18.8 C
Prizren
E shtunë, 27 Korrik, 2024

Letër publike drejtuar kandidatëve për deputetë nga Prizreni

Prizren ura e guritDuke marrë parasysh zhvillimet negative në sferën e urbanizmit të Prizrenit, me theks të veçantë në degradimin e trashëgimisë kulturore, “EC Ma Ndryshe” ka vendosur që t’i drejtohet me një letër publike, kandidatëve të Prizrenit që garojnë për ulëse në Kuvendin e Kosovës.
Lexojeni letrën e plotë, të nënshkruar nga Valon Xhabali, koordinator i Programit të Trashëgimisë Kulturore:

Përmes kësaj letre kërkojmë nga kandidatët për deputetë që të zotohen se çështjen e degradimit urbanistik dhe të trashëgimisë kulturore në Prizren ta ngrehin në nivelin më të lartë vendimmarrës të Republikës së Kosovës, në mënyrë që të ruhen vlerat e mbetura urbane të këtij vendbanimi.

Nevoja për një adresim të tillë vjen si pasojë e paaftësisë shumëvjeçare të komunës së Prizrenit për të vepruar në këtë drejtim, që si rrjedhojë ka sjellë dëmtimin e vlerave tradicionale të qytetit historik, përkundër faktit që vite më parë Kuvendi i Komunës së Prizrenit ka miratuar Planin për konservimin dhe zhvillimin e kësaj zone.

Ndërkohë, korniza legjislative dhe institucionale e Republikës së Kosovës është shumë e favorshme për mbrojtjen e trashëgimisë kulturore. Në rastin e qendrës së Prizrenit, përveç legjislacionit bazik (trashëgimia kulturore dhe planifikimi hapësinor) janë miratuar edhe ligjet për zonat e veçanta të mbrojtura dhe ai për Qendrën Historike të Prizrenit. Ndonëse kuadri ligjor për Qendrën Historike të Prizrenit është mjaft i gjerë deri më tani nuk ka gjetur zbatim të duhur në terren.

Prandaj, “EC Ma Ndryshe”, në prag të zgjedhjeve nacionale 2014 kërkon nga kandidatët për deputetë të Kuvendit të Kosovës nga Prizreni që të premtojnë publikisht se do të përkushtohen për ndërtimin e një sistemi të monitorimit të përhershëm parlamentar që do të përcillte punën e ekzekutivit në fushën e menaxhimit dhe zhvillimit urban në qytetin e Prizrenit, me theks të veçantë në ruajtjen e trashëgimisë kulturore. Krahas ndalimit të degradimit, nga deputetët e ardhshëm kërkohet zotimi se do të ushtrojnë autoritetin e tyre për krijimin e një mjedisi të përshtatshëm për zhvillim të kontrolluar dhe të qëndrueshëm urban, duke siguruar gjithnjë ruajtjen e vlerave urbane tradicionale të Prizrenit.

“EC Ma Ndryshe” në korrik të vitit 2013 ka nisur zbatimin e projektit “Urbanizmi i Prizrenit nën vëzhgim të përhershëm”, përkrahur financiarisht nga Fondacioni i Kosovës për Shoqëri të Hapur (KFOS). Nevoja për mbikëqyrjen e zhvillimeve në sektorin e urbanizimit ka rrjedhë si pasojë e zhvillimeve të shumta negative gjatë periudhës së pasluftës dhe tranzicionit që janë manifestuar me degradimin urban dhe planifikimin e pa-balancuar hapësinor. Projekti do të vazhdoj me monitorimin dhe publikimin e të gjeturave në sektorin e urbanizimit dhe planifikimit hapësinor, sikurse edhe me adresimin e përgjegjësisë institucionale.

Më Shumë

Lajmet e Fundit