Për të qenë pjesë e parlamentit të Kosovës, partitë politike në Kosovë duhet ta kalojnë pragun zgjedhor prej 5%. Shumë parti të reja në Kosovë kanë dështuar ta kalojnë këtë prag duke çuar në shuarjen e plotë të tyre. Përfaqësues të partive politike në Kosovë vlerësojnë së pragu zgjedhor do të duhej të ulej në 3% në mënyrë që t’u jepet mundësia edhe partive të vogla për të përfaqësuar popullin.
Gëzim Kelmendi, deputet i pavarur në Kuvendin e Kosovës si dhe kryetar i Partisë Fjala, i pyetur nga Infopress se si e sheh mundësinë e bashkimit të partive të vogla për të hyrë në pushtet, ka deklaruar se nuk e kondisderojnë këtë si opsion të mundshëm.
“Ne jemi duke bërë përgatitjet maksimale që në zgjedhjet e ardhshme të shkojmë vet. Nuk mendojmë për koalicione me partitë tjera të vogla. Nuk e kemi ende atë plan kështu që bashkimi me parti të vogla për momentin për neve nuk është opsion. Ne jemi të përgatitur vet dhe mendojmë t’i hyjmë kësaj gare. Pavarësisht që gjërat mund të ndërrojnë në momentin e fundit, nuk mendojmë të bashkohemi me ndonjë parti tjetër për faktin se jemi duke punuar që pragun e ardhshëm ta kalojmë vet”, thekson Kelmendi.
Sipas tij, problem kryesor qëndron në 5% e pragut zgjedhor. Ai konsideron se mënyra më e mirë për t’u dhënë hapësirë partive të reja do të ishte ulja e pragut sepse sipas tij, koalicionet e partive nuk kanë dhënë ndonjë efekt.
“Ajo çka do të ishte më e mira që t’i jepej hapësirë të gjitha partive do të ishte ulja e pragut në 3%, reformimi i ligjit të sistemit zgjedhor ku shumë parti do të kenë mundësi të kalojnë pragun dhe të bëhen pjesë e parlamentit të Kosovës, e shumë prej tyre edhe pjesë e pushtetit. Kjo do të ishte zgjedhje më e mirë se sa koalicioni në fazën paraprake. Përvojat e zgjedhjeve të kaluara na kanë treguar që qytetarët nuk e preferojnë bashkimin e partive. Këto përvoja na kanë treguar që bashkimi jo çdoherë sjellë ndryshim”, përfundon Kelmendi.
Për pragun zgjedhor mendim të njejtë shpreh edhe Avni Klinaku, sekretar i Lëvizjes për Bashkim. Sipas tij, pragu i lartë zgjedhor po e dëmton demokracinë e Kosovës.
“Problemi për partitë e vogla qëndron te pragu shumë i lartë. Mendoj se duhet të ulet pragu në 3%, sepse kështu do të ketë mundësi të reja dhe do të ndihmonte në demokratizimin dhe ndërtimin e qeverisë. Pragu po e dëmton demokracinë, sepse po i dëmton partitë duke shtypur idetë e reja”, është shprehet Klinaku për Gazetën Infopress.
Megjithëatë, ai ka një mendim të kundërt me Kelmendin sa i përket koalicionit të partive të vogla politke. Klinaku shprehet i hapur për koalicion me partitë e vogla dhe thotë se kjo do t’i konvenonte partisë së tij dhe demokracisë në përgjithësi.
Edhe për Gjergj Dedajn, kryetar i Partisë Liberale të Kosovës, opsioni i bashkimit i partive të vogla politike është i mirëseardhur.
“Eshte koha e duhur qe partite opozitare me profilizim europerendimore të afrohen dhe te koordinohem me qëllim të përfshurjes se të rinjve dhe të papërcaktuarve në gjiun e tyre. Kosova po lengon nga ngulfatja e demokracisë nga partite populiste dhe konservative, të cilat nuk kanë ide, vizion as qëllim integrimin euroatlantik të Kosovës, por pushtetin dhe monopolin mbi pushtetin në të gjitha sferat e jetes”, thotë Dedaj për Infopress.
Arsyeja kryesore pse sipas tij duhet bërë bashkimi i partive të vogla është se gjenerata e re po përjashtohet nga mundësitë dhe si pasojë e kësaj vie tek pakënaqësitë e shumta.
“Gjenerata e re është e margjinalizuar dhe e përjashtuar nga faktorizimi dhe roli i saj krucial për Kosovën e re,demokratike dhe euroatlantike. Si pasojë e këtij margjinalizimi ata të dëshpëruar marrin rrugë tjera jo rrallëherë të rrezikshme për vetë ata dhe të ardhmen e Kosovës. Forcimi i një blloku euroliberal në Kosovë është e vetmja alternativë për të dalur nga kriza klientaliste, floklorizmi dhe populizmi politik i Kosovës. Këtë me veshtirësi po e kuptojnë të pakënaqurit, të deshpëruarit dhe të rinjtë e Kosovës. Ata nuk duhet të qëndrojnë si observer dhe nga qielli t’i presin ndryshimet, por të bëhen faktorë dhe kreatorë aktiv të këtyre ndryshimeve të jetës politike të mërzitshme të Kosovës”, deklaron Dedaj.
E nëse shihet nga prizmi i analistit politik, ky koalicion mes partive, në rrethanat kur ka një prag të lartë zgjedhor, mundësia për bashkim është shume e mirë dhe produktive.
“Partitë tjera opozitare që nuk janë pjesë e parlamentit do të ishte më shumë e dobishme të fuzionohen për të arrit një fuqi më të madhe elektorale. Konsideroj që edhe partitë opozitare pjesë e Kuvendit duhet të bëhen bashkë për të ndërtuar një platformë unike duke perfshirë edhe shoqerië civile.
Partitë opozitare jashtë parlamentare dhe opozita parlamentare, si dhe shoqëria civile është e vetmja rrugë për t’u bashkuar nën një platformë të përbashkët për të ndërtuar një fryme opozitare gjithëpërfshirëse për të bërë në të ardhmen një listë unike zgjedhore. Kjo mund të jetë e vetmja rrugë për të bërë një fuqi politike me të madhe”, thotë analisti Blerim Burjani.
Mesatarja e pragut elektoral në vendet e Evropës është pak më shume se 4 % dhe vetëm 5 vende kanë prag më të lartë se 5% . Këto vende janë Turqia (10%), Lihtenshtajni (8%), Rusia (7%), Gjeorgjia (7%) si dhe Moldavia me 6%.
Sipas rezolutës 1547 të vitit 2007 (58) të Këshillit të Evropës, rekomandohet që demokracitë nuk duhet të kenë prag më të lartë se 3% në zgjedhjet parlamentare në mënyrë që të lejohet përfaqësimi i maksimumit të opinioneve. Sipas kësaj rezolute përjashtimi i grupimeve të ndryshme të qytetarëve prej të drejtës për t’u përfaqësuar politikisht nëpërmjet pragu të lartë zgjedhor është dëmtuese ndaj demokracisë. Sipas kësaj rezolute është e nevojshme që të gjendet një ekuilibër mes përfaqësimit të qytetarëve dhe efikasitetit në parlament apo qeverisje dhe pragu 3% është ideal në këtë aspekt.