12.8 C
Prizren
E martë, 23 Prill, 2024

Nuk mjafton vetëm hapja e mbledhjeve të drejtorëve

Ramadan Muja 2Gazetarët dhe përfaqësuesit e shoqërisë civile vlerësojnë se kryetari i Prizrenit, Ramadan Muja duhet të tregohet më transparent në marrjen e vendimeve për qytetarët. Ata thonë se hapja e mbledhjeve të drejtorëve të Ekzekutivit mund të kuptohet si një fillim i ngritjes së transparencës.

Gazetari i TVPZ dhe RTV21, Nuhi Salihu thotë se hapja e mbledhjeve të drejtorëve të Ekzekutivit të Prizrenit, është vetëm një sinjal i vogël që Komuna ka ndaj qytetarëve.

“Mendoj se është një sinjal i vogël karshi obligimeve që Komuna e Prizrenit ka ndaj qytetarëve për transparencë dhe llogaridhënie”, thotë Salihu për PrizrenPress.

“Ka gjëra edhe më të rëndësishme për të cilat qytetarët duhet të informohen se si shpenzohen në radhë të parë taksat e tyre”.

“Ka shumë projekte të cilat duhet të publikohen se cila ka qenë vlera reale e tyre dhe realisht sa para janë shpenzuar për ato projekte nga pushteti”,shprehet Salihu.

Edhe përfaqësuesi i KDI-së në Prizren, Naim Cahanaj thotë se hapja e mbledhjeve të drejtorëve të Ekzekutivit është një masë e vogël që kryetari Ramadan Muja ka bërë në drejtim të rritjes së transparencës.

“Hapja e mbledhjeve të kryetarit të Komunës së Prizrenit me drejtorët e drejtorive komunal është një masë e vogël në drejtim të rritjes së transparencës në procesin vendimmarrës”,thotë Cahanaj.

“ Terri informativ në vendimet e qeverisë komunale që nga viti 2009 gjerë më sot nuk gjunjëzuan shoqërinë civile dhe mediat, që të kërkojnë në vazhdimësi transparencë më të madhe të vendimmarrjes nga ekzekutivi i Komunës së Prizrenit”.

“Akti i kryetarit që të pranojë hapjen e mbledhjes së bordit të drejtorëve ( jo procesin vendimmarrës) mund të cilësohet si fillim i një procesi në ngritjen e transparencës komunale dhe ndërrimit të qasjes së deritanishme të individëve në pozitat publike”.

“Kjo assesi nuk duhet të ndalet me kaq, madje edhe kur ka transparencë duhet të kërkohet edhe më tej transparenca mbi gjitha qytetarët e Komunës së Prizrenit duhet të informohen për çdo detaje të vendimmarrjes komunale,sepse buxheti i Komunës është i qytetarëve, por jo edhe i pushtetarëve që qeverisin me institucionet lokale”./PrizrenPress.com/

Më Shumë

Lajmet e Fundit