24.9 C
Prizren
E martë, 1 Korrik, 2025

Pikënisja për ndalimin e degradimit urbanistik në Prizren

Valon XhabaliMonitoruesit e “EC Ma Ndryshe” në kuadër të projektit “Urbanizmi i Prizrenit nën vëzhgim të përhershëm” kanë përcjellë me vëmendje procesin e miratimit të Planit Zhvillimor Komunal të Prizrenit 2013-2025, që paraqet një dokument statutor që udhëheq zhvillimin e komunës përgjatë dekadës në vijim. PZHKP është miratuar nga Kuvendi i Komunës më 17 shtator 2013.

Valon Xhabali, Koordinator i Programit të Trashëgimisë Kulturore, tha se në këtë dokument bëhet e ditur se Komuna e Prizrenit është e përkushtuar që të zbatojë PZHKP-në duke iu referuar Planit Hapësinor të Kosovës 2010-2020+ dhe duke u bazuar në Ligjet përkatëse të Kosovës. “Plani Zhvillimor i Komunës së Prizrenit (PZHKP), është plan shumë sektorial që ofron një kornizë të gjerë dhe paraqet udhëzime për zhvillimin e Komunës së Prizrenit, duke marrë parasysh rritjen e tanishme dhe atë të planifikuar të popullatës”, tha Xhabali.

PZHKP-ja vlerëson se Prizreni ballafaqohet me shumë sfida në menaxhimin e resurseve të saja dhe të territorit me theks të veçantë në trashëgiminë kulturore dhe historike. PZHKP thekson se numri i madh i monumenteve historike e bëjnë Prizrenit një lokacion shumë atraktiv për vizitorët si nga Kosova ashtu edhe nga jashtë.

“Mirëpo, trashëgimia kulturore në Prizren është në degradim e sipër. Mungesa e përpjekjeve për konservim, ndërtimet e reja përkundër planeve konservuese dhe stoku i pashfrytëzuar i ndërtimit rezultojnë në probleme të mëdha fizike”, thuhet në këtë dokument, ku sqarohet se Plani për Konservimin e Zonës Historike të Prizrenit është një aset fondamental për ruajtjen e qëndrueshmërisë së trashëgimisë kulturore, që megjithatë nuk ka gjetur zbatim as disa vite pas miratimit. “Zhvillimet që kundërshtojnë planin e konservimit mund të vërehen qartë në qendrën historike të qytetit që rezulton me degradimin e karakterit historik”.

Xhabali tregon se edhe në pjesën ku flitet për zhvillimin e turizmit PZHKP, konstaton se trashëgimia kulturore, sidomos në Prizren, është duke u shkatërruar si rezultat i mungesës së përpjekjeve konservuese, si dhe ndërtimeve të reja në kundërshtim me planet për konservim.
PZHK përshkruan se sipas Ligjit për Zonat e Veçanta të Mbrojtura (Nr.03/L-039/2008) dhe Ligjit për Qendrën Historike të Prizrenit (Nr.04/L-066/2012) Qendra Historike e qytetit të Prizrenit është shpallur zonë e mbrojtur. Por kjo zonë sipas vëzhgimeve dhe raportimeve të ‘EC Ma Ndryshe’ nuk po mbrohet edhe pse ekziston Plani për ruajtjen dhe Zhvillimin e Zonës Historike të Prizrenit, që ka prodhuar propozime për planifikim në aspektin e çështjeve fizike, shfrytëzimit të tokës, transportit dhe çështjeve që kanë të bëjnë me konservimin, ndërkohë që në fuqi janë edhe disa ligje të aprovuara në Kuvendin e Kosovës që parashohin masa mbrojtëse për Qendrën e vjetër dhe pronat e trashëgimisë kulturore të Prizrenit.

“Në bazë të këtyre përshkrimeve EC Ma Ndryshe konsideron se autoritetet komunale duhet të tregojnë përkushtim shumë më të madh në ruajtjen e vlerave të Qendrës Historike të Prizrenit dhe të trashëgimisë kulturore në përgjithësi dhe ti zbatojnë në përpikëri udhëzimet e ofruara në kuadër të PZHKP-së”, tha ai.

“EC Ma Ndryshe” përkujton se edhe Plani Zhvillimor Urban i Prizrenit, 2003-2013, kishte nënvizuar rëndësinë e madhe të trashëgimisë kulturore dhe historike të Prizrenit për zhvillimin e turizmit, ndërkohë që në realitet autoritetet komunale nuk kanë ndërmarrë masa adekuate për ruajtjen e saj, por me veprimet e tyre i kanë kontribuar degradimit të mëtejmë. I njëjti fat e ka përcjell edhe Planin e Konservimit, dokument i miratuar në vitin 2008 nga komuna, por që vazhdon të shkelet dhe injorohet sistematikisht.

“Ne i bëjmë thirrje komunës së Prizrenit që praktikën e jetësuar me PZHUP-në të mos e përsëris edhe me PZHKP-në, por që përfundimisht të shfrytëzoj këtë dokument si pikënisje për të iniciuar veprime konkrete për ndalimin e degradimit urbanistik, që tashmë ka marrë përmasa shqetësuese brenda qytetit”

“EC Ma Ndryshe” në korrik ka nisur zbatimin e projektit “Urbanizmi i Prizrenit nën vëzhgim të përhershëm”, përkrahur financiarisht nga Fondacioni i Kosovës për Shoqëri të Hapur (KFOS). Nevoja për mbikëqyrjen e zhvillimeve në sektorin e urbanizimit ka rrjedhë si pasojë e zhvillimeve të shumta negative gjatë periudhës së pasluftës dhe tranzicionit që janë manifestuar me degradimin urban dhe planifikimin e pa-balancuar hapësinor. Projekti do të vazhdoj me monitorimin dhe publikimin e të gjeturave në sektorin e urbanizimit dhe planifikimit hapësinor, sikurse edhe me adresimin e përgjegjësisë institucionale. /PrizrenPress.com/

 

Më Shumë

Granit Xhaka nuk do të luajë për Milanin, dështon transferimi

Futbollisti kosovar, Granit Xhaka nuk do të luajë për Milanin. Klankosova.tv merr vesh që futbollisti kosovar me nënshtetësi zvicerane, nuk e ka kompletuar kalimin nga...

Historike: Kosova debuton në Kampionatin Evropian për të verbër

Kombëtarja e Kosovës në futboll për të verbër, e cila për herë të parë do të marrë pjesë në Kampionatin Evropian, Divizioni i Dytë,...

Lajmet e Fundit