13.8 C
Prizren
E enjte, 28 Mars, 2024

Njeriu dhe diktatori Enver Hoxha, sipas një ish-drejtuesi të Gardës

Nga Sefer Pasha

Pranë Enver Hoxhës kam shërbyer qysh në ditët e para të karrierës ushtarake. Në ato fillime nuk kisha asnjë funksion, isha një roje i Gardës së Republikës. Megjithëse, asokohe, e shihja përditë, nuk e bëra dot një fotografi me Enver Hoxhën. Një miku im Gjelosh Ukcama nga Lekbibaj me ndihmën e Sulo Gradecit e bëri një foto krah për krah me Enver Hoxhën. Pas ’90-s mërgoi në Amerikë dhe me atë foto gjeti punë. Dhe te kush? Tek ata që ishin arratisur.

Sot, pothuajse çdo ditë shkoj nga ish Blloku tek vila 31, ku jetoi Enver Hoxha dhe ku unë dikur bëja shërbimin, shpesh edhe me tre turne. Nuk e di sa herë i kam numëruar pllakat e rrugicave, të korridorit dhe të trotuarit rrotull lulishtes. Për të shtyrë kohën numëroja gjithashtu vazot me lule, trëndafilat, bredhat, manjolat, plepat, kundroja me detaje të vetmin lis, i cili u shkul kur u ndërtua shtëpia e re e Enver Hoxhës. Nuk lija pa futur në “inventar” as skulpturën në këndin e lulishtes që është edhe sot aty.

Enver Hoxha më kalonte tek këmbët kur isha në vendrojet fikse. Tani që jam thinjur e sjell shpesh në mendje. Atëherë ai qe i ri, i gjatë, i drejtë, me ballin sa një gjysmë hëne. I pëlqente të mbante kapele, përdorte disa llojesh të tilla, më së shumti mbante një borsalinë të zezë. Këpucët e preferuara qenë në ngjyrën e mjaltit.

Nisej çdo mëngjes në këmbë për në Komitetin Qendror. Syzat e zeza nuk i hiqte kurrë. Asnjë roje nuk përshëndeste. Bënin përjashtim ata oficerë që shërbenin në hollet brenda shtëpisë. Skender Alikës që tani është 96 vjeç i thoshte tek dera e dhomës ku flinte: “Skënder! Je mirë! Të futa një herë në burg. Besoj të ka bërë mirë”. Skënder Alikua shërbeu tek dera e dhomës ku flinte Enver Hoxha 15 vjet.

Sefer Pasha

Shpesh e shikoja me libra në duar në bibliotekën e madhe. Më ka qëlluar të futem edhe më pas atje. U largova nga Garda dhe u ktheva kur Enver Hoxha kishte vdekur. Isha Kryetar dege kur pashë që nisën ta plaçkisnin bibliotekën. Hajdutë me pushtet. I mbushën arkat me libra pa iu trembur syri. Një “personalitet” e kishte shtëpinë afër Presidencës. Me urdhrin e tij bashkë me dy kolegë ngarkuam një makinë me libra dhe i ngjitëm në katin e dytë tek banesa e tij. Hajduti që mori librat ishte bërë funksionar i lartë. E kishim frikë. Të përzinte nga Garda e të flakte në rrugë. Nga njëra arkë ra një libër tek dera. I “madhi” qe futur brenda banesës së tij. E mora librin dhe e futa nën sqetull. Ishte “Dëborat e Kilimanxharos” të Heminguejit, ishte edhe firma Enver Hoxhës në të. E ruaj në bibliotekën time edhe sot.

***

Po të mblidhen të gjitha vogëlimat e jetës së Enver Hoxhës do të delte një mal me libra. Për një periudhë u zgjodh një kuzhinier nga Kukësi, për të gatuar në vilë, i cili sapo  ishte kthyer nga Franca. Nga fshati Borje i zonës së Gorës, kishte bërë emër të mirë në Drejtorinë e Pritjes. Për këtë arsye e dërguan në Francë që të specializohej. Sulo Gradeci më tha se ata të Parisit i kishte mahnitur.

Filloi punën si kuzhinier në vilë. Qysh në fillim gatimet e “gegës” nga Borja e Kukësit i pëlqeu Enver Hoxha. Një drekë “gega” i shërbeu vetë Enver Hoxhës. Kur mbaroi pjata e parë me supë  “gega” i thotë Enver Hoxhës: “Enver! Po të hedh dhe një  lugë tjetër. E kam “kripur” me erëza nga të malit të Shishtavecit”. Enver Hoxha qe çuditur. Askush nuk guxonte t’i fliste atij në emër. I gjithë personeli i druhej. Bile një berber nuk kishte mundur që ta qethte. Me gërshërë në dorë i vinte rrotull Enver Hoxhës dhe dridhej. Gërshërët nuk i “urdhëronte” dot. Më në fund Enver Hoxha qe ngritur pa u qethur.

Kurse një kuzhinier i ri pa iu trembur qerpiku guxoi t’i thoshte “Enver” sikur t’i kishte prerë kërthizën.  Nexhmije Hoxha që gjithashtu po hante drekë kishte mbledhur vetullat. Enver Hoxha veproi siç i tha “gega”. E hëngri dhe pjatën e dytë me supë.

Sulo më tregoi se pas kësaj Enver Hoxha e kishte pyetur ku kishte mësuar të gatuante. “Gega” i Borjes i tha: “E kisha vëllanë e madh kuzhinier në Shtëpinë e Oficerëve në Kukës. Baba më dërgoi pranë tij që të mësoja zanatin. Ashtu bëra. Por unë nuk e dëgjoja vëllanë, gatuaja sipas mendjes time. Një ditë vëllai u mërzit shumë. Mori hanxharin dhe më qëlloi mes për mes ballit”.

Plagën e hanxharit e kishte vërtetë në ballë, i dukej si Përroi i Gurit të Shqipes në fshatin e tij, Borje. Kishte qëndruar gjashtë muaj në Spitalin Ushtarak.

-“Qysh atëherë vendosa dhe u bëra kuzhinier më i mirë se vëllai” – i kishte thënë Enver Hoxhës.

Atij i pëlqeu gega. Dhe ndonjëherë kur hante drekë e ulte në tavolinë dhe bisedonte me të si miq. Bukën ky kuzhinier ia përgatiste me thekër nga e fshatit Tërshanë pas malit të Gjallicës. E dinte që Enver Hoxha ishte me diabet.

***

Në Bllokun e udhëheqjes vinin shpendë që nga veriu i Evropës. Bahçet e udhëheqësve qenë plot me nuselale, kunadhe e ketra. Në Pallatin e Brigadave për shkak të pyllit atë kohë “këndonin” tufat me dhelpra. Çudia qëndron se aty ku është Kasollja e Bujkut u pa dhe një ujk. Askush nuk e shpjegon dot se si e kapërceu ujku murin e Pallatit të Brigadave. Aty kishin ushqim të bollshëm.

Por në familjet e Bllokut lumturia nuk u pa kurrë. E pyeta njëherë Sulo Gradecin tek po mblidhja të dhëna për Doktor Ibrahim Dervishin, në duart e të cilit kishte dhënë shpirt Nako Spiroja, nëse qe i lumtur Enver Hoxha.

– Jo, – mu përgjigj ai.

I kisha shkuar për vizitë në shtëpi pasi doli nga burgu. Për Ramiz Alinë, Sulo Gradeci volli vrer. “Kokë kauçuku, qe frikacak”, më tha. Folëm për dasmat e fëmijëve të Enver Hoxhës. Gjithçka qenë, por dasma jo. Ceremonitë qenë të thjeshta. Nuk u thye një qelq. Vetë Enver Hoxha as këndoi, as u ngrit në valle dhe as ngriti ndonjë dolli. Rrinte i menduar përpara gotës së rakisë. Të mos bëhet zhurmë, – kishte porositur Gradecin, u prishim qetësinë banorëve të Tiranës së Re.

Disa nga miqtë e mi nuk i botojnë kujtimet e tyre. Ata ia njohin sikletet Enver Hoxhës. Profesor – doktor Përparim Lika po i mban në sirtar kujtimet e të atit, Halimit, i cili i ka shkruar rrëfimet me dorë. Halimi qëndroi pranë Enver Hoxhës 30 vjet. Janë mbi pesëqind faqe.

Halimi nga Drizari i Mallakastrës, më tregonte se në studion e Enver Hoxhës, nën xhamin e tavolinës ku punonte, mbante të shkruar me shkrimin e tij të dorës atë që i tha në Dragobi në 7 maj të vitit 1970 malësori Ali Shabani: “Shqiptarin nuk e ka lindur Lokja prej barkut, por huta prej çarkut”.

***

Nëpër arkiva hulumtoj dhe silloisem. Në sytë e mi Enver Hoxha ishte tjetër njeri në mëngjes, tjetër në drekë e tjetër në orët e vona. Isha i ri dhe në mendjen time prej fshatari gjykoja se ai ishte vetë Zoti në tokë. Vitet rrodhën. Unë u largova nga Garda dhe Enver Hoxhën më pas e kam parë vetëm në ekrane. Kur vdiq erdha nga veriu dhe bëra homazhe.

Shumë ngjarje dramatike ndodhën në Shqipëri. Komplote, gjyqe, vrasje,  internime e drama të panumërta. Nuk kam pse ta fsheh. Zhgënjimi im për disa prej tyre ka qenë i madh. Çfarë më mbetet nga ai “aktori” i dikurshëm i Bllokut? Përgjigjet janë të verbëra. Në dy hektar Bllok u pushkatuan pesë Anëtarë të Byrosë Politike dhe shtatë Anëtarë të Komitetit Qendror. Vetëm nga Blloku janë internuar dhjetë familje udhëheqësish. Jashtë Bllokut shifrat janë dhe më të trishtueshme.

Analiza e imët më bën gur. Dhe duke gërmuar nëpër arkiva e pyes veten: Ç’u bë ai Enveri me libra në duar që shihja nga dritarja kur bëja roje? Idhulli im mjegullohet. Megjithëse bëri punë e vepra të mira ai mbetet enigmatik tek unë për shumë anë të tjera.

Kush gjurmon nëpër arkiva shpesh ndodhet në mes të katër udhëve. Prej vitesh qëmtoj për Kadri Hazbiun. Dukej si lule me erë në malin e Korabit, por krejt papritur e përlau cikloni i luftës për pushtet. Fundi qe i llahtarshëm. Më 14 tetor të vitit 1982 i hodhën hekurat.

Shefi i hetuesisë që kishte qenë 30 vjet vartës i Kadri Hazbiut me ta ulur në karrigen e hetuesisë i thotë: “Ose trego veprimtarinë agjenturore ose unë të q… nënën!” Kjo shprehje gjendet në Arkivin e Shtetit.

Është një letër e gjatë që Kadri Hazbiu me dhëmbët e shkulur (ia shkulën sepse nuk donin të kafshonte gjuhën dhe t’u vdiste në duar) ia shkruan Enver Hoxhës.

Tani faqet e gazetave mbushen me legjenda nga jeta e këtij njeriu të jashtëzakonshëm dhe pyesin – A ishte Kadri Hazbiu agjent i zbulimeve të huaja, siç e akuzonin. Unë kam bindjen e plotë se Kadri Hazbiu nuk ka qenë agjent i ndonjë zbulimi të huaj. Natyrisht që ka bërë krime. Nuk kishte si të ndodhte ndryshe.

Gërmimi në mijëra faqe në Arkivin e Shtetit dhe në Arkivin e Ministrisë së Brendshme për të gjetur ndonjë thërmijë, nëse Kadri Hazbiu u shërbente agjenturave të çon drejt askundit. Nuk gjendet asnjë provë e vetme që ta vërtetojë akuzën e Enver Hoxhës. Dosja e Kadri Hazbiut është qepur sipas urdhrit të Hekuran Isait dhe të tjerëve.

Por një gjë del si drita e diellit. Plr mu, as Mehmet Shehu, as Kadri Hazbiu nuk e donin socializmin, ashtu si pretendonte ta ndërtonte ai që e kishin si shpatë mbi kokë.  Kadri Hazbiu i varrosi tre gjeneralët e tij, Beqir Ballukun, Hito Çakon dhe Petrit Dumen në Vranisht të Lumit të Vlorës. Nëse do ishte gjallë pas 90-s, me siguri do t’i zhvarroste ish-miqtë e tij me ceremoni.

Në procesverbalet në arkivë del se Enver Hoxha thotë shpesh se veprimtarinë agjenturore të puçistëve e ka zbuluar partia. Broçkulla. Partia nuk ishte në qiell. Në dy mijë e ca faqe që kam shfletuar nëpër arkiva del se e gjithë  katrahura që ndodhi brenda Bllokut ishte luftë për pushtet.

Në përplasjen e parë me Enver Hoxhën, Kadri Hazbiu i tha shefit të tij: “Asnjë sekret nuk ju mbaj shoku Enver, Teme Sejkon e kanë mbytur Rexhep Kolli me Mihallaq Ziçishtin”. I nervozuar Enver Hoxha e kërcënon: “Do të varesh ti Kadri!”. Dhe ja përgjigja e Kadri Hazbiut: – “Po mirë o, le të varem, por jo të shtrëmbërohen gjërat shoku Enver!”.

Partia nuk duhet të jetë prokurori. Por i tillë ishte diktatori. Edhe Lenini i tha Trockit: -“Juda Trocki!”. Megjithatë, nuk e eleminoi. E mbajti ministër të luftës. Kurse Enver Hoxha nuk lëshonte pe. Të gjithë i shkoi në plumb….

(Vijon)

Gazeta Dita

Më Shumë

Gjini lirohet nga detyra e ushtruesit të detyrës së shefit të repartit të Gjinekologjisë në Prizren

Spitali i Përgjithshëm “Prim.Dr. Daut Mustafa”, në Prizren, ka liruar gjinekologun Sebajdin Gjini nga pozita e ushtruesit të detyrës së shefit të repartit të...

Zhdukja e kobshme – Niset për shtëpi, e moshuara nga Rahoveci vdes në mal

Si rëndom, edhe pasditen e së dielës doli nga shtëpia, por në të nuk u kthye e gjallë.   Hajnishahe Hoti nga Ratkoci i Rahovecit pasi...

Lajmet e Fundit