27.1 C
Prizren
E diel, 10 Gusht, 2025

Prizren: Të rralla janë familjet që nuk kanë kazan në shtëpi

Punimi i kazanëve deri vonë ishte një prej zejeve më të përhapura në qytetin e Prizrenit, por tani kjo zeje është zhdukur. Zeja e kazanxhinjve në fillim të shekullit XX ishte shumë e përhapur në Prizren dhe në gjithë qytetin ka pasur shumë vendpunishte dhe shitore të kazanëve. Ata punonin enë bakri, legenë e ibrikë, kusi të vogla dhe të mëdha, tepsi, sini, mangall etj., me teknikën e “savatit” dhe të rrahjes. Prodhimet prej bakri nuk përdoren më. Këto prodhime sot rrallë mund të gjenden në shtëpitë e vjetra të Prizrenit. Ekspertë të trashëgimisë shprehen se Prizreni po i humb disa nga zejet e tij karakteristike më shpejt se shumë qytete të tjera.“Zeja e kazanxhinjve në Prizren është shuar. Deri vonë kazanxhinjtë punonin vetëm në një dyqan dhe tani e tridhjetë vite ajo zeje u shua në Prizren”, tregon historiani Mejdi Elezi. Ai tregon se Stanko Kazanxhia ishte kazanxhiu i fundit në Prizren, gjegjësisht para rreth 30 vjetësh, i cili ka punuar në rrugën e kazanxhinjve në Prizren që tash është rruga e “Saraçëve”.

Mjeshtrit dikur vinin nga jugu i Shqipërisë

Sylejman Randobrava shpjegon faktin se ka pasur disa kazanxhinj që kryesisht ishin ortodoksë të ardhur na jugu i Shqipërisë. “I fundit para 30 vjetësh ishte Stanko Kazanxhia”, shprehet Randobrava. Sipas tij, është interesant fakti se kazan kanë pothuajse të gjitha shtëpitë e vjetra edhe tani në Prizren. “Shumica syresh u shërbejnë për përgatitje të hajvarit ose të turshive, por më kazanxhi Prizreni s’ka tani e tri dekada”, thotë Randobrava. Ai shpjegon edhe historikun e kësaj zeje. “Dikur në rrasa, në breg të lumit Lumëbardhë, ka pasuar një sërë muresh të forta, ku kazanxhinjtë e parë punuan.

Atëbotë në Prizren quhej porta e tregut të kazanxhinjve dhe ishte një treg prej 800 hapash i gjatë përgjatë lumit. Në këtë krah të lumit kishte shtëpi të mbuluara me tjegulla, të ndërtuara lehtë e të mbajtura mirë. Veç këtyre, në anë të rrugës së madhe gjendeshin rreth 80 dyqane të mëdhenj e në mesin e tyre kishte edhe kazanxhi. Dikur rruga e “Saraçëve” quhej rruga e kazanxhinjve. Tjetër rrugë kryesore nuk ka pasur, sepse nga njëra anë ishte Tregu i Kazanxhinjve. Edhe rrugët e tregut të kazanxhinjve ishin të sheshta, dyqanet e kazanxhinjve edhe mutafxhinjve, d.m.th. të zejtarëve që punojnë bakrin dhe leshin ishin me prioritet dikur”, thotë Randobrava.

Tash kazanët shërbejnë edhe për prodhimin e rakisë

Edhe pse kanë kaluar plot tri dekada që s’ka më asnjë kazanxhi, të rralla janë ato familje myslimane që nuk kanë kazanë në shtëpi, por ata kazanë i përdorin për të zier hajvar apo për turshi. Kurse familjet katolike kanë kazanë kryesisht për të zier rakinë. Gjon Berisha, njëri nga qytetarët e Prizrenit, tregon se kazanët i merr nga kumbara i tij, Pjetri, i cili nuk gjendet tash në Kosovë, por jeton në Kroaci.“Shumë familje katolike në Prizren i kanë kazanët për raki. Por, shumica e tyre ata i ruajnë me kujdes të madh, sepse më kazanxhi nuk ka në Prizren dhe ata të rinjtë që mund të blihen nuk e kanë kualitetin e kazanëve të vjetër. Kazanët e vjetër e kishin kualitetin e punës të mirë, pasi janë të lehtë dhe janë të shëndetshëm”, pohon Berisha për “Kosova Sot”.

Ndryshe edhe në fshatrat e kësaj komune tradita për të pasur kazan ishte shumë e përhapur. Rexhep Gashi shprehet se dikur kazanët ishin të domosdoshëm për raste festash, apo për mort. “Ushqimin për dasma e bënin me këta kazanë, të thuash secila lagje i kishte kazanët e vet”, thotë Gashi, duke shtuar se tashmë ka ndërruar stili i jetesës dhe kështu ngadalë po zhduket e vjetra. Ai shprehet se nuk është mirë që nuk po kujdesemi për ruajtjen e të vjetrës.

(KosovaSot)

Më Shumë

Zbulohet shkaku i vdekjes së Ozzy Osbourne

Pak javë pas ndarjes nga jeta të Ozzy Osbourne, legjendës britanike të heavy metalit, dalin detajet për shkaqet zyrtare të vdekjes së tij. Sipas...

Fortesa Berisha, nga KFF Malisheva te skuadra italiane Como

Fortesa Berisha, ka realizuar një hap të rëndësishëm në karrierën e saj duke kaluar nga KFF Malisheva te skuadra italiane Como, që garon në...

Lajmet e Fundit