13.8 C
Prizren
E premte, 26 Prill, 2024

UP nuk shpall konkurs për studentë të rinj, reagon Departamenti i Matematikës

UP-logoDepartamenti i Matematikës të Fakultetit të Shkencave të Universitetit të Prishtinës e ka quajtur absurd që me konkursin për pranim të studentëve të rinj në këtë universitet nuk është paraparë pranimi i asnjë studenti nga fusha e matematikës, pavarësisht se s’ka asnjë që e ka kryer këtë fakultet i cili nuk ka gjetur punë.

Reagimi i është drejtuar të gjithë zyrtarëve më përgjegjës të vendit.

Në mbledhjen e datës 10.07.2014 Departamenti i Matematikës, ndër të tjera, diskutoi edhe për Konkursin e shpallur nga UP për pranimin e studentëve të rinj.

Departamenti i Matematikës shpreh shqetësimin e vet të thellë që Universiteti i Prishtinës nuk shpalli konkurs për pranimin e studentëve të rinj në drejtimin e matematikës.

Departamenti i Matematikës konstaton se UP nuk ka asnjë edhe një arsye të vetme për mosshpalljen e konkursit, për shkak se:

1. Departamenti i Matematikës është ndër departamentet më të vjetra në UP (54 vjet veprimtari shumë të suksesshme);

2. Për gjatë gjithë veprimtarisë së tij nga Departamenti i Matematikës kanë dalë emra të cilët kanë bërë emër në fushën e shkencës së matematikës;

3. Departamenti i Matematikës vazhdon që me shumë përpjekje të mbajë nivelin e lartë të cilësisë, përkundër një ambienti joshkencor dhe jocilësor që e rrethon UP nga brenda e nga jashtë;

4. Departamenti i Matematikës është ndër departamentet e rralla në UP dhe jashtë tij që ka staf të kualifikuar dhe kompetent të njohur edhe në përmasa ndërkombëtare;

5. Shoqata e Matematikanëve të Kosovës ka arritur të organizojë Olimpiadën e Matematikës në nivel të Kosovës dhe fituesit e saj kanë marrë pjesë në Olimpiadën Botërore të Matematikës dhe kanë arritur rezultate shumë të mira. Për më tepër, përgatitjet për Olimpiadë kanë nxitur një zinxhir të tërë garash nëpër shkolla të mesme e fillore e që kanë ndikuar dukshëm në përmirësimin e cilësisë së mësimit të shkollës kosovare që ka degraduar keq;

6. Departamenti i Matematikës e ka konsideruar jo të drejtë detyrimin që iu bë nga MASHT (Ministria e Arsimit Shkencës dhe Teknologjisë), AAK (Agjencia e Akreditimit e Kosovës) e dhe Rektorati i UP (Universiteti i Prishtinës) që studimet e matematikës t’i bëjë trevjeçare dhe të bëjë të njëjtën përgatitje studimore për gjithë matematikanët që punojnë që nga klasa e gjashtë e deri në klasën e dy/trembëdhjetë të shkollës së mesme;

7. Departamenti i Matematikës ishte i detyruar që të riaplikojë për akreditim të programit të matematikës për një Bachelor trevjeçar. Aplikacioni është dorëzuar më 13.01.2014 dhe ndërkohë AAK nuk u gjeti kohën e nevojshme për procedimin e aplikacionit dhe akreditimin formal të programit, gjë që ishte pretekst i mjaftueshëm për rektoratin e UP që të mos shpallë konkursin për studentët e ri në degën e matematikës;

8. Asnjë i diplomuar nga Departamenti i Matematikës deri tash nuk është i papunë. Përkundrazi, as 30% e nevojave të arsimit e parauniversitar nuk janë të plotësuara me kuadër të matematikës;

9. Departamenti i Matematikës shprehë shqetësimin se ky veprim i udhëheqjes së AAK dhe të rektoratit të UP është pasojë e raporteve të pa pastruara financiare në mes tyre dhe një hakmarrje e turpshme ndaj reagimeve që bëhen nga Departamenti i Matematikës, si institucion apo dhe individualisht nga anëtarët të saj, për degradimet që bëhen në fushën e arsimit të lartë në UP dhe jashtë tij. Për më tepër, Departamenti i Matematikës thekson edhe një herë se ky lloj presioni dhe hakmarrje nuk mund të na e mbyllë gojën që të ngrehim zërin për të gjitha parregullsitë dhe degradimet që e kanë mbërthyer arsimin e lartë në Kosovë, e me theks të veçantë Universitetin e Prishtinës;

10. Departamenti i Matematikës shprehë habinë e madhe që AAK akrediton programe nëpër universitet fantome, private e publike, e të cilët janë pa staf a pa traditë, ndërsa saboton akreditimin e programit të Matematikës që ka një staf super të kualifikuar, shumë nga të cilët kanë bërë studime e doktorata në universitete të njohura botërore;

11. Departamenti i Matematikës ndanë shqetësimin edhe të një numri të madh të interesuarish për regjistrim në studimet e matematikës, të cilët kanë vërshuar shumë me kërkesa për shpjegime se çka ka po ndodhë me konkursin e UP dhe mungesën e vendeve për studime në shkencën e matematikës;

Për sa u tha më sipër, Departamenti i Matematikës i drejtohet me kërkesë urgjente: Presidentes së Republikës së Kosovës, znj. Atifete Jahjaga, kryeministrit të Republikës së Kosovës, z. Hashim Thaqi, ministrit të MASHT, z. Ramë Buja, u.d, të rektorit të UP, Prof. Anton Berisha, Kryetares së Boordit të Cilësisë në AAK, Prof. Ferdije Zhushi, që të ushtrojnë autoritetin e tyre dhe përgjegjësitë shtetërore në mënyrë që menjëherë të shpallet konkursi për studentët e rinj në Departamentin e Matematikës. Zvarritja në këtë drejtim, apo edhe neglizhimi i këtij problemi, do të krijojë dëme të pariparueshme për të gjitha hallkat e arsimit të Kosovë. Kurse përgjegjësia juaj, zonja dhe zotërinj të nderuar, do të jetë historike dhe ligjore.

Në të kundërtën, Departamenti i Matematikës do të shfrytëzojë të gjitha mundësitë dhe format për të kundërshtuar këto sulme të papara dhe të papërgjegjshme që po i bëhen Departamentit të Matematikës, dhe matematikës kosovare përgjithësisht, nga hallka të caktuara të sistemit të arsimit në Kosovë. Në të njëjtën kohë Departamenti i Matematikës i fton të gjithë matematikanët e Kosovës, të gjithë arsimdashësit e Kosovës, të gjitha Mediet dhe Shoqërinë Civile që të solidarizohen me ne kundër këtij veprimi të papresedan të Universitetit të Prishtinës, Agjencionit të Kosovës për Akreditim dhe Ministrisë së Arsimit Shkencës dhe Teknologjisë të Kosovës, përfundon reagimi i nënshkruar nga Prof. Dr. Rexhep Gjergji, shef i Departamentit të Matematikës të UP-së.

Më Shumë

Suksesi në vlerësimin e brendshëm të shkallës së V-të në gjimnazin “Gjon Buzuku” të Prizrenit

Në gjimnazin "Gjon Buzuku", të enjten u zhvillua vlerësimi i shkallës së pestë për nxënësit e klasave të XI-ta. Drejtoresha e gjimnazit, Gylaj Shipkovica-Karjagdiu, njoftoi...

50 vite karrierë! Shkurte Fejza ndan lajmin e bukur me ndjekësit e saj

Këngëtarja Shkurte Fejza ka dhënë një lajm të bukur për mbështetësit e muzikës së saj. Ajo ka njoftuar se do të mbajë dy koncerte, një...

Lajmet e Fundit