16.9 C
Prizren
E hënë, 12 Maj, 2025

Presidenca e dobëson Thaçin

Kalimi i ish-liderit të PDK-së, Hashim Thaçi në pozitën e të parit të shtetit, në Presidencë dhe largimi i tij nga të gjitha pozitat drejtuese në parti, sipas analistëve politikë, e ka zvogëluar në maksimum ndikimin e tij të drejtpërdrejtë jo vetëm në strukturat e proceset e brendshme politike në PDK, por edhe në politikën kosovare në përgjithësi. Tani ndikimi i tij në parti është shumë indirekt, derisa në politikëbërjen e përgjithshme në Kosovë është duke humbur në hapa, ngase që nga marrja zyrtare e mandatit të presidentit të vendit, nuk ka arritur të mbajë asnjë takim të përbashkët me përfaqësuesit e partive politike, bashkimin e pozitës dhe opozitës në një tryezë të diskutimit për çështje të interesit nacional.

Analisti politik, Faik Krasniqi thotë se ngritja graduale e Kadri Veselit në krye të PDK-së dhe zgjedhja eventuale në pozitën e kryeministrit, do të jetë edhe fundi i Hashim Thaçit në karrierën politike. “Hashim Thaçi e ka ditur nga fillimi që, nëse bëhet president, do të bjerë ndjeshëm ndikimi i tij në skenën politike, por edhe brenda PDK-së. Ai do të mundohet që deri në fund të mandatit të tij si president ta ketë ndikimin e tij, përmes njerëzve besnikë brenda PDK-së. Por, kjo gjë do të jetë shumë e vështirë, sepse deri në fund të mandatit të tij, Kadri Veseli do t’ia largojë nga postet vendimmarrëse të gjithë besnikët e tij, në mënyrë që atij mos t’i rrezikohet posti i kryetarit të partisë”, theksoi ai.

Plani i Veselit

Sipas Krasniqit, tentativa e Thaçit që pas 5 vjetëve të rikthehet prapë në krye të PDK-së do të jetë një mision i pamundur, sepse përballë ka një rival shumë të fuqishëm dhe tepër ambicioz.

“Me zgjedhjen e Hashim Thaçit president, Kadri Veseli ia ka arritur qëllimit të tij duke e nxjerrë në ”pension” kundërshtarin më të fortë në skenën politike të Kosovës. Kadri Veseli tash është duke u përgatitur që në një të ardhme të afërt të bëhet kryeministër i Kosovës”, tha politologu Faik Krasniqi. Sipas tij, qëllimi i Veselit është që pasi të kryhet puna e Demarkacionit dhe Gjykata Speciale të fillojë punën, ta prishë koalicion me LDK-në, vendin ta dërgojë në zgjedhje dhe vetë të zgjidhet kryeministër, derisa rikthimi i Thaçit në krye të PDK-së do të mund të ndodhë vetëm nëse Kadri Veseli do të jetë njëri nga të akuzuarit e Gjykatës Speciale, edhe pse shumë vështirë e besueshme që ai të jetë në bankën e të akuzuarve./kosova sot/

Më Shumë

Abdixhiku refuzon përfundimisht Kurtin – propozon “Qeveri tranzicionale”

Lidhja Demokratike e Kosovës ka refuzuar për herë të tretë dhe përfundimisht ofertën e kryeministrit Albin Kurti për bashkëpunim politik. Në dritën e krizës së...

Shpresa Murati emërohet drejtoreshë e Drejtorisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale në Prizren

Kryetari i Komunës së Prizrenit, Shaqir Totaj, ka emëruar Shpresa Muratin drejtoreshë të Drejtorisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale (DPMS). Sipas tij, ajo sjell...

Lajmet e Fundit