18.8 C
Prizren
E martë, 16 Prill, 2024

Nuk ka heqje vizash për këtë vit

VizatGjatë kësaj jave pritet që Këshilli i Evropës të publikojë raportin e radhës, sa i përket liberalizimit të vizave për Kosovën.
Përkundër faktit që gjatë takimit të fundit ndërmjet qeverisë së Kosovës dhe zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, procesi u përshkrua si mjaft optimist, njohësit e integrimeve evropiane shprehen se nuk pritet që ky proces të përfundojë shpejt, shkruan gazeta Lajm. Sipas tyre, nuk duhet që të ndikohemi nga fakti që zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë, apo që edhe institucionet tona e vlerësojnë si pozitiv rrjedhën e procesit dhe nuk pritet që do të ketë ndonjë raport pozitiv këtë javë nga Këshilli i Evropës.

Njohësi i integrimeve evropiane, Emrush Ujkani ka thënë për gazetën “Lajm” se liberalizimi i vizave për Kosovën nuk pritet që do të ndodhë shpejt, pasi që sipas tij, institucionet kanë ende punë për të bërë.

Ai po ashtu ka thënë se nuk duhet që të ndikohemi nga fakti që zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë, apo që edhe institucionet tona e vlerësojnë si pozitiv rrjedhën e procesit dhe nuk duhet të pritet që do të ketë ndonjë raport pozitiv këtë javë nga Këshilli i Evropës.

Sipas Ujkanit, janë dy gjëra të cilat duhet të nënvizohen në këtë fazë, të cilat në një farë mënyre do të ndikojnë në këtë proces. “Vetë gjendja politike në Kosovë do të ndikojë në këtë proces, në një farë mënyre dhe tjetra është që, vetë BE-ja është në procesin e rikrijimit të institucioneve të veta të reja dhe që realisht do të ndikojë në këtë proces”, është shprehur ai.

Ndërsa, sa i përket raportit të radhës që Këshilli i Evropës pritet të publikojë gjatë kësaj jave, ai ka thënë se ende do të ketë rekomandime deri tek vendimmarrja e Këshillit të Evropës, lidhur me këtë proces, gjë e cila nuk do të jetë e shpejtë.

Gjithashtu, Ujkani ka ripërsëritur edhe njëherë, që nuk duhet të ndikohemi nga fakti që në takimin e fundit ndërmjet qeverisë së Kosovës dhe zyrës së BE-së në Kosovë, procesi i liberalizimit të vizave është përshkruar me tone optimiste, për arsye se në asnjë moment Bashkimi Evropian nuk ka thënë se gjoja në Kosovë nuk po bëhet progres. Sipas tij, ka pasur vërejtje konkrete gjatë ecjes së këtyre proceseve dhe realisht nuk pritet që do të ketë ndonjë befasi për të mirë edhe në këtë raport. “BE-ja natyrisht që do të vlerësojë për arsye se në disa sektorë ka pasur një progres të evidentuar, neve nuk kemi nevojë që të presim raportin e BE-së, kur jemi vetë në gjendje që të shohim se ka pasur një përkushtim më të madh të institucioneve tona në këtë drejtim”, ka theksuar Ujkani.

Mirëpo përkundër kësaj, sipas tij, Bashkimi Evropian do të evidentojë edhe disa gjëra të reja, që tash do të mbetet dhe do të shikohet. ” Por ka ende punë për të bërë nga ana e institucioneve tona që BE-ja të vendosë për të na dhënë liberalizimin e vizave për Kosovën”, ka deklaruar njohësi i integrimeve evropiane, Emrush Ujkani.

Nga ana tjetër, Dren Doli, nga Grupi për Studime politike dhe juridike, është shprehur se raporti i liberalizimit të vizave do të përfshijë raportin e vlerësimit të BE-së dhe komisioneve të tyre të eksperteve në mënyrën se si Kosova i ka menaxhuar kriteret individuale. Sipas tij, në bazë të udhërrëfyesit të liberalizimit të vizave për Kosovën, një numër prej 90 kërkesash individuale përfshijnë një numër standardesh të cilat Kosova është dashur t’i plotësojë. “Ky raport do të reflektojë gjendjen se si institucionet e deritanishme kanë menaxhuar me kërkesat individuale.

Natyrisht një çështje e rëndësishme në ketë vlerësim do të hyjë edhe çështja e menaxhimit dhe mbajtjes së zgjedhjeve, siç kemi thënë edhe më herët zgjedhjet kanë një rëndësi të veçantë në procesin e liberalizmit të vizave, por edhe themelimi i qeverisë”, ka thënë ai.

Kurse, sa i përket gjendjes aktuale politike në Kosovë, Doli ka deklaruar që kriza politike nuk besoj që do të jetë një segment i cili do të reflektojë aq shumë në procesin e liberalizimit të vizave. “Natyrisht, është e rëndësishme që Kosova t’i adresojë të gjitha problemet dhe nëse problemet që kanë të bëjnë me procesin e liberalizimit të vizave nuk adresohen për shkak të mungesës së Qeverisë, atëherë kjo mund të jetë një çështje që BE-ja do të shprehë shqetësimin e saj, duke argumentuar që mungesa e qeverisë ka bërë që një numër i madh kriteresh të mos adresohen nga qeveria e kaluar dhe po vonohen që të adresohen nga qeveria e tashme”, ka deklaruar Doli, duke shtuar më tej se si rrjedhojë Bashkimi Evropian, nuk mund të shohë të gatshme Kosovën për të hapur dyert për qytetarët e saj që të lëvizin lirshëm në zonën schengen.

Ndërkohë, gjatë takimit të fundit në mes zëvendësministrit Gëzim Kasapolli dhe shefit të zyrës së BE-së, Samuel Zhbogar, procesi përshkruhet me nota mjaft optimiste.

Sipas Besnik Vasollit, koordinator teknik për liberalizimin e vizave në këtë ministri, procesi është duke vazhduar dhe Kosova po shkon drejt realizimit të tij. Gjatë kësaj jave, përkatësisht, më 23 ose 24 korrik, pritet që Këshilli i Evropës do të dalë me raportin e radhës sa i përket liberalizimit të vizave”, ka thënë Vasolli.

Më Shumë

25 vjet nga thyerja e kufirit Kosovë-Shqipëri

Beteja e Koshares më 9 prill 1999, në kuadër të operacionit “Shigjeta”, është njëra ndër më të përgjakshmet dhe më heroiket e luftës së...

Urimi i Selmanajt për festën e Fitër Bajramit

Kryetari i LDK-së në Prizren, Driton Selmanaj ka vizituar Bashkësin Islame. Ai ka uruar të gjithë besimtarët Islam për festën Fitër Bajramit. "Dashuria për atdheun dhe...

Lajmet e Fundit