Fillimi i punës së Kuvendit të Kosovës riaktualizoi nismën për krijimin e një komisioni hetimor, për të zbardhur veprimtarinë dhe dyshimet për vepra kriminale, që mund të jenë bërë nga paslufta e këndej nga ana e SHIK-ut, një strukturë sigurie, cila është identifikuar me PDK-nëdhe disa nga figurat kyçe të këtij subjekti politik, shkruan Kosova Sot.
Për këtë lloj nisme parlamentare, pritet të ketë një përpjekje të re të koordinimit të tri subjekteve politike opozitare që, duke shfrytëzuar edhe deputetët e pavarur dhe disa deputetë të pakënaqur brenda koalicionit PDK-LDK, të sigurojnë numrin e mjaftueshëm të votave.
Në krye të SHIK-ut ka qenë kryetari i tanishëm i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, që zyrtarisht e ka pushuar funksionimin si organizatë e sigurisë që nga shpallja e pavarësisë së Kosovës.
Nisma e re e VV-së Shefi i Grupit parlamentar të subjektit më të madh politik opozitar në Kuvendin e Republikës, deputeti VisarYmeri, nga lëvizja ‘Vetëvendosje’, është i sigurt që në riaktivizimin e kësaj nisme, grupi parlamentar që e kryeson ai do të arrijë t’i bindë edhe subjektet e tjera politike në Kuvend, ato të opozitës, që t’i bashkohen kësaj nisme të re, me shpresë që tani edhe deputetë nga koalicioni qeverisës dhe të tjerë të pavarur t’i bashkëngjiten kësaj nisme.
“Lëvizja ‘Vetëvendosje’ do ta vazhdojë nismën e saj që nga legjislatura e kaluar për një komision hetimor ndaj Shërbimit Informativ të Kosovës, punës, veprimtarisë, financave, bazës ligjore e kështu me radhë. Do të flasim edhe me grupet e tjera opozitare, por edhe me deputetë individualë të koalicionit qeverisës, të cilët do të ishin të interesuar që ta hetojnë këtë shërbim dhe ta kuptojmë njëherë e përgjithmonë se kujt i ka shërbyer, për çka dhe në çfarë mënyre ka funksionuar ky i ashtuquajturi Shërbim Informativ i Kosovës”, ka deklaruar deputeti Ymeri.
Nismës së re që do të iniciohet nga ‘Vetëvendosje’ do t’i bashkohet edhe Grupi parlamentar i AAK-së dhe Nismës.
“Ne do të vazhdojmë me kërkesën e bërë edhe në vitin 2011 dhe presim që bashkërisht opozita të bëj punë në këtë drejtim dhe sigurisht që të kemi edhe përkrahjen individuale edhe të gjithë atyre, që mendojnë ndryshe brenda Kuvendit”, tha kryesuesja e Grupit parlamentar të AAK-së, Donika Kadaj-Bujupi. Gazeta “Kosova Sot” ka kontaktuar edhe me disa deputetë, nga ata të pakënaqurit e LDK-së, por në mesin e tyre është vërejtur se akoma nuk ka një qartësim të plotë të pozicionit, që do të mbajnë ndaj kësaj nisme, ndonëse atë e shohin si çështje me interes për zbardhjen e plotë të së kaluarës së SHIK-ut. Sidoqoftë ka edhe zëra brenda LDK-së që nuk e përjashtojnë mundësinë e bashkimit me nismën e opozitës për hetimin e SHIK-ut.
“Rreth SHIK-ut tani qarkullojnë teori të ndryshme si rezultat i mungesës së transparencës dhe llogaridhënies së kësaj organizate. Një hetim ligjor dhe i pavarur do të mundësonte vlerësimin real mbi rolin dhe karakterin e SHIK- ut”, tha deputeti i LDK-së Anton Çuni.
Në favor të një nisme serioze për hetimin e së kaluarës së SHIK-ut është iniciativë parlamentare për hetimin e SHIK- ut ishte ndërmarrë që nga viti 2011 nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, por nuk që t’i bashkëngjitet kësaj nisme të opozitës së re parlamentare, sado që e sheh të nevojshme zbardhjen e veprimtarisë së SHIK-ut edhe deputeti Adem Salihaj po nga LDK-ja, votues kundër koalicionit me PDK-në, por ai thotë se deri në definimin e plotë të qëllimit të kësaj nisme, nuk e garanton dhënien e mbështetjes së tij për t’u bashkuar me nismën opozitare.
“Së pari unë duhet të mendoj për këtë çështje pas bisedës që ata mund ta bëjnë me mua, që t’i bashkëngjitëm kësaj nisme. Unë në parim nuk kam asgjë që të hetohet një organizatë, të cilën unë vazhdimisht e kam quajtur kriminale, që ka kryer akte të ndryshme kriminale, por në pyetje është se a do të mundet që një komision hetimor parlamentar ta hetojë rrënjësisht këtë çështje dhe ta nxjerrë të vërtetën në shesh, apo ky komision në fakt vetëm sa mund t’i ndihmojë kësaj organizate, që të duket si e pastër dhe të rehabilitohet në njëfarë mënyre edhe nga Kuvendi i Kosovës”, tha ai.
“Në fund të fundit, pavarësisht konkluzioneve që mund të nxjerr një komision hetimor parlamentar, megjithatë kjo çështje në fund duhet të votohet nga Kuvendi dhe nuk besoj që aty ka mundësi të sigurohet shumica e votave për ta gjykuar ose shpallur si kriminale një organizatë të tillë’, tha deputeti Salihaj.