Me shkuarjen e Kuvendit dhe të Qeverisë në pushimet e verës së këtij viti, po mbushen gati dy vjet të plotë që Kosova është futur në një krizë politike dhe institucionale, deri më tani pa shpresë të zgjidhjes. Kjo krizë e ka gjenezën e vet në zgjedhjet e jashtëzakonshme të vitit 2014, e vazhduar me përplasjet e procesit paszgjedhor pas krijimit të VLAN-it të famshëm, dhe më pastaj e përforcuar edhe me kontestimin e marrëveshjeve të gushtit të vitit të kaluar, Demarkacionin dhe Asociacionin.
Të gjitha këto momente të njëpasnjëshme të krizës politike dhe institucionale, kanë lënë krejtë- sisht në harresë zgjidhjen e problemeve të qytetarëve. Inatet mes pozitës dhe opozitës, sipas analistëve politike, i kanë degraduar dhe skajshmërisht që të dyja blloqet politike, pasi për dy vjet rresht krize është nxjerrë gati krejtë- sisht jashtë sistemit shtetëror trajtimi i problemeve reale të qytetarëve, zhvillimi i qëndrueshëm, punësimi,, shëndetësia kualitative e premtuar dhe arsimi. Politologu Albinot Maloku thotë se në këtë fokus duhet veçuar sidomos problemet fondamentale të qytetarëve dhe të shtetit të Kosovës, zhvillimin ekonomik, e sidomos premtimin nga partnerët e koalicionit për numër marramendës të atyre që do të punësohen e që u harruan krejtësisht po nga këta partnerë koalicioni.
Politikanët dinakë mendojnë vetëm për vete Sipas Malokut, ndëshkimi duhet të jetë i barabartë për gjithë këtë spektër politik, ngase humbjet e shkaktuara janë të pariparueshme për kohë të gjatë.
“Humbjet për Kosovën dhe qytetarin e saj u nisën nga ish-VLAN-i, si mospranuesi i zgjedhjeve të fundit, e më pastaj nga Isa Mustafa e LDK-ja e tij që u bënë pjesë e pozitës dhe e fikën shpresën për një opozitë të mirëfilltë e kontrolluese të pushtetit. PDK-së dhe subjekteve të tjera rreth Misionit të Ri, si fitues i paszgjedhjeve u konvenoi çdo veprim i ish-anëtarëve të VLAN-it. Qeveria aktuale është duke i shtyrë ditët, edhe pse me kapacitet për të vepruar. Gjithsesi, garniturës aktuale politike në Kosovë i ka humbur rruga në oborr dhe po funksionon ad-hoc e pa vizion”, tha Albinot Maloku për “Kosova Sot”.
Politologu Islam Krasniqi konsideron se qeverisja e papërgjegjshme, dhe pa perspektivë për qytetarin e zakonshëm të Kosovës, e ka zanafillën akoma më herët, sepse që nga pas lufta kërkesat e qytetarëve asnjëherë nuk kanë qenë prioritet për klasën politike, e cila me dinakëritë e tyre vetëm në kohë zgjedhjesh ka qëndruar pranë qytetarit, për t’i vjedhur një votë dhe jo për tjetër. “Mentaliteti i klasës tonë politike është ndërtuar në atë formë që interesat kombëtare harrohen për ato individuale apo personale, ku populli po e vuan si pasojë e veprimeve të tyre të pandërgjegjshme, të cilat janë grumbullimi i pasurisë për vete apo të tjerët në mënyrë jo të ligjshme. Edhe kjo Qeveri apo ky koalicion është një martesë e dhunshme, e cila çdo ditë e më shumë po ua humb kohën qytetarëve, kohë e cila nuk kthehet më as nuk kompensohet me asgjë”, tha Krasniqi/kosova sot/