4.2 C
Prizren
E premte, 27 Mars, 2026

PDK në kërkim të mundësisë për Specialen

Partia Demokratike e Kosovës po shikon të gjejë mënyrën për bindjen e deputetëve të saj për ta votuar Gjykatën Speciale, në rast se riprocedohet në Kuvend sërish amandamenti 24.

Ishin 13 deputetë të PDK-së ata që e dështuan javën e votimin e amandamentit që i hapë rrugë themelimit të Gjykatës Speciale. Shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Adem Grabovci nuk ka dashur të flas për mos unitetin e deputetëve të PDK-së, ndërsa analistët politikë, e konsiderojnë ‘lojë politike’ votimin e PDK-së për Specialen.

“Nga mosdija dhe patriotizmi i rrejshëm, ata deputetë që votuan kundër bënë gabim trashanik në dëm të interesit shtetëror”. Këtë përkufizim e bëri kreu i PDK-së, Hashim Thaçi për deputetët e partisë së tij që votuan kundër Gjykatës Speciale. Por, kështu nuk mendojnë ata që votën e tyre e dhanë kundër në seancën e javës së kaluar. Edhe pse nuk dëshirojnë të flasin, disa prej deputetëve që votuan kundër, thonë se nëse procedohet i njëjti amandament pa ndryshime, prapë do të votojnë kundër, megjithë pasojat që thonë se janë të vetëdijshëm që mund t’i bartin brenda partisë.

Përkundër insistimit të Radio Kosovës, shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Adem Grabovci, nuk ka dashur të flas për mungesën e unitetit të deputetëve të PDK-së për Gjykatën Speciale, sikur që nuk kanë dashur të flasin as deputetë të tjerë të kësaj partie. Sidoqoftë, analistët politikë, e konsiderojnë si ‘lojë politike’ mungesën e këtij uniteti. Driton Selmanaj nga KDI-ja që e monitoron punën e Kuvendit, e konsideron të planifikuar mungesën e unitetit në Grupin Parlamentar të PDK-së.

“Ky mosunitet i deritanishëm, sikur ka qenë i planifikuar, dhe tash e tutje nuk e besoj se mund të vazhdojë kështu, sepse Grupi Parlamentar i PDK-së është shquar për një unitet dhe disiplinë të brendshme të funksionimit të tij si grup parlamentar”, tha Selmanaj për Radio Kosovën.

Analisti Imer Mushkolaj, duke e quajtur lojë, votimin e PDK-së për Specialen, thotë se deputetët nuk kanë zgjidhje tjetër, veçse ta votojnë Gjykatën Speciale.

“Loja e pretenduar me votimin ose mosvotimin e një pjese të deputetëve nga PDK-ja është bërë më tepër për një pazar, ose për një lojë, e cila thjesht është një lojë që po e shohin dhe po e dinë të gjithë, por edhe ata e dinë se nuk do të kenë zgjidhje tjetër, pos ta votojnë Gjykatën Kushtetuese”, tha Mushkolaj për Radio Kosovën.

Burime brenda Grupit Parlamentar të PDK-së, flasin për përpjekjet e kësaj partie që të arrijë një unitet të grupit, në rast se sërish kthehet në Kuvend çështja e Speciales. Madje, disa prej deputetëve të kësaj partie shprehen të bindur se nëse amandamenti 24 procedohen sërish në Kuvend, do të kalojë me dy të tretat e votave të deputetëve. Driton Selmanaj nga KDI-ja beson se nëse riprocedohet çështja e Gjykatës Speciale në Kuvend, PDK-ja do të ketë qëndrim më unik.

“Duket sikur ata janë duke u konsultuar brenda vetes, janë duke u përgatitur dhe besoj që kjo çështje do të përfundojë në kuptimin e asaj që do të kemi një qëndrim shumë më kompakt, sesa që kishim në seancën e kaluar”, tha Selmanaj.

Ndryshe, në seancën e javës së kaluar 7 deputetë të PDK-së votuan kundër amandamentit 24 i Kushtetutës, që i hapë rrugë themelimit të Gjykatës Speciale, 2 abstenuan, ndërsa 4 nuk morën pjesë fare në votim. Kjo bëri që ky amandament të mos kalojë, pasi mori vetëm 75 vota ishin, ndërsa kërkohen së paku 80 vota për ndryshime kushtetuese. /Radio Kosova/

Më Shumë

Modern Talking për herë të parë në Kosovë, Thomas Anders & Band do të performojnë në HardhFest

Në kuadër të edicionit të radhës, festivali Hardh Fest do të mirëpresë një nga emrat më të njohur të muzikës pop të viteve ’80....

Gjenden mbetje të eshtrave në Rahovec, dyshohen se i përkasin një personi të zhdukur gjatë luftës

Mbetje eshtërore që dyshohet se i përkasin së paku një personi të zhdukur gjatë luftës, janë gjetur gjatë gërmimeve në Rahovec. Mbetjet eshtërore janë dërguar...

Lajmet e Fundit