4.8 C
Prizren
E shtunë, 20 Prill, 2024

Olise i Crystal Palace – futbollisti që ‘dashurohet’ nga katër përfaqësuese

Kampionati Botëror “Katari 2022” nis pas shtatë muajve, ndërsa Michael Olise ka krijuar një stuhi diplomatike në rrafshin futbollistik.

Mesfushori i Crystal Palace po e shijon një edicion fantastik në Premier League, që është i pari në elitën e futbollit anglez prej se iu bashkua ekipit nga Londra nga Readingu për dhjetë milionë euro. Deri më tani ai ka 24 paraqitje për Crystal Palacen, kurse ka shënuar katër gola dhe ka bërë tetë asistime në të gjitha garat.

Kjo ka bërë që Olise 20-vjeçar të jetë futbollisti më i kërkuar në botë. Jo prej klubeve, por nga përfaqësueset. Është interesant fakti se mesfushori me të ardhme të ndritur mund t’i përfaqësojë katër përfaqësuese të ndryshme: Francën, Anglinë, Nigerinë dhe Algjerinë.

Ai ka lindur në Angli, saktësisht në Londër, dhe hapat e parë si futbollist i ka bërë në shkollën e futbollit të Chelseat. Por u largua në moshën 14-vjeçare për t’iu bashkuar Manchester Cityt. Te City, Olise nuk qëndroi shumë dhe firmosi me Readingun, ku në moshën 17-vjeçare debutoi për ekipin e parë në Championship – në vitin 2019. Ndërkohë, edicionin e shkuar ai u shpall lojtari më i mirë i ri i kategorisë së dytë të futbollit anglez, çmim që i siguroi kalimin në Premier League.

Babai i tij është nigerian, kurse nëna ka prejardhje nga Algjeria, por është e lindur në Francë. Dhe për këtë arsye katër përfaqësuese janë në luftë për ta siguruar mesfushorin që ka kontratë me Palacen deri në verën e vitit 2026.

Për shkak se nëna i ka lindur në Francë, Olise deri më tani ka përfaqësuar këtë shtet. Në fakt ai ka vetëm dy paraqitje për Përfaqësuesen U18 të Francës që i ka bërë në vitin 2019. Nigeria i kishte dërguar ftesë vitin e shkuar mesfushorit për kualifikimet e Kupës së Afrikës, saktësisht ndeshjet kundër Beninit dhe Lesotos, por Olise nuk u përgjigj. Babai i tij dëshiron që ai ta zgjedhë Nigerinë, nëna insiston për Francën, e dashura, që është algjeriane, i bën presion për Algjerinë dhe përzgjedhësi i Anglisë, Gareth Southgate, po e thërret në ekipin e tij. Olise ende nuk ka marrë një vendim të prerë dhe për momentin i ka të hapura të gjitha opsionet. Por fokusin e ka te Crystal Palace.

“Ky vendim i takon lojtarit, saktësisht është vendim familjar. Ai nuk ka ardhur për të më kërkuar ndonjë këshillë rreth kësaj çështjeje dhe për mua është e rëndësishme që ai të vazhdojë të ketë paraqitje të mira me Crystal Palacen”, ka thënë trajneri i Palace, francezi Patrick Vieira.

Federata e Futbollit të Anglisë tashmë e ka kontaktuar mesfushorin pas presionit të përzgjedhësit Southgate për ta pasur në ekip. Madje zyrtarët e Federatës angleze tashmë kanë pasur bisedime me lojtarin dhe familjarët e tij, por Olise nuk ka kthyer asnjë përgjigje. Southgate nuk po dorëzohet. Nuk po dorëzohen as përfaqësueset e tjera që e shohin mesfushorin Olise si një lojtar që po del në skenë gradualisht.

Për dallim prej Michaelit, vëllai më i vogël, Richardi, tashmë ka ndarë mendjen se cilin shtet do ta përfaqësojë. Ai ka zgjedhur Anglinë dhe është pjesë e ekipit U18. Richardi 17-vjeçar është pjesë e ekipit U19 të Chelseat dhe luan mbrojtës i krahut të djathtë.

Michael Olise qysh në edicionin e parë te Palace ka pasur ndikim në këtë skuadër që po lufton për një vend që dërgon në garat evropiane edicionin e ardhshëm. Te Palace po frikësohen se mund të mesin pa mesfushorin perspektiv në fund të këtij edicioni. Së fundmi është raportuar se skuadrat e mëdha të Evropës po bëjnë gati ofertat për mesfushorin.

“Unë vetëm shpresoj ta kem në skuadër edhe pas këtij edicioni sepse është një lojtar fantastik”, shtoi trajneri Vieira.

Më Shumë

“Pata bashkëbisedim të ngrohtë”, Abidixhiku viziton fshatin Bellanicë të Malishevës

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, vizitoi fshatin Bellanicë të Malishevës, ku u prit në shtepinë e familjes Kafexholli. Në një postim...

Parashikohet rënie e temperaturave në javën e ardhshme

Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës ka njoftuar se për javën e ardhshme parashihen ulje e temperaturave të vlerave ekstreme dhe reshje të shiut. E hëna...

Lajmet e Fundit