E, Policia e Kosovës ka vazhduar me kontrollet e rrepta me qëllim të ruajtjes së rendit dhe sigurisë publike, sigurisë në trafik si dhe zbatimit të masave ndaj pandemisë COVID-19, shkruan Telegrafi.
Në kuadër të këtyre inspektimeve, policia ka njoftuar se vetëm gjatë ditës së djeshme ka shqiptuar 618 tiketa në bazë të ligjit COVID-19.
Nëse të gjitha këto tiketa janë shqiptuar për mos vendosje të maskës, atëherë i bie që policia ka mbushur arkën e shtetit me 21 mijë e 630 euro vetëm brenda një dite.
Bazuar në Ligjin për Parandalimin dhe Luftimin e Pandemisë COVID-19, qytetarët që nuk e respektojnë vendimin për kufizimin e qarkullimit të qytetarëve dhe automjeteve, dënohen me gjobë deri në 200 euro.
Për persona juridikë, gjoba është 500 euro. Ndërkohë, gjoba për ata që nuk i vendosin maskat dhe nuk e mbajnë distancën fizike është 35 euro.
Kujtojmë se me masat e reja, ora policore për qytetarët nis nga ora 22:00 deri në orën 05:00 të mëngjesit.
Qytetarët janë të obliguar që të bartin maskën, pavarësisht vendit në të cilin ndodhen, ndërkaq lokalet e gastronomisë do të jenë të hapura deri në orën 21:00, ndërsa muzika lejohet deri në 20:30. /Telegrafi/