11.8 C
Prizren
E premte, 19 Prill, 2024

Prizren: Të akuzuarit për vjedhje do t’i bëhet ekzaminimi psikiatrik

Në Gjykatën Themelore në Prizren, të enjten, është aprovuar propozimi i avokatit Nazmi Mustafi, që të bëhet ekzaminim psikiatrik të akuzuarit Kristian Prenqaj, pranë Institutit të Psikiatrisë Forenzike të Kosovës (IPFK), i cili po akuzohet për vjedhje.

Këtë propozim, e ka aprovuar gjykatësja e rastit, Vjollca Buzhala, raporton“Betimi për Drejtësi”.

Paraprakisht, i akuzuari Prenqaj ka deklaruar se nuk është në gjendje të marrë pjesë në seancë për arsye shëndetësore.

Pas kësaj, avokati Mustafi tha se i akuzuari Prenqaj gjendet në spitalin e Burgut të Dubravës dhe se gjendja e tij shëndetësore është duke u përkeqësuar.

Ai ka propozuar që gjykata zyrtarisht të sigurojë raportet mjekësore nga burgu dhe për të mbrojturin e tij të bëhet ekzaminim psikiatrik pranë IPFK-së, pavarësisht faktit që ndaj të njëjtit është bërë edhe një ekspertizë tjetër mjeko-ligjore.

Këtë propozim të mbrojtjes, nuk e ka kundërshtuar prokurori Shpend Binaj.

Më pas, gjykatësja Buzhala tha se raportet mjekësore për të akuzuarin Prenqaj do të sigurohen nga Drejtoria e Burgut të Dubravës.

E njëjta, seancën e sotme e ka ndërprerë, kurse seanca e radhës tha se shtyhet në kohë të pacaktuar.

Ndryshe, i akuzuari Prenqaj po ngarkohet për tre vepra penale, mirëpo më 14 shkurt 2023, Gjykata Themelore në Prizren ka marrë vendim për bashkimin e lëndëve, me ç’rast është duke u zhvilluar procedurë e përbashkët.

Sipas aktakuzës së ngritur më 15 mars 2022, Prokuroria Themelore në Prizren, Kristian Prenqajn e akuzon se  më 31 janar 2022, në Prizren, në lokalin “Albacom”, pronë e Arbnora Gashit, me qëllim që vetes t’i sjell përfitim pasuror të kundërligjshëm merr arkën për bamirësi, arkë e “Shoqatës Arsimore Kulturore për Popullin”, ku në të ishin mjete monetare më pak se 50 euro dhe duke vrapuar largohet nga lokali,

Për këto veprime, Prenqaj po akuzohet se ka kryer veprën penale të vjedhjes nga neni 315 par. 2 të KPRK-së.

Po ashtu, sipas aktakuzës së ngritur më 15 mars 2022, Prokuroria Themelore në Prizren, e ngarkon të akuzuarin Prenqaj se më 08 shkurt 2021, në Prizren, në laboratorin “BIO-ING, ia merr pasurinë e të dëmtuarit Sahit Rakaj, në atë mënyrë që duke shfrytëzuar momentin e volitshëm kur askush nuk ka qenë prezent, shkon tek laboratori i lartcekur dhe duke e thyer derën e hyrjes depërton brenda, e më pas përmes dritares së brendshme depërton në katin e II-të, ku nga aty arrin që të merr pajisje të ndryshme elektronike (Shtëpizë kompjuteri, dy printer, një monitor kompjuteri dhe disa lloje të medikamenteve), në vlerë totale prej rreth 1 mijë e 500 euro.

E për këto veprime, ai po akuzohet se ka kryer veprën penale të vjedhjes nga neni 315, par.1 i KPRK-së.

Kurse, sipas aktakuzës së ngritur më 30 qershor 2022 nga Prokuroria Themelore në Prizren, Prenqaj po akuzohet se më 14 prill 2021, në Rr. “Jusuf Gervalla”, në Prizren, saktësisht në hapësirat e Postës së Kosovës, merr pasurinë e luajtshme dhe atë një arkë të xhamit në të cilën kishte rreth 22 euro e 67 cent.

Për këto veprime, ai akuzohet se ka kryer veprën penale të vjedhjes nga neni 315, par.1 i KPRK-së. /BetimipërDrejtësi

Më Shumë

Sara Gjordeni shtatzënë- Reagon për herë të parë Bardhi

Sara Gjordeni dhe Bardhi së shpejti do të bëhen prindër. Lajmin e konfirmoi vetë dyshja përmes një postimi në rrjetet sociale. Ishte ish-banorja e...

Moti sot: Me rrebeshe shiu dhe shkarkime rrufesh

Të enjten mbi Kosovë parashihet të mbajë mot me vranësira të shpeshta dhe intervale të shkurta me diell.   Sipas Meteo Kosova, gjatë orëve të para...

Lajmet e Fundit