18.8 C
Prizren
E shtunë, 27 Korrik, 2024

Partitë të kursehen nga fyerjet dhe tensionet

DritonSelmanaj-KDIPërfaqësuesi i Institutit Demokratik të Kosovës (KDI), Driton Selmanaj, një ditë para se të fillojë zyrtarisht fushata elektorale për zgjedhjet e parakohshme parlamentare, ka kërkuar nga partitë politike të kursehen nga fyerjet dhe tensionet eventuale. Ai ka vlerësuar për “Epokën e re” se partitë politike gjatë fushatës elektorale duhet të konkurrojnë me programe e jo ta fyejnë njëra-tjetrën.

“Për fat të keq, partitë politike e kanë filluar qysh herët fushatën zgjedhore, pavarësisht se nuk është e përcaktuar me ligj. Me ligj është e përcaktuar vetëm fushata zyrtare, e cila shpallet nga ana e KQZ-së. Partitë politike janë duke e shfrytëzuar dhe e abuzuar vakuumin juridik. Siç e dini, ka disa muaj që ka filluar fushata elektorale. Kjo qasje nuk duhet të vazhdojë sepse me këtë sikur po bartet mesazhi se partitë politike nuk janë të gatshme ta respektojnë ligjshmërinë në vend.

Në momentin kur do të fillojë zyrtarisht fushata, kërkoj nga partitë politike të tregojnë maturi politike, vlera konkurruese, të kursehen nga fyerjet dhe tensionet eventuale, të cilat mund të shkaktojnë incidente në popullatë. Kërkojmë që partitë t’i respektojnë ligjet, sidomos kodin e mirësjelljes gjatë fushatës zgjedhore”, ka deklaruar Selmanaj.

Në këtë kontekst, Selmanaj ka thënë se përplasjet verbale, sidomos në mes të PDK-së dhe LDK-së, kanë lënë të nënkuptojnë se mund të ketë tensionim të fjalorit politik gjatë fushatës elektorale. Pavarësisht kësaj, Selmanaj ka thënë se beson se qytetarët do të tregohen të matur dhe vigjilentë në raport me kampanjën elektorale.

“Ditët e fundit kanë lënë të kuptojnë se do të ketë tensionim të fjalorit politik për të tentuar të ngrenë dilema dhe çështje në mënyrë që të fitojnë sa më shumë elektorat. Pavarësisht kësaj, qytetarët e Kosovës do të dinë të mos bien pre e tensioneve eventuale dhe të pakuptimta ndonjëherë të partive politike. Qytetarët duhet të tregohen konstruktivë dhe duhet të bëhen pjesë e fushatës, por duhet të ndikojnë që dita e zgjedhjeve të shkojë sa më mirë që është e mundshme”, është shprehur Selmanaj.

Driton Selmanaj ka bërë me dije se KDI-ja, e cila e udhëheq koalicionin e OJQ-ve, Demokracia në Veprim (DnV), do t’i angazhojë afër 2 800 vëzhgues, të cilët do ta monitorojnë procesin zgjedhor në të gjitha vendvotimet anekënd Kosovës. Sipas tij, në kuadër të këtij numri për herë të parë Demokracia në Veprim do t’i ketë rreth 250, të cilët janë me nevoja të veçanta. Ai ka thënë se Demokracia në Veprim do të përzgjedhë vëzhgues, të cilat kanë integritet të lartë moral dhe profesional.

“E gjithë përpjekja jonë është të përzgjedhim vëzhgues me integritet sa më profesional në mënyrë që të ofrojmë informata reale dhe objektive në ditën e zgjedhjeve”, është shprehur Selmanaj.

Më Shumë

Arrestohen tre persona në Suharekë, vodhën një lopë

Ditën e premte në Suharekë janë arrestuar tre persona, nën dyshimin se kanë vjedhur një kafshë. Kafsha në fjalë i është kthyer pronarit të vet. Kliko ...

I dyshuari i aksidentit dje në Malishevë ku vdiq shtatzëna, dërgohet në mbajtje

I dyshuari i aksidentit që përfundoi me fatalitet dje në Astrazub të Malishevës, është dërguar në mbajtje. Këtë e konfirmon Policia e Kosovës, në raportin...

Lajmet e Fundit