17.8 C
Prizren
E diel, 19 Maj, 2024

Përfundon gjykimi kundër drejtorit të Arsimit në Suharekë

Ka përfunduar të premten gjykimi kundër drejtorit të Drejtorisë për Arsim në Komunën e Suharekës, Sherif Berisha, i cili akuzohet se ka keqpërdorur pozitën e tij zyrtare, duke mos e ekzekutuar një vendim të Sektorit të Inspeksionit për Arsim (SIA).

Në seancën e mbajtur në Gjykatën Themelore në Prizren, prokurorja e rastit, Ervehe Gashi, ka thënë se me provat e administruara dhe dëshmitarët e dëgjuar gjatë shqyrtimit gjyqësor është vërtetuar se i akuzuari ka kryer veprën penale me të cilën ngarkohet.

Prokurorja Gashi, ka thënë se padyshim që është vërtetuar se i akuzuari është dashur ta anulojë konkursin për mësimdhënës për vitin akademik 2015-2016, ashtu siç e ka obliguar, sipas saj, vendimi i Ministrisë së Arsimit.

Por, ajo ka thënë se i pandehuri nuk e ka respektuar një vendim të tillë të plotfuqishëm, duke i shkaktuar dëm të konsiderueshëm të dëmtuarës, Fatmire Elshani.

E dëmtuara Fatmire Elshani, ka paraqitur kërkesë pasurore-juridike dhe ka shtuar se ka bërë ankesë ndaj konkursit në fjalë, për shkak se nuk janë respektuar kriteret dhe ankesa e saj është pranuar, por Drejtoria Komunale e Arsimit (DKA) në Suharekë, nuk e ka marrë parasysh vendimin.

Mbrojtësi i të akuzuarit, avokati Brahim Sopa, në fjalën e tij përfundimtare ka thënë se me asnjë provë nuk është arritur të argumentohet se klienti i tij ka keqpërdorur pozitën zyrtare.

Sopa ka thënë se këtë konstatim e mbështet në faktin se klienti i tij, nuk merret me përzgjedhjen e kandidatëve për mësimdhënës, por se këtë e bën komisioni përzgjedhës.

Avokati Sopa, ka thënë se i mbrojturi i tij, ka qenë në kontakt të vazhdueshëm me Ministrinë e Arsimit, rreth rekomandimeve të SIA-s në Prizren, prej së cilës ka kërkuar përgjigje në ankesat e saj të parashtruara, por që sipas tij, Ministria e Arsimit është vonuar në përgjigje.

Ai ka shtuar se megjithatë më 23 qershor 2017, sekretari i përgjithshëm i MASHT-it ka lëshuar një vendim me të cilin ka anuluar vendimin e SIA-s për rishpalljen e konkursit. Andaj, ai ka kërkuar që klienti i tij të lirohet nga akuza në mungesë të provave.

Po ashtu edhe i akuzuari, Sherif Berisha ka thënë se nuk e konsideron veten fajtor, andaj ka kërkuar që të shpallet i pafajshëm ndaj akuzës që i ngarkohet.

Berisha tutje ka shtuar se kjo çështje penale është e parakohshme, pasi që rreth këtij rasti është duke u zhvilluar edhe procedura gjyqësore civile e cila gjendet me ankesë në Gjykatën e Apelit.

Ai ka theksuar se vendimi, mbi të cilin është i ngritur aktakuza, është anuluar nga sekretari i MASHT-it më 23 qershor 2017, andaj është prishur edhe baza mbi të cilën është ngritur kjo aktakuzë.

Trupi gjykues, i kryesuar nga gjyqtari Xheladin Osmani, e ka shpallur të përfunduar këtë gjykim, ndërsa shpalljen e aktgjykimit e ka caktuar për 17 korrik 2017, në ora 09:00.

Ndryshe, në dhjetor 2016, Prokuroria Themelore në Prizren, ka ngritur aktakuzë ndaj Sherif Berishës, të cilin e akuzon për keqpërdorim të detyrës apo autoritetit zyrtar, duke mos e zbatuar një vendim të Sektorit të Inspeksionit për Arsim.

Sipas aktakuzës, i akuzuari Berisha, në cilësinë e drejtorit të Drejtorisë Komunale të Arsimit në Suharekë, nuk ka respektuar një rekomandim të SIA-së në Prizren, për anulimin e konkursit për mësimdhënës.

SIA kishte rekomanduar që konkursi për rekrutimin e mësimdhënësve për shkollën e mesme profesionale “Abdyl Rama” në Suharekë, të anulohet dhe të rishpallet në afat prej 8 ditësh.

Sipas organit të akuzës, me këto veprime i akuzuari ka kryer veprën penale të keqpërdorimit të detyrës zyrtare dhe ka shkelur rëndë të drejtat e personave tjerë, konkurrues në konkursin në fjalë.

Berisha, po ashtu është gjykuar edhe në një rast tjetër penal, në të cilin akuzohej se ka punësuar, pa konkurs rreth 9 mësimdhënës në shkollat e Komunës së Suharekës, ku është gjetur fajtor dhe është dënuar me 4 mijë euro gjobë.

Më Shumë

Dueli i tretë final mes Trepçës dhe Yllit

Trepça dhe Golden Eagle Ylli do të përballen në ndeshjen e tretë të serisë finale të play-offit në Superligën e Kosovës në basketboll. Pas dy...

Plagoset me armë zjarri një person në Nashec të Prizrenit

Një person është plagosur me armë zjarri në mbrëmjen e së premtes në fshatin Nashec të Prizrenit. Rastin për Klankosova.tv e ka konfirmuar zëdhnësi i...

Lajmet e Fundit