16.8 C
Prizren
E premte, 3 Maj, 2024

Opozitës i është thyer “shpata”

Pjesëmarrja e lëvizjes “Vetëvendosje” në dy seancat e fundit të Kuvendit të Kosovës për njohësit e rrethanave politike nuk japin shpresë reale që opozita mund t’i rikthehet veprimit të përbashkët për të mirën e vendit dhe për rrezikimin serioz të koalicionit të madh PDK-LDK, që po e keqqeveris vendin.

Sipas analistëve, rrugët e bashkëpunimit ndëropozitar pas kësaj thyerje të madhe janë shumë të vogla, pasi që tani është shthurur përfundimisht ëndrra e një opozite të fortë e të bashkuar. Derisa ‘Vetëvendosje’ ka siguruar që do të jetë në vazhdimësi në Parlament, AAK-ja e Nisma e kanë kritikuar rikthimin e ish- partnerit opozitar dhe janë zotuar se do të vazhdojnë të mbeten në kohë të pakufizuar jashtë Kuvendit. Kjo qarje e madhe e opozitës, sipas analistëve politikë, i ka shuar përfundimisht shpresat e qytetarëve, të cilët besonin se opozita e mobilizuar do të mund të sillte ndryshime pozitive derisa tani është rirreshtuar për interesa personale, klanore e grupore të partive që u përkasin dhe ndryshimet janë të pamundura. Kjo sjellje joserioze, sipas analistëve, vetëm sa e ka rritur akoma më shumë zhgënjimin e qytetarëve në gjithë klasën ekzistuese politike në vend, në të dy krahët.

Politologu Faik Krasniqi vlerëson se situata e krijuar, pas bashkimit të opozitës për t’i kundërshtuar marrëveshjet e dëmshme të nënshkruara në Bruksel mes Qeverisë së Kosovës dhe asaj të Serbisë, te qytetarët jepte shpresë se do t’i jepej fund këtij pushteti mafioz.

“Por, ajo opozitë e bashkuar dhe shpresa që krijuan tek qytetarët e Kosovës, fatkeqësisht, zgjati vetëm disa muaj dhe ndodhi edhe çarja e opozitës”.

Krasniqi thotë se pas prishjes së opozitës së bashkuar filloi një luftë e ”egër” mes partive opozitare dhe shkuan aq larg ku, përveç akuzave të ashpra, filluan edhe t’i marrin anëtarët njëra-tjetrës.

“Opozita, në vend që të merrej me njëra-tjetrën, nëse seriozisht e ka hallin e qytetarëve dhe shtetit, ajo do të duhej të merrej me ata që po qeverisin keq, me ata që i kanë kapur institucionet dhe kanë bërë që krimi dhe korrupsioni të lulëzojë. Me ata që i kanë kapur institucionet e pavarura të shtetit, e mbi të gjitha ata që e kanë kapur sistemin e drejtësisë”, u shpreh Krasniqi për gazetën.

Ai konsideron se mundësi bashkëpunimi ndëropozitar ka akoma nëse ka vullnet politik për t’u angazhuar në të mirë të vendit, ndryshe kjo opozitë nuk e ka jetëgjatësinë e sigurt në skenën politike të vendit dhe do të jetë përgjegjëse për krijimin e mundësive të reja të vazhdimit të kapjes së shtetit nga koalicioni aktual.

“Nëse opozita vepron sërish si opozitë e bashkuar, qoftë në Parlament e qoftë jashtë tij, atëherë ky pushtet kriminal nuk do ta ketë gjatë, por nëse veprimet e tyre bëhen ndaras, siç janë duke vepruar këto dytre muajt e fundit, “Vetëvendosje” në Parlament e AAK-ja dhe Nisma jashtë Parlamentit, do t’i bëjnë një nder të madh Qeverisë, sepse ashtu dëshiron ky pushtet, që opozita të jetë e përçarë, e mundësisht luftën ta vazhdojnë ndaj njëra-tjetrës”, thotë Krasniqi.

Ndërkaq, analisti Blerim Burjani thotë se tani opozita është e paaftë për t’u ribashkuar.

“Tani përfundimisht po shihet që opozita është e paaftë për t’u ribashkuar, derisa veprimet individuale të subjekteve opozitare në formë klandestine vetëm se e zbehin akoma më shumë imazhin, por janë edhe të paefektshme. Pra, përveçqë opozita me veprimet e veta ka sjellë deri te humbja e betejës me pushtetin, kjo situatë ka sjellë edhe një paralizë të madhe në vijën vepruese opozitare”, thotë analisti Blerim Burjani. /Kosova Sot/

Më Shumë

Në gati çdo profesion në Kosovë, burrat paguhen më shumë sesa gratë – kaq janë pagat

Shumica e sektorëve në tregun e punës në Kosovë janë të dominuar nga burrat. Por, edhe në sektorët që punësojnë më shumë gra –...

Kampioni ende gjallë, “ia fik” dritat Yllit

Në një super ndeshje dhe dramatike, Peja fitoi ndaj Golden Eagle Yllit 80:81 (26:20, 21:26, 15:13, 18:22), duke barazuar serinë gjysmëfinale të Play-offit në...

Lajmet e Fundit