Në Prizren është mbajtur takimi i rregullt, përmbyllës për vitin 2025, i mekanizmit koordinues me akterët që merren me trajtimin e rasteve dhe veprave penale të dhunës në familje, brenda kompetencës së Prokurorisë Themelore në Prizren.
Takimi, i thirrur dhe organizuar nga prokurorja dhe koordinatorja për rastet e dhunës në familje, znj. Mehreme Hoxha, me mbështetjen e OSCE-së, mblodhi së bashku prokuroren/koordinatoren znj. Elfete Purova, përfaqësues nga Gjykata Themelore e Prizrenit, Policia e Kosovës – Rajoni i Prizrenit, përfaqësues nga Qendra për Punë Sociale, Shërbimi Sprovues, mbrojtës të viktimave, përfaqësues nga Avokati i Popullit, Zyra për Ndihmë Juridike Falas, Spitali i Prizrenit, Kuvendi Komunal i Prizrenit, si dhe nga organizata joqeveritare.
Prokurorja Hoxha bëri të ditur se gjatë periudhës janar–nëntor 2025, Prokuroria Themelore në Prizren ka pranuar gjithsej treqind e tetëmbëdhjetë (318) kallëzime penale lidhur me veprat e dhunës në familje, ndërsa gjatë të njëjtës periudhë janë trajtuar dhe përfunduar dyqind e gjashtëdhjetë e tri (263) lëndë të kësaj natyre.
Gjatë takimit, pjesëmarrësit vlerësuan lartë nivelin e bashkëpunimit ndërinstitucional në trajtimin e rasteve të dhunës në familje, duke evidentuar të arriturat, por edhe sfidat me të cilat ballafaqohen gjatë punës së përditshme.
Drejtori i Policisë Rajonale në Prizren, kolonel Faton Alija, si dhe gjykatës, zyrtarë policorë dhe përfaqësues të tjerë institucionalë, theksuan sfidat që shoqërojnë trajtimin e rasteve të dhunës në familje, përfshirë rastet e viktimave të ndjeshme, viktimat e përsëritura dhe vështirësitë operative gjatë hetimit dhe mbrojtjes së tyre.
Banesat më të kërkuara në Prizren – Bëhu pronar në Foleja Residence!
Një pjesë e rëndësishme e diskutimit iu kushtua masave mbrojtëse dhe procedurës së shqiptimit të tyre, sipas Ligjit për parandalimin dhe mbrojtjen nga dhuna në familje, dhuna ndaj grave dhe dhuna në baza gjinore. Në këtë kuadër u rikujtua rëndësia e zbatimit korrekt dhe efikas të masave mbrojtëse që janë në juridiksion të Gjykatës.
Gjithashtu, u diskutua rëndësia e zbatimit të dënimeve plotësuese të parapara në Kodin Penal të Republikës së Kosovës, veçanërisht ndalimi i ushtrimit të funksioneve në administratën publike ose në shërbimin publik dhe ndalimi i ushtrimit të profesionit, veprimtarisë ose detyrës, në rastet kur këto masa janë të nevojshme për mbrojtjen e viktimave dhe parandalimin e përsëritjes së veprës, veçanërisht kur kryesi i veprës është person zyrtar.
Po ashtu, u diskutua zbatimi praktik i Udhëzimit Administrativ të Ministrisë së Drejtësisë nr. 02/2025 të datës 12.02.2025, i cili përcakton procedurat për ofrimin e shërbimeve nga fondi emergjent për nevojat e viktimave të dhunës në familje, dhunës ndaj grave dhe dhunës në baza gjinore gjatë qëndrimit të tyre në polici.
Në përmbyllje të takimit, të gjithë pjesëmarrësit u dakorduan të vazhdojnë bashkëpunimin e ndërsjellë, me qëllim që institucionet relevante të përmbushin detyrat dhe obligimet e tyre me përgjegjësi dhe profesionalizëm, duke garantuar trajtim profesional dhe me dinjitet të plotë për të gjitha viktimat e dhunës në familje.
Kompleksi ‘Newco Elan’ ofron banesa të ëndrrave tuaja në zemër të Prizrenit