9.8 C
Prizren
E shtunë, 18 Maj, 2024

Poeti që foli dhe flet si një Zot

Nga Preç Zogaj

Kam qenë në vitin e tretë të shkollës së mesme të kulturës në Tiranë kur, duke parë për kureshtje librat në pjesën joletrare të bibliotekës së shkollës, gjeta vëllimin me poezi Fije bari të poetit të madh amerikan të shekullit të nëntëmbëdhjetë, Uollt Uitman. Nuk e kisha dëgjuar më parë këtë emër, e hapa shkujdesshëm librin me një kopertinë të zbërdhylët dhe me figurën e një fije bari me gjethëza, pa e ditur se pak minuta më vonë ajo që do të lexoja aty do të bënte masë me gjithë botëkuptimin dhe klishetë e mia letrare të asaj kohe, duke më përfshirë në një lloj deliri dhe krize plot vuajtje.

“Qetësohu, mos ki frikë! Jam Uollt Uitmani, gazplotë, zemërgjerë si natyra…”. Po unë nuk qetësohesha. Më dukej se nuk lexoja, por në çdo varg që më kalonte para syve shtypja ca tasta që përftonin një muzikë të rëndë, një të folur të epërme që më çonte peshë dhe më fuste frikën, pak a shumë si në ëndrrat e dikurshme me një Zot që shfaqet midis reve apo qiellit për t’u drejtuar fjalën njerëzve në tokë. Unë mendoja se një vegim si ky, i ushqyer nga tregimet fantastike të gjyshes sime fetare, kishte mbetur prapa bashkë me fëmijërinë e pakthyeshme dhe adoleshencën e parë, por ja ku më ishte kthyer më i qartë dhe më lëndor se më parë, me zërin pa fytyrë të një poeti amerikan… “Ju flas shteteve… teteteteteteteteteteteve”, vibronte në bibliotekën e vogël kjo e folur prej Zoti, që e dija të vdekur si të tillë. E mora librin pa i thënë njeriu, me lehtësinë që më kishte krijuar edhe mua shprehja e përhapur në atë kohë “vjedhja e një libri nuk quhet vjedhje”, por edhe me një lehtësi tjetër të pacilësueshme, që më vonë e kam emërtuar një detyrim të vagullt të koshiencës për t’i gjetur atij libri një vend tjetër ku të rrinte. Ishte e drejtë që mësuesja e letërsisë apo dikush tjetër nuk e kishte vendosur në raftin e librave që na jepeshin për lexim jashtë klase, por ishte e padrejtë që e kishin lënë mes librave teknikë dhe politikë, që nuk e di kush i lexonte. Një vend tjetër për Fije bari isha unë, shtëpia ime në Lezhë, shkallët e jashtme të asaj shtëpie ku do të lexoja, më saktë do të “përleshesha” në sa e sa perëndime dielli dhe muzgje të paharruara me Uollt Uitmanin, duke habitur gjyshen time, së cilës, gjithsesi, nuk mund t’i thosha se e kisha gjetur Zotin tim, pasi nuk mund të kishte një Zot që të mos ishte edhe i saj.

Shumë vite më vonë do të lexoja nga poeti i madh argjentinas Jorge Luis Borges një koleksion të sentencave më të bukura e më të thella për Uitmanin, ku spikaste thënia se Uitmani nxori nga përvojë e tij e fisme atë figurë të gjallë e vetjake që është njëra nga të paktat gjëra të letërsisë moderne: VETË FIGURËN E TIJ.

Mund të duket e kërkuar sot, por është pikërisht ky përjetimi që kam pasur në rininë time të hershme për vargjet e librit Fije bari. Më dukej se ishte poeti që ngrihej prej poezive dhe jo e kundërta, që poezitë dilnin prej poetit. Figura e poetit, që mishërohej prej vargjeve, ishte figura e dikujt që duhej të ishte, por nuk jetonte përnjimend në një pikë të planetit dhe në një fragment të caktuar të kohës së botës.

Çdo gjë që rrokte vështrimi i tij kishte fatin të mbushej me flakën, purpurin, limfën dhe përndritjen e poezisë. (Pashë në Luizianë një lis jete duke u rritur/ qëndronte fillja vetëm, myshku i varej degëve/ pa shkop po rritej, nxirrte fletë plot gaz të mushkëllyera…).

Çdo gjë që dëgjonin veshët e tij kalonte nëpër frymëmarrjen dhe verbin e tij për t’u transformuar në këngë, në poezi. (Dëgjoj tek këndon Amerika, dëgjoj plot këngë të ndryshme/ këngën plot endë të nënës, të nuses apo të vajzës tek qep apo lan).

Çdo gjë që linte pas hapi i tij ngjallej dhe lëshon tinguj si në mitin e Orfeut, ndërsa kur ndalej dhe mendonte për kohën, për gjithë atë përkujtim, e gjithë melankolia e tij burrërore shkrihej dhe humbiste në paanësinë dhe përjetësinë e së bukurës.

“Kur çeli jargavani vjet n’oborr te porta/ Dhe shoi ylli i mëngjesit herët në qiell të perëndimit/ Unë qava dhe do qaj çdo mot kur vjen pranvera/ Çdo mot kur vjen ti pranverë më sjell tri gjëra mua/ jargavanin me lule, yllin e mëngjesit që zbret në perëndim/ dhe kujtimin për atë që dua”.

I kam mësuar përmendësh që atëherë këto vargje dhe shumë të tjera nga Uitmani. Dhe nuk do t’i harroj më. Fillova të mësohesha me hapësirën e pamatë dhe tonin madhështor të poezisë së tij.

Vite më vonë kam mundur të kem një ide më të saktë për vendin dhe rëndësinë e jashtëzakonshme të librit Fije bari dhe të vetë Uitmanit në poezinë amerikane e botërore. Përfshirë atë shqiptare. Dy gjenerata poetësh, ajo e viteve shtatëdhjetë dhe ajo e viteve tetëdhjetë kanë dalë me emrat më të spikatur edhe nga fletët e librit Fije bari.

Qindra herë e kam lexuar si për herë të parë postulatin e Borgesit që ngulmon se nuk mund të ketë përbri poezisë së Uitmanit një biografi të Uitmanit, pasi ky është personazhi i përjetshëm i poezisë që la. “Me kalue nga bota parajsore e vargjeve të tij në kronikën e pakripë të ditëve të tij, përbën një tranzicion melankolik”, thotë Borges.

Nuk kam reshtur pra së lexuari për Uitmanin, por kur mendoj për emrin dhe pamjen e tij mitike prej profeti, kujtesa më kthen gjithnjë të një paradite pranvere e vitit 1996, sërish nxënës në shkollë të mesme të kulturës, tani në vitin e katërt. Në fund të oborrit të shkollës në lagjen “21 dhjetori”, një grup nxënësish kishin rrethuar një burrë të gjallë rreth të shtatëdhjetave a më shumë, që po i pyeste për diçka. Nxënësit vetëm ngrinin supet duke qeshur me njëri-tjetrin dhe ja ku njëri prej tyre tregoi me gisht në drejtimin tim pak më tutje: “ai, ai lexon libra”. Unë u afrova me kureshtje, me parandjenjën se duhej të jepja një “provim” të vogël para tyre. Shtatëdhjetëvjeçari më pyeti menjëherë:

-Ke dëgjuar ti për librin Fije bari?

Fytyra ime llamburiti. Mund të më kishte pyetur për dhjetëra apo qindra tituj që nuk i kisha dëgjuar e lexuar ende deri në atë kohë, por ja që më kishte pyetur për “librin e vjedhur”.

-Po, i thashë, e kam lexuar, është një vëllim poetik i shkrimtarit amerikan Uollt Uitman.

Tani ishte fytyra e shtatëdhjetëvjeçarit ajo që u mbush me dritë. Nxënësit rreth e rrotull panë drejt nesh sikur po asistonin në një magji.

-Kush e ka përkthyer?- bëri pyetjen tjetër bashkëbiseduesi im.

-Skënder Luarasi, – u përgjigja unë mes heshtjes së thellë të nxënësve.

-Unë jam Skënder Luarasi, – ma ktheu tjetri me njëfarë mallëngjimi, duke më rrokur në qafë.

E fiksova fytyrën e tij, e takova edhe dy herë të tjera dy vite më vonë, kur endesha dyerve të Ministrisë së Arsimit për një të drejtë studimi në shkollë të lartë. Në përshtypjen e tij fati e kishte përmbushur sërish qëllimin e vet, pasi një lexues i librit Fije bari, përkthyer dhe botuar në vitin 1956, kur unë nuk kisha lindur akoma, mbajtur pastaj në një gjendje gjysmëklandestine apo klandestine nga regjimi, pra një lexues i tillë nuk mund ta hidhte pa telashe, sipas të paharruarit Skënder Luarasi. Edhe atëherë, edhe tani kam një si hezitim të brendshëm t’ia them emrin. Arsyeja është kjo: qëkurse më tha se kush ishte, në oborrin e shkollës së kulturës, mendja ime e bashkoi me emrin e Uollt Uitmanit. Mund të ishte përkthyesi i madh dhe i pavdekshëm i Uitmanit në gjuhën shqipe një nga dyzimet dhe mishërimet e panumërta të këtij poeti universal në botë.

Më Shumë

Abdixhiku viziton Dragashin: Qeni i Sharrit, ndër bukuritë e pasuritë më të mëdha shqiptare

Lideri i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka vizituar Dragashin, shkruan PrizrenPress. Ai është pritur në Sharr nga kryetari Bexhet Xheladini. "Sonte në Sharr, Dragash....

Rikthehet Superliga: Ballkani kërkon fitoren për t’iu afruar titullit, Drita e Llapi presin ‘gabimin’ e suharekasve

Sot do të rikthehet Superliga, ku do të zhvillohet java e 34-të. Lideri Ballkani do të ketë punë në shtëpi me skuadrën që tashmë është...

Lajmet e Fundit