Fadil Maloku
1. Opozita (LDK-ja dhe LV-ja, por jo edhe fraksioni i saj tash PSD-ja, që është bërë pjesë e qeverisë) me indiferencën, neglizhencën dhe sidomos me agresivitetin e saj të heshtur, në temat e karakterit nacional e shtetëror, lëre që e ka degraduar e shëmtuar diskursin dhe kultin mbi demokracinë e pluralizmin politik, por, edhe e ka vonuar (për të mos thënë bastarduar) nevojën e ndryshimit të “etheve” të tranzicionit nëpër të cilën po kalon Kosova, në këto dy dekada koti…!
2. Opozita me (argatët e djajve qeveritar të pasluftës) qëndrimin jokoherent në publik, me akuzat dhe kundërakuzat improvizuese, e joatraktive për temat, shqetësimet dhe mundimet jorelevante nëpër të cilat po i kalon vendi, jo vetëm që nuk po demonstron fuqi e karizmë të numrave (se e ka shumicën shqiptare pas veti), por, nuk po dëshmon as fuqi, e as sens e interesim për ta ndryshuar gjendjen shpërthyese; ekonomike e sociopolitike.
3. Duket që ajo këtë po e bënë qëllimisht dhe për disa arsye; a) ka vlerësuar (pa matje të duhura në publikun e gjerë) që temat si demarkacioni, gjykata, e sidomos tema e “korrigjimit” (lexo; copëtimit) është ajo “patatja e nxehtë” të cilën mund ta kryejnë vetëm akterët (alias komandantët) e luftës; b) ka nuhatur qartë gabimisht, se temat dhe problemet nacionale së bashku me ato shtetërore i takojnë ekskluzivisht qeverisë; c) ka nënvlerësuar dhe nënçmuar “peshën e vetë specifike” në raport me pakicën aktuale qeveritare; d) ka demonstruar deri më tani vetëm “fuqi tigri prej letre”, sidomos kur janë në pyetje krimi, korrupsioni, papunësia dhe varfëria marramendëse; e) ka kultivuar e ndërtuar atmosferë fatëpajtuese dhe koketuese me qeverinë (fraksioni i LV-së) në vend të një “agresiviteti” evident demokratik, në parlament në medie e pse jo edhe në rrugë; e) ka kalkuluar (duke mos u ofruar alternativa) me kurtuazi shëmtuese, me aleatë dhe miqtë ndërkombëtarë; f) ka injoruar trendët e pakënaqësisë sociale dhe ato ekonomike të vendit; g) ka margjinalizuar rolin dhe rëndësinë e shoqërisë civile dhe medieve neutrale…