5.9 C
Prizren
E diel, 22 Dhjetor, 2024

“Onufri” boton Shekspirin e Skënder Luarasit

shekspiri450-vjetori i lindjes së Shekspirit (26 prill 1564–23 prill 1616) do të përkujtohet nga shtëpia Botuese “Onufri” me botimin e kolanës së gjashtë përkthimeve nga ky autor në gjuhën shqipe të Skënder Luarasit. Kolana përbëhet nga “Mbreti Lir” (King Lear), “Rikardi II” (Richard II), “Rikardi III” (Richard III), “Tregtari i Venedikut” (Merchant of Venice), “Komedia e keqkuptimeve” (Comedy of Errors), “Si ta doni” (As You Like It). Historiku i përkthimit të veprave të Shekspirit në gjuhën shqipe nis me Fan Nolin në vitet ‘20, i cili përktheu “Otellon“ dhe vijon me Skënder Luarasin që ka përkthyer veprën “Jul Cesari“. Më pas erdhën në gjuhën shqipe veprat më të mëdha të Shekspirit “Hamleti”, “Makbethi”, “Tregtari i Venedikut”, “Mbreti Lir”, “Rikardi II”, “Rikardi III”, “Komedia e Keqkuptimeve” dhe “Si ta doni”.

Shekspiri u bë mjaft i njohur për shqiptarët, falë shqipërimeve, jo vetëm të Skënder Luarasit, por edhe të Vedat Kokonës, Alqi Kristos, Napoleon Tasit, Perikli Jorgonit, etj. Duke nisur përkthimet me Shekspirin, Skënder Luarasi për më shumë se 60 vjet rresht ka shqipëruar mbi 40 vepra të autorëve të njohur të letërsisë botërore si Schiller, Oscar Wilde, A. Tennyson, Pushkin, Whitman, De Vega, Dickens, Byron, Goethe, Longfellow, Lessing, Rodrigues, etj. Me “Jul Cesarin” e ”Tregtarin e Venedikut”, Skënder Luarasi nisi përkthimin e kolanës së veprave të Shekspirit.

Botimet “Onufri” me këtë botim kanw hedhur dritë mbi figurën e këtij përkthyesi të rëndësishëm në letrat shqipe. Me gjithë kontributin e Luarasit në lëmin e përkthimit, ende nuk shkruhet aq sa duhet për të. Skënder Luarasi nisi të përkthejë prozë e poezi dhe është një vazhdues i denjë i shkollës shqipëruese të Fan Nolit, ku të dy këta personalitete gjatë punës me përkthimin punonin me pasion dhe dashuri për gjuhën shqipe, duke gjetur përkimet më interesante për ta bërë veprën sa më të dashur për lexuesin. Falë përkthyesve të tillë, si Noli e Luarasi brezat e mëvonshëm sollën në lartësinë e origjinalit tragjeditë e mëdha të letërsisë botërore.

Studiuesi i njohur Jup Kastrati ka deklaruar se ”me përgjegjësi shkencore e them se prof. Skënder Luarasi qëndron përkrah Nolit dhe Konicës”. Meritat e Skënder Luarasit si përkthyes janë pasuria e madhe e aforizmave, e fjalëve të urta, sentencave, metaforave, simboleve që përmbajnë veprat me të cilat ka barasvlerësuar edhe përmbajtjen e figurshme të veprave të letërsisë botërore, në rastin tonë edhe të Shekspirit të madh. Skënder Luarasi, shprehen studiuesit, është përkthyesi që ka ditur të përcjellë në gjuhën shqipe tensionin e brendshëm dramatik që përshkon skenat e gjalla e plot larmi të personazheve të Shekspirit.

“Veprat, pavarësisht nga zhanri që i përkasin, nuk janë zbehur e s’janë rrafshuar e rrumbullakosur, por kanë ruajtur atë jetë dhe gjallëri që kanë dhe në origjinal. Diku të ashpra e të murrëtyera, diku me ngarkesa të mëdha psikologjike e filozofike, diku të brishta e fluide, diku plot dritë e tinguj, diku si të kallkanosura e me një ngurosje të llahtarshme e mjaft domethënëse.”, ka shkruar Perikli Jorgoni.

Ndërsa studiuesi Adriatik Kallulli është shprehur se: “Merrni cilëndo vepër që Skënder Luarasit që ka përkthyer në gjuhën shqipe. Do të vini re menjëherë koherencën e stilit, pasurinë dhe begatinë e shqipëruesit, natyrshmërinë e konteksteve dhe frymën e lartë të komunikimit. Po do të pikasni menjëherë vrullin e ritmit, qoftë në prozë, qoftë në poezi, gjallërinë dhe ekspresivitetin e dialogut dhe monologëve dramatikë, peshën dhe saktësinë e fjalës, bukurinë e shprehjes dhe buisjen e përfytyrimeve te cilido lexues.”

Për talentin e përkthyesit Skënder Luarasi janë shprehur edhe mjaft kritikë e studiues, por këto shkrime janë të shpërndara në artikujt të ndryshëm, të cilat një ditë duhen mbledhur për të njohur profilin e plotë të përkthyesi.

Luarasi përmes përzgjedhjes së veprave të Shekspirit për përkthimin, ka aktualizuar edhe mendimet e tij që kishte kundër sistemit totalitar, mesazhe që buronin vetvetiu nga tragjeditë “Mbreti Lir”, “Rikardi II” e “Rikardi III” të Shekspirit të madh.

(shqiptarja.com)

Më Shumë

Përfundon stinori vjeshtor, Rahoveci dimëron në vendin e parë

Me tri ndeshje të zhvilluara të enjten, ka përfunduar stinori vjeshtor në Superligën e Kosovës në hendboll në konkurrencë të meshkujve. Skuadrat favorite nuk kanë...

Prizren/Avokati Asdren Mekaj shpallet i pafajshëm, lirohet nga akuzat për “detyrim”

Avokati Asdren Mekaj është liruar nga të gjitha akuzat që rëndonin mbi të lidhur me veprën penale “detyrim”. Aktgjykimi lirues është shpallur sot në Gjykatën...

Lajmet e Fundit