16.8 C
Prizren
E hënë, 25 Gusht, 2025

Prizren: Të akuzuarit për fajde dalin para Gjykatës

Trupi gjykues do të vendosë në ditët në vijim rreth kërkesës së avokatëve të të akuzuarve për ta hedhur poshtë aktakuzën kundër grupit të akuzuar për krim të organizuar, fajde e vepra të tjera të rënda penale. Ndërsa është refuzuar ndërprerja e paraburgimit për të akuzuarit.

Prokurorja e Prokurorisë Speciale, Merita Binaj–Rugova, kërkoi sot nga trupi gjykues në Prizren që të refuzojë kërkesën e avokatëve mbrojtës për të hedhur poshtë aktakuzën e ngritur kundër 14 personave të akuzuar për krim të organizuar, fajde, detyrim, organizim të skemave piramidale, bixhoz të paligjshëm dhe armëmbajtje pa leje.

“Konsiderojmë se aktakuza është e bazuar në prova të mjaftueshme dhe të vlefshme me të cilat është dëshmuar se të pandehurit me dashje direkt i kanë kryer veprat penale për të cilat ngarkohen. Po ashtu, e konsiderojmë se çdo provë që është e propozuar që të administrohen gjatë shqyrtimit kryesor është siguruar në tërësi në pajtim me dispozitat e Kodit të procedurës penale. Për këto arsye kërkoj që kërkesa të refuzohet si e pabazuar”, tha prokurorja Merita Binaj-Rugova.

Po ashtu, në këtë seancë, mbrojtësit e të akuzuarve Tunë Kqira, Kastriot Kqira, Gjon Kqira, Marjan Kqira, Benson Buza dhe Besfort Omaj, kërkuan nga kryetari i trupit gjykues ndërprerjen e paraburgimit, me arsyetimin se kanë pushuar shkaqet ligjore me të cilat është caktuar paraburgimi.

Por, kryetari i trupit gjykues e refuzoi këtë kërkesë dhe la në fuqi vendimin e Gjykatës së Apelit, me të cilin u është vazhduar paraburgimi.

Sipas Prokurorisë Speciale, gjatë disa viteve të kaluara, të pandehurit Tunë, Kastriot, Gjon, Marjan, Gjekson e Gëzim Kqira dhe Benson Buza kanë vepruar si grup i organizuar kriminal më qëllim të përfitimit të drejtpërdrejt të dobisë financiare, duke kryer vepra të rënda penale.

Sipas aktakuzës, Tunë Kqira i ka mbikëqyrur dhe i ka drejtuar veprimet e këtij grupi kriminal.

Grupi ka shfrytëzuar gjendjen e rëndë financiare ose papërvojën e të dëmtuarve dhe u ka dhënë para me fajde. Pastaj, duke përdorur kërcënimet e rënda, i kanë detyruar të paguajnë kamata dukshëm joproporcionale ose të kryejnë ndonjë veprim tjetër në dëm të pasurisë së tyre.

Të akuzuar në këtë rast janë: Tunë, Kastriot, Gjon, Marjan, Gjekson e Gëzim Kqira, Benson Buza, Besfort Omaj, Zyrafete Hukolli, Ragip Fazlija, Ekrem Leci, Hil Katinari, Sejdë Kaqorraj dhe Zef Oroshi.

KALLXO.com ka raportuar për ngritjen e aktakuzës nga Prokuroria Speciale kundër këtij grupi.

Më Shumë

Prizreni siguron hyrje falas për tifozët ndaj Trepçës

Prizreni ka njoftuar se hyrja për tifozët në ndeshjen e radhës ndaj Trepçës do të jetë falas. Ky gjest është mundësuar nga njëri prej...

Avdyli: Duhet të shkojmë në zgjedhje sa më shpejt

Haxhi Avdyli nga Lëvizja Vetëvendosje, pak para nisjes së seancës konstitutive, është deklaruara para mediave. Ai akuzon ish-opozitën se nuk po duan të arrijnë funksionalizimin...

Lajmet e Fundit