxhon situatën me çetnikët e Serbisë, atëherë lehtë mund të luaj k…e me naivët e shqiptarisë!

P.s. Çdonjëri që ndjehet krenar që përmendet në këtë shkrim apo që ndjehet i prekur, mos të më merr seriozisht. Jam në stres sepse e mora dozën e dytë të vaksinës “Pfizer”. Më mirëkuptoni!

Më Shumë

Moti sot me temperatura deri në 30 gradë Celsius

Instituti Hidrometerologjik i Kosovës ka bërë të ditur se gjatë ditës së sotme do të ketë mot kryesisht me diell. Sipas njoftimit të këtij instituti,...

Serbia paraburgos mërgimtarin nga Hasi që e ndaloi dje, akuzohet për krime lufte

Policia serbe ka arrestuar një kosovar me pretendimet se i njëjti si ish-pjesëtar i UÇK-së, ka kryer krime luftë kundër popullatës serbe. Bëhet fjalë për...

Lajmet e Fundit