Dalja e hapur në skenën politike e disa mospajtimeve të fundit brenda bllokut opozitar LAN, sa i përket mundësisë së listës së përbashkët zgjedhore me shoqërinë civile dhe vazhdimit të mënyrës së kundërshtimit të mëtutjeshëm të Qeverisë së Kosovës, deri në detyrimin e saj për të pranuar shpalljen e zgjedhjeve të reja, po interpretohet nga analistët politikë si fillimi i përçarjes serioze pas 7 muaj të betejës së përbashkët me një kauzë unike. Kjo plasaritje në opozitë po cilësohet si një tregues, që e vulos konstatimin se në Kosovë pothuajse të gjitha partitë politike janë të njëjta, pra nuk dallojnë, sepse të gjitha janë të uritura për pushtet dhe për shkak të pushtetit janë në gjendje të sakrifikojnë asgjë, por vetëm interesat e shtetit dhe qytetareve që i kanë zgjedhur.
Me këto zhvillime analistët konstatojnë se politikanët kosovarë, qoftë në pozitë apo opozitë, po dalin pa moral politik, sepse kur i kujtojmë vetëm sharjet që ia kanë bërë njëri-tjetrit gjatë fushatave parazgjedhore, e shohim qartë se nuk kanë pasur kurrë për synim interesin e qytetarit, por e kanë pasur për qëllim vetëm pushtetin, sepse kur vjen interesi kyç për pushtet, ata nuk e kanë fare problem të bashkohen për të zhvatur për interesat e tyre klienteliste. E këtu në këtë fushëbetejë janë të njëjtë, të gjitha pa dallim, qoftë partitë në pushtet apo edhe ato të opozitës.
Kosova, si pronë e politikanëve dhe oligarkëve
Politologu Faik Krasniqi i ka thënë gazetës se kjo mënyrë e funksionimit joserioz të subjekteve politike të Kosovës, është një mundje që nuk po mund të shërohet tash e 17 vjet, dhe kjo gjithsesi shkon në dëm të interesit të qytetarit e në përfitim të klientelave politike. Mirëpo, ai konsideron se tash është momenti kyç që kjo praktikë të ndërpritet.
“Kosova prej pasluftës është bërë pronë e politikanëve dhe bizneseve oligarkike, të cilët kanë kapur çdo pore të shtetit. Dhe, me të drejtë shtrohet pyetja se a është bërë luftë për një shtet për ta kapur nga pushtetarët, apo për një shtet të barabartë për të gjithë qytetarët, që askush të mos jetë mbi ligjin. Por, deri më tash kjo klasë politike na dëshmoi që lufta e tyre ka qenë për pushtet dhe para dhe shkatërrimin e shtetit. Prandaj, pavarësisht mospajtimeve mes partive opozitare, opozita duhet të jetë më e bashkuar se kurrë dhe nuk guxon të përçahet, sepse përçarja shkatërron e kauzën e saj dhe njëkohësisht i mundëson kësaj Qeverie kriminale dhe mafioze që sa më gjatë të ngelet në pushtet”, tha Faik Krasniqi për “Kosova Sot”.
Ai ka pohuar se tani është momenti kritik, kur opozita duhet të jetë e bashkuar dhe të vendosë vija të kuqe bashkëpunimi vetëm për partitë, që janë në pushtet dhe janë të lidhura ngushtë me krimin dhe korrupsionin.
“Nëse partitë opozitare e kanë seriozisht qeverisjen në mënyrë të dinjitetshme, shkapjen e shtetit nga mafio-politika dhe largimin nga pushteti të kësaj Qeverie kriminale, atëherë duhet të jenë më të bashkuar se kurrë, duke e zgjeruar kauzën e saj me gjëra që po e shkatërrojnë këtë popull, por njëkohësisht edhe zgjerimin e saj me personalitete të respektuara në opinion, të cilët në vazhdimësi kanë qenë kundër këtyre pushtetarëve mafiozë”. /Kosova Sot/