4.8 C
Prizren
E premte, 26 Prill, 2024

Përfundon procedura e provave, priten deklarimet për fjalën përfundimtare në rastin e gjykimit për keqpërdorim të detyrës ndaj ish-drejtorit të Administratës në Prizren

Të hënën, në Gjykatën Themelore në Prizren është mbajtur shqyrtimi gjyqësor ndaj Ilir Baldedaj, i cili po akuzohet për keqpërdorim të detyrës apo autoritetit zyrtar.

Seanca ka vazhduar me procedurën e provave, ku në cilësinë e dëshmitarit është dëgjuar zyrtari nga Komuna e Prizrenit, Arben Krasniqi, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Në pyetjet e parashtruara nga prokurorja Ervehe Gashi, lidhur me atë se gjatë muajit qershor të vitit 2019, ku ka punuar dhe në çfarë cilësie.

Dëshmitari Krasniqi deklaroi se ka punuar si udhëheqës i sektorit ligjor në Komunën e Prizrenit, duke shtuar se ka filluar të punojë në këtë pozitë qysh nga fillimi i marsit të vitit 2018, ku edhe tani punon.

Po ashtu, dëshmitari Krasniqi deklaroi se lidhur me furnizimin me laptop për asamblistët është informuar nga zyra e informimit, duke konstatuar se janë proceduar edhe disa shkresa të lëndës ku janë evidentuar pagesat e 43 laptopave, ku për 3 laptop nga 43 sa kanë qenë, nuk ka pasur dëshmi për dorëzimin e tyre.

Tutje, dëshmitari tha se kanë punuar në bazë të shkresave, ku aty janë evidentuar se 40 loptop janë dorëzuar, ndërsa për 3 laptop tjerë nuk ka pasur evidencë se ku janë dorëzuar.

Për dorëzimin e laptopëve, dëshmitari Krasniqi tha se ka qenë një komision për shpërndarjen e këtyre laptopave dhe se drejtoria e administratës ka qenë kërkuese e hapjes së këtij tenderi.

Në pyetjen e prokurores Gashi, lidhur me atë se kush i ka pranuar laptopët nga operatori i cili ka qenë fitues i këtij tenderi.

Dëshmitari tha se një anëtar i komisionit ka deklaruar se laptopët i ka pranuar drejtoria e administratës, ku drejtor ka qenë i akuzuari Ilir Baldedaj.

Pas kësaj, mbrojtësi i të akuzuarit Ilir Baldedaj, avokati Visar Haxhibeqiri në pyetjet e parashtruara se a keni bërë ju kallëzim penal.

Dëshmitari Krasniqi tha se në bazë të autorizimit ka parashtru kallëzimin penal duke u bazuar në të dhënat e  shkresave nga zyra e informimit.

Pas përfundimit të dëgjimit të dëshmitarit Krasniqi, seanca vazhdoi me leximin e shkresave.

Më pas, kryetari i trupit gjykues, gjykatësi Xheladin Osmani e vazhdoi seancën me dëgjimin e të akuzuarit Baldedaj.

I akuzuari Baldedaj tha se kryetari ka marr vendim dhe u drejtu te zyra e prokurimit për shpalljen e tenderit lidhur me blerjen e laptopëve.

“Unë në cilësi të drejtorit të Administratës kam pranuar një procesverbal nga kryesuesi i asamblesë komunale, kryetari i komisionit ( Kujtim Gashi ) dhe dy dëshmitarët e prokurorisë Adnani dhe Idajimi që ata thonë se lejohet shuma e pagesës për 43 laptop, me vlerë 19.350.00 euro, dhe unë në bazë të atij procesverbali nga zyra e thesarit  ka ardhur fletëpagesa për të paguar dhe unë kam paguar shumën prej 15.000 euro, pjesë tjetër nuk kam paguar” deklaroi i akuzuari Baldedaj.

Në pyetjen e anëtarit të trupit gjykues se a ka pasur njohuri për mungesën e 3 laptopëve, i pandehuri Baldedaj tha se nuk ka patur njohuri, duke shtuar se komisioni, kryesuesi i asamblesë kur ua ka dorëzu procesverbalin për ekzekutimin e pagesës, aty nuk ka patur ndonjë vërejtje dhe as nuk ka shënuar se mungojnë 3 laptop, deklaroi i akuzuari Baldedaj.

Pas kësaj, seanca u ndërpre, fjala përfundimtare u caktua për 17 nëntor 2020, në 14:00.

Ndryshe, më 17 dhjetor 2019, Gjykata Themelore në Prizren e kishte hudhur poshtë aktakuzën dhe e kishte pushuar procedurën penale ndaj ish-drejtorit të Administratës në Komunën e Prizrenit, Ilir Baldedaj.

Sipas aktvendimit, thuhej se provat e paraqitura edhe pse janë marrë në mënyrë ligjore,  nuk janë të mjaftueshme që të mbështetet dyshimi i bazuar mirë se i pandehuri ka kryer veprën penale, siç ngarkohet me aktakuzë.

Mirëpo, prokurorja e rastit, Ervehe Gashi, kishte ushtruar ankesë në Gjykatën e Apelit, kundër vendimit të gjykatës për hudhje të aktakuzës.

Gjykata e Apelit e kishte aprovuar kërkesën e prokurores Gashi, duke bërë që gjykimi ndaj tij, të vazhdohej nga shkalla e parë.

Në aktakuzën e Prokurorisë Themelore Prizren, të ngritur më 21 gusht 2019, i pandehuri Ilir Baldedaj, akuzohet për veprën penale të keqpërdorimit të pozitës apo autoritetit zyrtar.

Baldedaj, akuzohet se më 13 maj 2018 e deri më 22 maj 2018 , në cilësinë e personit zyrtar si drejtor i Administratës në Komunën e Prizrenit, duke shfrytëzuar detyrën zyrtare apo autoritetin zyrtar nuk i përmbush detyrat zyrtare të tij me qëllim të përfitimit të dobisë për tjetrin.

Në aktakuzë thuhet se i akuzuari ka bërë shpërndarjen e pasurisë jo financiare, laptop dhe çanta të tyre, për asamblistët e Kuvendit Komunal të Prizrenit, në sasi prej 40 copë, nga sasia totale prej 43 sosh dhe në vërtetimin mbi pranimin e laptopëve të nënshkruar nga asamblistët me rastin e pranimit të pasurisë së tillë, nuk figuron kushti që kjo pasuri shtetërore të kthehet pas përfundimit të mandatit publik.

Sipas aktakuzës, i akuzuari Baldedaj ka vepruar në kundërshtim me Ligjin për Menaxhimin e Financave Publike dhe Përgjegjësitë si dhe Rregulloren e Ministrisë së Financave, nr.02/2013 për menaxhimin e pasurisë jo financiare në organizata buxhetore.

Në aktakuzë thuhet se për tre laptop të tjerë nuk ka prova se ata u janë shpërndarë personave për të cilët kanë qenë të destinuar, me ç’rast thuhet se me këto veprime i akuzuari, buxhetit të shtetit i ka shkaktuar dëm në vlerë prej 19 mijë e 350 euro.

Ndryshe, Ilir Baldedaj edhe në një rast tjetër akuzohej për keqpërdorim të detyrës zyrtare.

Ai më 25 maj të vitit 2018, si ish-drejtor i Administratës në Komunën e Prizrenit, ishte dënuar me gjashtë muaj burgim me kusht, në rastin ku akuzohej se gjatë periudhës gusht 2015 – dhjetor 2016, duke vepruar në cilësinë e drejtorit të Administratës Komunale të Prizrenit, ka lidhur kontrata në mënyrë të paligjshme me tri televizione lokale për të reklamuar shërbimet komunale. /BetimipërDrejtësi

Më Shumë

Çitaku: Heroi Fadil Vata pati guxim ta ëndërroj lirinë

Sekretarja e përgjithshme e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Vlora Çitaku, ka bërë homazhe tek varri i heroit Fadil Vata me rastin e 34-vjetorit...

Duda Balje u ndalua nga autoritetet serbe në kufi

Deputetja e Kuvendit të Kosovës, Duda Balje është ndaluar mëngjesin e sotëm nga autoritet serbe në pikën kufitare në Merdare. Sipas “EO”, ajo ka qenë...

Lajmet e Fundit