13.8 C
Prizren
E shtunë, 20 Prill, 2024

Pjetër Bogdani, korife i kulturës shqiptare

Ndue Ukaj
Gjergj Kastrioti, Pjetër Bogdani dhe Gjergj Fishta, janë figura themeltare të kulturës dhe historisë shqiptare, që i bashkon fati i përbashkët i pasvdekjes- mungesa e varreve.

Secili nga ta dha kontribut të jashtëzakonshëm dhe të pazëvendësueshëm për kulturën dhe historinë tonë. Ndonëse jetuan në periudha të ndryshme kohore, ata i bashkon fati i pasvdekjes- mungesa e varreve. Këto tri figura, janë tri shtylla, që e mbajnë lart ngrehinën kulturore dhe identitetin evropian të shqiptarëve.
Ismail Kadare, te eseja monumentale, “Mosmarrëveshja”, ashtu sikurse edhe te tregimi, “Raporti i fshehtë”, e trajton këtë çështje, duke tërhequr një paralele domethënëse, ndërmjet mungesës së varrit të heroit tonë kombëtar dhe Jezu Krishtit. Te tregimi në fjalë, Kadare shkruan: “Zbrazëtia e varrit dëshmon shenjtërinë.”

Një shenjtëri të tillë, pa mëdyshje, e dëshmon jeta dhe vepra Pjetër Bogdanit.

Në jetën e një kombi, të rralla janë ato figura, të cilave u bie barra e rëndë, të kenë njëkohësisht role të shumëfishta: të jenë prijës politikë, ushtarakë, religjiozë e kulturorë. Pjetër Bogdani ynë, i traditës së Hasit, për të cilin shkruajnë studiues të shumtë, shqiptarë dhe të huaj, nga elteri ku predikonte dashurinë dhe mirësinë kristiane, iu dashtë të ngjitej në male dhe të zbriste në fusha, për t’i bashkuar shqiptarët, në një kryengritje të armatosur kundër pushtimit osman- kundër pushtimit që dvarte gjuhë e kulturë. Misionari në aksion, s’mund të ndalej me kaq.

Ai, përshkoi qytete e vende, për të kërkuar dije e kulturë. U bë doktor i parë i filozofisë dhe teologjisë ndër shqiptar. Në Itali, mësoi për artin e kulturën, për poezinë e filozofinë, për historinë e shumë dije tjera. Dhe, dijen e akumuluar e manifestoi te libri monumental, “Çetën e profetëve”, një vepër misionare e shëlbuese. Si i tillë, ky libër, nga botimi i parë, 1685, gjer në ditët tona, ka pasur një influencë të madhe në kulturën shqiptare.

Pjetër Bogdani, siç shkruan në parathënie të librit, ishte prej Gurit të Hasit të Prizrenit, ku para tij ishte ngjizur një kulturë e shkrimit dhe e rezistencës kundër turqve. Të dhënat biografike tregojnë se, nga sëmundja nuk arriti ta realizonte përpjekjen me Pikolominin, për të organizuar betejën kundër osmaneve, sepse, ushtria e gjeneralit austriak niset në drejtim të Shkupit, po nuk arriti të hynte në qytet, sepse e kishte marrë epidemia e murtajës, prandaj, e djeg qytetin dhe kthehet prapë në Prishtinë.

Në këtë kohë, Bogdani, ia siguron ushtrisë së Pikolominit 6000 shqiptarë, dhe bashkë me të niset për në Prizren, ku shpartallohet ushtria e Pikolominit nga sëmundja e murtajës dhe forcat turke. Me të arritur në Prizren, Bogdani sëmurët nga murtaja, dhe vdes më 6 dhjetor të vitit 1689, në Prishtinë. Pas vdekjes, siç njofton nipi Gjergj Bogdani, turqit dhe tatarët, trupin e tij e kanë nxjerrë nga varri, dhe ua kanë hedhur qeneve në mes të piacës së Prishtinës.

Këtu mbaron veprimtaria e tij tragjike dhe fillon jetën vepra e tij kulturore, si zgjatim i frymës së tij; e kujtesës dhe identitetit shëlbues që la si testament të përhershëm për ne.

Më këtë akt, tatarët tentuan ta zhduknin filozofinë bogdaniane, por ajo triumfoi, dhe i qëndroi stoikisht kohës së mëvonshme, kur persekutimet dhe kalvari i shqiptarëve veçsa u thellua. Megjithatë, Çeta e tij, si kulturë e ideologji, asnjëherë s’u ndal. Ajo, marshoi deri në ditët tona. U mishërua te dishepulli i ideve dhe idealeve të tij, Ibrahim Rugova, i cili, ashtu si Bogdani, u nda nga jeta, pa e finalizuar misionin e tij. Një shëmbëllim që na shtytë të përsiasim dhe meditojmë!

Historiografia letrare shqipe, dëfton se, vepra e Bogdanit, pati jehonë të jashtëzakonshme kulturore dhe ndikoi dukshëm në konsolidimin e letërsisë dhe gjuhës shqipe. Ajo, njihej nga rilindësit e shumtë: Naimi, Mjeda, Konica, etj., dhe përjetoi botime e studime kritike të shumta. Në këtë mënyrë, u bë pjesë e pasurisë së përbashkët kulturore të gjithë shqiptarëve.

Nga relacionet e Bogdanit me vlera historiografike e letrare, kuptojmë se bredhja ishte fati i Bogdanit. Ai, vazhdimisht bredhte; herë duke kërkuar vendstrehim nga persekutimi dhe ndjekja që i bënin turqit; herë për të kërkuar aleatë e miq për të organizuar kryengritje kundër pushtimit turk; herë duke kërkuar mbështetës, për ta botuar librin e tij, me të cilin dëshironte të ndriçonte mendjet, në vendin ku mbizotëronte pa dija.

Bogdani, si apasionuar për dije e kulturë, për të shëlbuar vendin e vet, përballë mëkatit dhe padijes, që zgjeronin hapësira në atdheun e plandosur në mjerim, dinte se armët më të fuqishme, ishin dija e libri. Në këtë mënyrë, ai mendonte se, mund të ndikonte në vetëdijesimin kulturor dhe shpirtëror të shqiptarëve të shtypur.

Atëbotë, vendi i tij dergjej në robëri të errët, siç thoshte, “i verbuem me dy palë mjegulla të zeza mbi faqe, që janë mëkati, e padija sepse, ai ishte dvarë dijeje e urtija.”

Në parathënien, “Të primitë përpara letrarit”, Bogdani, në formë programatike e misonarike, e shpalosi filozofinë e tij për librin, konceptet themelore për dijen, religjionin, kulturën dhe përparimin, dhe ato i ndërlidhte me misionin e shenjtë të kulturës e librit, të letrarëve e doktorëve.
Bogdani, i vetëdijshëm se duhej kultivuar “bukurinë’ e giuhesë”, u rrek të shkruante një vepër për Arbërinë, gjuhën dhe kulturën e vet; një vepër që do të mbetet përmendore e përhershme letrare e kulturore.

Luigj Marlekajt, njohës i veprës së Bogdanit dhe i Shqipërisë së kohës së tij në studimin e tij monografik “Pjetër Bogdani e Shqipnia e kohës se tij”, tregon se Bogdani, me guximin e pashoq, u bë “ai qe nuk len këtë vend te bahet turk”- thoshin sundimtarët osman. Kjo ishte një punë kolosale e një korifeu të madh; e një njeriu të përkushtuar për ideale të larta e sublime. Ndaj, “Conues prophetarum”, mbetet Çeta e kulturës shqiptare.

Më Shumë

Komuna e Prizrenit organizon takime për hartimin e Planit Zhvillimor Komunal

Komuna e Prizrenit, ka filluar mbajtjen e takimeve informuese me qytetarët për Hartimin e Planit Zhvillimor Komunal (PZHK). Drejtorisë së Urbanizmit dhe Planifikimit Hapësinor, është...

Malishevë: Arrestohet një person për sulm seksual

Një person është arrestuar nga policia në Malishevë. Ai dyshohet se e ka sulmuar seksualisht një femër. Rasti është raportuar të mërkuren, më 17 prill rreth...

Lajmet e Fundit