Parku i qytetit të Prizrenit dikur ishte një nga oazat e freskimit dhe bukurisë së këtij qyteti dhe turqit kishin bërë një financim të konsideruar, duke e bërë parkun e qytetit një nga parqet me standarde të larta për relaksim dhe pushim. Deri para një viti gjithçka dukej mirë, por kohët e fundit ky park ka pësuar degradime të mëdha. Janë prishur pothuajse të gjitha ulëset, janë thyer lojërat e fëmijëve dhe ai park i dikurshëm ka marrë pamjen e trishtuar të një deponie publike, kështu pohuan studentët Elmedina Hoxha dhe Armir Hoti, shkruan gazeta Kosova Sot.
”S’ka njeriu ku ulet e ku pushon”
Studentja Elmedina Hoxha është shprehur për “Kosova Sot” se dikur dilte për të marrë ajër të pastër, por tani këtu ka trishtim. Por, me këtë rast, pos organeve përgjegjëse, ajo fajëson edhe qytetarët që e shkatërruan atë. “Edhe ne si studentë mirë është të marrim ndonjë iniciativë që këtë park të bukur ta shndërrojë në oazë mrekullie. Plaku Mustafë Berisha thotë se parku është bërë strehë e narkomanëve e ndoshta edhe më keq.”Tani këtu natën nuk mund të kalohet assesi”, tregon ai. “Po të zë nata këtu, as që guxon të hysh e mazomakeq”, shprehet ai. Ndërsa Armir Hoti, student, tregon se para një viti e më tepër këtu shumë ishte një vend për kënaqësi, sidomos gjatë dimrit. Tash po e shihni këtu ka vetëm trishtim. S’ka njeriu ku ulet e ku pushon. Tashmë këtu ka gjithçka, por nuk ka mundësi të relaksohesh”, është shprehur ai.
Së shpejti tenderi
Drejtori i Shërbimeve Publike, Sulltan Badallaj, për gazetën pohon përmes telefonit se janë duke u munduar ta sanojnë gjendjen.”Para disa ditësh kemi bërë pastrimin e mbeturinave, kemi caktuar edhe një roje, i cili e ka për detyrë të mbikëqyrë gjendjen. Tashmë i kemi përgatit të gjitha dokumentet dhe së shpejti do të dalë tenderi për parkun e qytetit me financim dhe shërbim publiko-privat dhe afati do të jetë për një dekadë. Ne me këtë besojmë që atë park ta rikthejmë ashtu, siç ka qenë një vend pushimi për prizrenasit”, shprehet ai.
Edhe asamblisti i komunës së Prizrenit, Naser Berisha, që është ekspert i ambientit pohon se Qeveria turke ka investuar shuma të mëdha në këtë park. “Por, tashmë, siç dihet, i tëri ai investim është dëmtuar. Prandaj duhet të ngutemi ne si prizrenas për të mbrojtur parkun e qytetit. Kemi rastin që Prizreni së pari të ruajë këtë ambient të bukur e pastaj pse mos të mendojmë që këtij qyteti t’i falim edhe një park botanik. Por, duke parë këtë park disi nuk mund të jemi shumë optimistë se ne e duam ambientin”, është shprehur ai.
(Kosova Sot)