5.1 C
Prizren
E diel, 29 Dhjetor, 2024

Prizren, shtyhet gjykimi ndaj të akuzuarit për grabitjen e mbi 13 mijë euro në dy filiale mikro-financiare

Për shkak se gjykata nuk ka prova se të dëmtuarit A.Z. dhe A.F., janë ftuar në mënyrë të rregullt, ka dështuar të mbahet shqyrtimi fillestar të hënën në Gjykatën Themelore në Prizren, në rastin ku Dardan Gashi po akuzohet për tri vepra penale.

Gashi po akuzohet për dy vepra penale të grabitjes në dy filiale mikro-financiare, “Finca” në Prizren nga e cila thuhet se kishte marrë 11 mijë e 370 euro dhe “Capital Ria” në Prishtinë ku thuhet se kishte marrë 2 mijë e 280 euro, si dhe për veprën penale të grabitjes së ngelur në tentativë në filialin mikro-financiar “Finca” në Prizren, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Lidhur me mungesën e të dëmtuarve A.Z. dhe A.F., gjykatësi Artan Sejrani tha se nuk ka prova që të njëjtit janë ftuar në mënyrë të rregullt.

Prokurori Petrit Kryeziu tha se për mbajtjen e shqyrtimit fillestar nuk janë plotësuar kushtet ligjore, ngase me dispozita ligjore të dëmtuarit duhet të njoftohen për mbajtjen e këtij shqyrtimi.

Këtë qëndrim të prokurorit Kryeziu, nuk e ka kundërshtuar mbrojtësi i të akuzuarit Gashi, avokati Valdet Hoxha.

Në mungesë të kushteve ligjore, seanca e radhës u caktua të mbahet më 11 tetor 2023.

Gjykatësi Sejrani tha se të dëmtuarit Z., dhe F., për seancën e radhës do të ftohen me ftesa të rregullta.

Ndryshe, Prokuroria Themelore në Prizren, Departamenti i Krimeve të Rënda, më 21 gusht 2023, ka ngritur aktakuzë ndaj të pandehurit Dardan Gashi.

Sipas aktakuzës, më 27 janar 2023, në Prizren, në rrugën “Ahmet Prishtina”, saktësisht në objektin e filialit mikro-financiar “Finca” i akuzuari Gashi, i maskuar dhe nën kërcënimin e armës së zjarrit në njërën dorë dhe duke mbajtur thikën në dorën tjetër, merr peng punëtorin e filialit Y.P., i cili në ato momente ishte në shkallët e objektit, të cilin e shtrëngon për krahu, me të cilin hyn brenda duke bërtitur dhe duke kërkuar para, me ç’rast arrin që t’i marrë 11 mijë e 370 euro dhe ashtu i maskuar dhe me armët në duar largohet nga pjesa e pasme e objektit për në drejtim të panjohur.

Me këto veprime, Gashi po akuzohet se ka kryer veprën penale “Grabitja” nga neni 317, par.3 dhe 2 lidhur me par.1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

Tutje, në aktin akuzues thuhet se Gashi më 3 maj 2023 në Prizren, në rrugën “Ahmet Prishtina”, saktësisht në objektin e filialit mikro-financiar “Finca” i maskuar dhe nën kërcënimin e armës – pistoletës, tenton të kryejë grabitjen, mirëpo pengohet nga zyrtari për sigurimin e objektit – i dëmtuari S.Th., me të cilin konfrontohet fizikisht dhe i shkakton lëndime të lehta trupore me pasoja të përkohshme të shëndetit, i pandehuri largohet nga vendi ngjarjes dhe gjatë ikjes i bie një çadër, një çantë dhe një çelës i veturës.

Me këto veprime, ai po akuzohet se ka kryer veprën penale “Grabitja” e ngelur në tentativë sipas nenit 317, par. 3 lidhur me nenin 28 të KPRK-së.

Po ashtu, Gashi po akuzohet se më 4 maj 2023, në Prishtinë, në rrugën “Nazim Gafurri”, saktësisht në objektin e filialit mikro-financiar “Capital Ria”, pasi një ditë më parë kishte kryer tentim grabitjen në Prizren, duke qenë në kërkim policor, me veturën e tij të arratiset në Prishtinë, i ndërron rrobat në veturë dhe i maskuar e nën kërcënimin e armës – pistoletës, futet brenda ku ishte e vetme arkëtarja A.F., të cilës i drejton armën e zjarrit. E dëmtuara duke u ndier e kanosur dhe frikësuar i jep të hollat që kishte në tavolinë, në vlerë prej 2 mijë e 280 euro, dhe ashtu i maskuar dhe me armë në dorë i pandehuri largohet nga pjesa e pasme e objektit.

Me këto veprime, Gashi po akuzohet ka kryer veprën penale “Grabitja” nga neni 317, par.1 i KPRK-së. /BetimipërDrejtësi

Më Shumë

Komuna e Dragashit ndalon përdorimin e produkteve piroteknike në hapësirat publike

Kryetari i Komunës së Dragashit, Bexhet Xheladini ka nënshkruar urdhëresën për ndalimin e përdorimit të produkteve piroteknike në hapësirat publike. Kjo ndalesë vlen për periudhën...

Hapet panairi i verës “Cakrrojmë gotat” në Rahovec

Dje në Rahovec u bë hapja e panairit të verës “Cakrrojmë gotat”, një ngjarje kjo që do të vazhdojë edhe më 28, 29 dhe...

Lajmet e Fundit