24.8 C
Prizren
E martë, 7 Maj, 2024

Paraburgoset shtetasi i Shqipërisë, sulmoi një turk në Prizren

Gjykata Themelore në Prizren i ka caktuar masën e paraburgimit në kohëzgjatje prej 30 ditëve, të akuzuarit për sulm, Afrim Nikoqit. Kërkesa për caktimin e një mase të tillë u bë nga prokurorja Elfete Purova.

Në seancën e mbajtur të mërkurën, prokurorja Purova konsideroi se janë plotësuar kushtet ligjore që të akuzuarit t’i caktohet masa e paraburgimit, pasi që i njëjti dyshohet edhe për një vepër tjetër penale.

Një kërkesë e tillë u kundërshtua nga mbrojtësja e të pandehurit, avokatja Elvane Gjini, e cila për këtë seancë ishte e angazhuar sipas detyrës zyrtare. Sipas saj, një kërkesë e tillë nuk është e bazuar në prova. Avokatja Gjini kërkoi nga gjykata që ta refuzojë kërkesën e prokurores Purova, duke marrë parasysh faktin se është hera e parë që i mbrojturi i saj po akuzohet për një vepër penale.

Pas dëgjimit të prokurores dhe avokatit mbrojtës, gjykatësi Gani Kastrati mori vendim me të cilin të pandehurit Afrim Nikoqi i shqiptohet masa e paraburgimit prej 30 ditëve. Sipas tij, pasi që Nikoqi është shtetas i Republikës se  Shqipërisë, mund të arratiset, dhe kjo do të vështirësonte procesin gjyqësor.

Ndryshe, Nikoqi akuzohet se me 24 prill 2017, në rrugën “De Rada” në Prizren,  përkatësisht afër stacionit të autobusëve, me dashje përdor forcën ndaj të dëmtuarit Barbaros Sojhadi. Këtë e bën në atë mënyrë që fillimisht e ndalon të dëmtuarin dhe kërkon nga ai që ti blejë dy qofte. Sojhadi i tregon të pandehurit se nuk ka para, duke i thënë se nëse nuk beson lë ta kontrollojë. Në atë moment i pandehuri i drejtohet me fjalët “qiti paret”, e më pas e grushton në fytyrë, por nuk i shkakton lëndime të dukshme trupore.

Me këto veprime i akuzuari Afrim Nikoqi pretendohet se ka kryer veprën penale “sulm” nga neni 187 paragrafi 1, të Kodit të ri Penal të Republikës së Kosovës. Sipas këtij kodi, vepra në fjalë është e dënueshme me gjobë ose deri në tre vite burgim./betimiperdrejtesi/

Më Shumë

Lajmet e Fundit